Questo sito usa cookie per fornirti un'esperienza migliore. Proseguendo la navigazione accetti l'utilizzo dei cookie da parte nostra OK

Opera “Il Trovatore” e Giuseppe Verdi-t në skenën e Tiranës për Javën e Evropës

Data:

09/05/2019


Opera “Il Trovatore” e Giuseppe Verdi-t në skenën e Tiranës për Javën e Evropës

Në kuadër të Javës Evropiane 2019 dhe kremtimeve për Ditën e Evropës në Tiranë, Ambasada Italiane, Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit vënë në skenë nga data 8 deri më 11 Maj një produksion të ri të operas “Il Trovatore”, dramë me katër akte dhe vepra e dytë e "trilogjisë popullore" të Giuseppe Verdi-t.

"Atje ku politika ndërton kufij, muzika bashkon. Dhe Verdi ka bashkuar Italinë, Evropën dhe botën me kompozimet e tij," tha Ambasadori Cutillo gjatë konferencës për shtyp të prezantimit të shfaqjes, e organizuar me synimin për të promovuar operën si një shenjë dalluese e kulturën italiane, e që kthehet në skenë të kryeqytetit shqiptar në një version të ri, si dhe me kast dhe ekip pjesërisht italian.

Në premierën e operas, më 8 maj, mori fjalën edhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë dhe Nënkryetarja e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, në vizitë në Shqipëri për të marrë pjesë në punimet e samitit Brdo-Brijuni, që më 9 maj bëri bashkë krerët e shteteve ose qeverive të Ballkanit Perëndimor.

"Jam e bindur se kultura evropiane filloi me muzikën, me operan, dhe se të gjitha artet kanë shprehur gjithmonë këtë identitet unik evropian, përtej kufijve. Dhe kam pasur bindjen se Ballkani ka qenë gjithmonë në qendër të kulturës evropiane. Nuk mendoj se ka një art dhe kulturë ballkanike dhe një kulturë evropiane, besoj se ka vetëm një kulturë evropiane dhe Ballkani është në qendër të saj,” tha Përfaqësuesja e Lartë, duke theksuar krenarinë e kremtimit - në prag të 9 majit – të kulturës evropiane në Shqipëri, një vend ku 90% e shtetasve mbështesin Bashkimin Evropian.

"Ju duhet të jeni krenar që jeni vërtet evropianë, ndërsa unë personalisht dhe të gjithë ne do të bëjmë gjithçka në mënyrë që BE-ja të mund t’i përmbushë edhe pristshmëritë tuaja", përfundoi Federica Mogherini.

Krahas shfaqjes së vënë në skenë nga Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, Ambasada e Italisë ka promovuar edhe projektin "Ftesë në opera", aktivitet i konceptuar dhe zbatuar nga tre klasat e seksionit dygjuhësh italo-shqiptar i Gjimnazit Ismail Qemali në Tiranë, për t'i sjellë studentët më afër muzikës lirike. Falë leksioneve, takimeve e diskutimeve me ekspertë si dhe laboratorëve të shkrimit, nxënësit do të studiojnë lidhjet midis muzikës së Verdi-t dhe kontekstit historik dhe kulturor të Italisë në gjysmën e dytë të shekullit të Nëntëmbëdhjetë, do të sprovohen në zhanrin tekstual të recensionit të shfaqjes dhe do të përgatisin disa video-intervista për mediat shqiptare, me urimin për të ngjallur një interes gjithnjë e më të madh për operan, veçanërisht tek të rinjtë.


Luogo:

Tiranë

882