Questo sito usa cookie per fornirti un'esperienza migliore. Proseguendo la navigazione accetti l'utilizzo dei cookie da parte nostra OK

Karaburun-Sazan me një varkë të re për ruajtjen dhe menaxhimin më të mirë të Parkut të parë dhe të vetëm Detar në Shqipëri

Data:

29/05/2020


Karaburun-Sazan me një varkë të re për ruajtjen dhe menaxhimin më të mirë të Parkut të parë dhe të vetëm Detar në Shqipëri

Vlorë, 29 maj 2020 - Mjeti i ri lundrues në shërbim të ruajtjes dhe mbrojtjes më të mirë të Parkut Detar Karaburun-Sazan, doli sot në det. Mundësuar nga UNDP në kuadër të Projektit “Përmirësimi i Mbulimit dhe Menaxhimit Efektiv të Zonave të Mbrojtura Detare dhe Bregdetare në Shqipëri, faza 2,” i cili financohet nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe zbatohet në partneritet me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, ky mjet lundrues do lehtësojë patrullimin e Parkut Detar për zbulimin e aktiviteteve të mundshme të paligjshme, do të ndihmojë në kryerjen e aktiviteteve shkencore dhe kërkimore për të mbrojtur florën dhe faunën dhe do të përmirësojë shërbimet publike për vizitorët e Parkut. Gjithashtu do të ndihmojë në rritjen e kapacitetit operacional të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, nga përfitojnë si komunitetet vendore dhe turistët e shumtë të cilët vizitojnë Karaburun- Sazanin çdo vit.

Mjeti lundrues do të ndihmojë dhe për monitorimin e ujit dhe mbrojtjen e biodiversitetit. Me një kapacitet shpejtësie prej 53 milje në orë dhe mundësi për të mbajtur dy barela, ai mund te ndihmojë dhe në ofrimin e shpejtë dhe të efektshëm te ndihmës së parë mjekësore.

Ambasadori i Italisë në Shqipëri i pranishëm ne aktivitet, Fabrizio Bucci, nënvizoi: "Me 28 Prill, Parku Detar Karaburun Sazan - zona e parë dhe e vetme e Mbrojtur Detare në Shqipëri – mbushi 10 vjec. Italia ka mbështetur vazhdimisht forcimin e mbrojtjes së trashëgimisë mjedisore në Shqipëri dhe angazhimin e institucioneve vendore për të respektuar ligjshmërinë dhe për shërbime më të mira publike. E ka bërë këtë në të kaluarën. Do vazhdojë ta bëjë edhe në të ardhmen.”

Përfaqësuesi i Bashkëpunimit Italian në Ballkanin Perëndimor, Nino Merola, theksoi: "Italia mbështet fuqizimin e Ekonomisë Blu në Shqipëri. E bën këtë në 360 gradë dhe me një vizion të plotë dhe koherent, i cili është i orientuar drejt nevojave të komuniteteve vendore. Miqësia që lidh vendet tona konkretizohet dhe konfirmohet çdo ditë përmes përparimit efektiv.”

Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP në Shqipëri, Limya Eltayeb, tha: "UNDP është e lumtur që bashkëpunon me qeverinë italiane dhe që mbështet Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura për të dhënë shembullin më të mirë të menaxhimit të parkut të vetëm detar në Shqipëri duke investuar në burime njerëzore, infrastrukturë dhe metoda konservimi. COVID-19 na ka treguar se shpërdorimi i natyrës është një nga rreziqet kryesore globale dhe shkak rrënjësor i shfaqjes së sëmundjeve infektive, siç është Coronavirus-i. Tani ekzistojnë arsye edhe më të ngutshme për të investuar në komunitetet që mbrojnë natyrën përmes eko-turizmit dhe konservimit. Paketat e rimëkëmbjes ndaj COVID-19 duhet ta përfshijnë këtë investim dhe të ndërtojnë partneritete të forta.”

Me mbështetjen e Fondit Global të Mjedisit (GEF) që nga viti 2010 dhe me mbështetjen e Qeverisë Italiane përmes Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS) që nga 2017, UNDP ka bashkëpunuar me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe autoritetet vendore për të shpallur dhe për të menaxhuar në mënyrë efektive Parkun Detar.

Plani i Menaxhimit të Parkut është mjeti kryesor për ruajtjen e biodiversitetit, për rritjen e ndërgjegjësimit dhe përmirësimin e arsimit, për trashëgiminë kulturore dhe mirëmbajtjen e peizazhit, për mbështetje ndaj komuniteteve vendore dhe për përdorim të qëndrueshëm të burimeve natyrore. Investimi i sotëm përputhet me Objektivat e Planit të Menaxhimit dhe siguron zbatimin e juridiksionit vendor të administratës së Parkut, si dhe lehtëson zbatimin e ligjit. Këtu përfshihet mbikëqyrja e kryer nga rojet, e cila është mjet kyç për ruajtjen dhe monitorimin e Parkut Detar dhe thelbësore për zbatimin efektiv të Planit të Menaxhimit. Ky investim do të kontribuojë gjithashtu në administrimin e suksesshëm të Parkut Detar Karaburun-Sazan, i cili rrit efektivitetin e zbatimit të ligjit dhe mundëson mbikëqyrje më të mirë të këtij ekosistemi.


1015