Questo sito usa cookie per fornirti un'esperienza migliore. Proseguendo la navigazione accetti l'utilizzo dei cookie da parte nostra OK

Festimet me rastin e Festës së Republikës së Italisë - 2 Qershor 2019

Data:

03/06/2019


Festimet me rastin e Festës së Republikës së Italisë - 2 Qershor 2019

Edhe në Shqipëri u përkujtua 73 vjetori i Festës së Republikës së Italisë, ditë në të cilën u mbajt referendumi institucional i datës 2 qershor 1946, ku italianëve iu desh të zgjidhnin mes Republikës dhe Monarkisë. Pasditen e datës 1 qershor, Fanfara e Brigadës Alpine “Taurinense” e Ushtrisë Italiane luajti disa pjese në Parkun e Madh të Liqenit të Tiranës, duke shpalosur një repertor të gjerë muzikor ushtarak, pjesë sinfonike si dhe muzikë të lehtë.

Në mbrëmje, Orkestra Popullore “la Notte della Taranta” zhvilloi një koncert publik pranë Sallës së Katedrales Ortodokse të Tiranës, duke sjellë pjesë të traditës muzikore salentine si dhe ritmin e lashtë të “pizzica”-s. Fondacioni "La Notte della Taranta” dhe Orkestra Popullore janë krijuar pikërisht në kuadër të festivalit me të njëjtin emër të Salentos, më i madhi në Itali dhe ndër ngjarjet më të rëndësishme të kulturës popullore në Europë, që i kushtohet posaçërisht zbulimit dhe vlerësimit të muzikës tradicionale salentine dhe shkrirjes së saj me shprehje të tjera muzikore, nga rroku deri tek xhazi dhe muzika sinfonike. Në Tiranë Orkestra bashkëpunoi me këngëtaren e njohur, Eneda Tarifa, duke interpretuar kështu pjesë muzikore si nga Italia ashtu dhe nga Shqipëria, dhe duke inkurajuar ndërkohë mos braktisjen e të shkuarës dhe të traditës, duke marrë shkas nga një aspekt thelbësor i kulturës, qëndrimi së bashku edhe përmes muzikës.

Në datën 2 qershor, Ambasadori i Talisë, Alberto Cutillo, zhvilloi pranë Pallatit të Brigadave ceremoninë tradicionale me rastin e Festës së Republikës së Italisë, në praninë e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, të Kryetarit të Parlamentit, Gramoz Ruçi, të përfaqësuesve të institucioneve shqiptare, të komunitetit ndërkombëtar, të shoqërisë civile, të shtypit dhe të sipërmarrjes. Si në Vlorë ashtu edhe në Tiranë pritjet u përgatitën nga Shoqata Aninsei dhe nga profesorët dhe studentët e Institutit Profesional DIEFFE të Spinea-s, në kuadër të një nisme të gërshetimit mes aktivitetit studimor dhe atij praktik nën kujdesin Qarkut të Veneto-s, ku dhe u servirën disa gatime karakteristike të zonës.

“Kjo Festë e Republikës vjen pas dy zhvillimeve të rëndësishme evropiane. Zgjedhjet për Parlamentin Evropian, një ushtrim i rëndësishëm i demokracisë, të karakterizuara nga një risi e rëndësishme: pjesëmarrja në votim është rritur ndjeshëm, duke vërtetuar vetëdijen në rritje të qytetarëve - madje edhe të të ashtuquajturve "euroskeptikë" – në lidhje me rëndësinë e Bashkimit në jetën tonë të përditshme. E më pas propozimi i Komisionit Evropian për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, me bindjen se zgjerimi i Bashkimit rrit stabilitetin dhe begatinë e kontinentit tonë”, tha Ambasadori Cutillo, duke theksuar se Italia mbështet me bindje të plotë Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, rrugë që kërkon reforma të thella dhe të vështira, si dhe mbështetjen më të gjerë të mundshme.

“Sonte festojmë Ditën e Republikës në një vend të pazakontë, por që, si shumë ndërtesa në Tiranë dhe Shqipëri, flet pak italisht - ashtu si shumë qytetarë shqiptarë - dhe për këtë arsye ndihemi edhe këtu si në shtëpi. Ndërkohë që ne jemi mbledhur këtu, në qytet po zhvillohet një protestë, që shpresoj shumë se do të jetë paqësore dhe qytetare dhe që uroj të mos bëhet pengesë për kthimin e nevojshëm te dialogu mes palëve. Dëshiroj të citoj këtu një fjali që tha dje Presidenti i Republikës, Sergio Mattarella: "Vetëm rruga e bashkëpunimit dhe e dialogut na lejon të tejkalojmë konfliktet dhe të promovojmë interesin e përbashkët". Fjalë që i drejtohen Italisë dhe Evropës, por që unë besoj se vlejnë edhe për Shqipërinë,” përfundoi Ambasadori.

Gjatë ditës së hënë, Ambasadori Cutillo do të jetë në Shkodër ku, përveç pritjes së përvitshme për Festën e Republikës, do të mbajë një takim pranë Qendrës kulturore Arka mbi temën e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, organizuar nga Akademia e Lidershpit Rinor në kuadër të Projektit YOU(TH) LED – Zhvillimi i Udhëheqjes dhe Angazhimit Rinor, ndërsa në mbrëmje do të marrë pjesë në shfaqjen "Kumarxhiu" të Carlo Goldoni-t, realizuar falë bashkëpunimit mes Teatrit Migjeni dhe Kompanisë Patankin.

 

 


894