Questo sito utilizza cookie tecnici, analytics e di terze parti.
Proseguendo nella navigazione accetti l'utilizzo dei cookie.

Preferenze cookies

Njoftim për shtyp – Ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore më Shqipëri

NJOFTIM PËR SHTYP

“Ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore më Shqipëri: modeli italian i qëndrueshmërisë”

Në kuadër të edicionit të katërt të Festivalit për Zhvillimin e Qëndrueshëm, organizuar nga Ambasada e Italisë dhe, në vijim të takimit të zhvilluar midis Ministrit italian të Kulturës, Dario Franceschini, dhe Ministres shqiptare të Kulturës, Elva Margariti, gjatë Restoration Week 2020, që u mbajt në Romë nga data 20 deri më 25 shtator, falë bashkëpunimit strategjik të ICE me Assorestauro, Ambasada e Italisë në Tiranë organizoi ditën e sotme, e premte, datë 9 tetor, veprimtarinë me titull “Ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore në Shqipëri: modeli italian i qëndrueshmërisë”.

Në çeljen e veprimtarisë, krahas Ambasadorit të Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci, edhe Ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe Presidenti i Assorestauro, Alessandro Bozzetti.

Arkeologjia është një ndër elementët përbërës kryesorë të peizazhit kulturor në Shqipëri dhe ruajtja e saj, së bashku me integrimin e vetëdijshëm dhe koherent në kuadër të politikave të zhvillimit territorial, përbëjnë në vetvete çështjet qendrore të politikave mbështetëse për një rritje ekonomike e sociale të ekuilibruar.

Modeli që misionet italo-shqiptare janë duke eksperimentuar, si përsa u përket metodave të ruajtjes së trashëgimisë arkeologjike ashtu dhe përsa i përket integrimit të saj në kuadër të politikave të zhvillimit të qëndrueshëm mund të shndërrohet në një formë tejet inovative. Për këtë qëllim, përfaqësuesit italianë të misioneve arkeologjike, në bashkëpunim me kolegët shqiptarë si edhe me Institutin e Arkeologjisë, kanë ngritur kursin e formimit në distancë “ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore”, për studentët, profesionistët e sektorit, funksionarët e administratës publike shqiptare, si në nivel qendror ashtu edhe vendor, për t’u bërë pjesë e Qendrës së formimit të Ministrisë shqiptare të Kulturës, e financuar nga MPJBN.

Ambasadori Bucci, në fjalën e tij përshëndetëse në veprimtarinë përmbyllëse të edicionit të katërt të Festivalit për Zhvillimin e Qëndrueshëm në Shqipëri, u shpreh se: “vërehet një tjetër ndjeshmëri ndaj trashëgimisë arkeologjike dhe artistike. Nëpërmjet kësaj jave jemi përpjekur të ndezim një far të vogël, edhe, e kryesisht, ndaj çështjeve të trashëgimisë arkeologjike e kulturore si dhe ndaj domosdoshmërisë për ta ruajtur atë, por për ta ruajtur në mënyrë dinamike, për ta ruajtur e zhvilluar gjithnjë e më shumë në kuadër të një konteksti qëndrueshmërie. Kultura gjeneron pasuri. Kultura është një prej atyre situatave nga e cila mund të përftojmë elementë pozitivë, elementë zhvillimi, duke lidhur restaurimin dhe ruajtjen me sipërmarrje të suksesshme”.

Ministraja e Kulturës, Elva Margariti, teksa shprehu kënaqësinë e saj për përballjen me sukses të disa sfidave pavarësisht periudhës së vështirë të shkaktuar jo vetëm nga tërmeti i vitit të kaluar por edhe nga pandemia e Covid-19, theksoi se: “takimi i sotëm përkon me një periudhë të rëndësishme, me hedhjen e hapave të mëtejshëm drejt një të ardhmeje të qëndrueshme. Para së gjithash Shqipëria ka nevojë për një kuadër ligjor të shëndetshëm, të konsoliduar e më të plotë për zhvillimin dhe bashkëpunimet e mëtejshme si dhe për t’u dhënë mundësi profesionistëve që jo vetëm të vënë në jetë aftësitë, përvojat dhe dijet e tyre por edhe për t’i perfeksionuar ato më tej.”.

Presidenti i Assorestauro, Alessandro Bozzetti, në fjalën e tij, pasi parashtroi veprimtarinë e Shoqatës, vuri theksin në rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë gjatë veprimtarive për ristrukturimin dhe restaurimin si dhe formimin e brezave të rinj, ndërsa u shpreh se: “jam shumë i lumtur që marr pjesë në këtë veprimtari pikërisht menjëherë pas përfundimit të Restoration Week, për të konsoliduar, madje për t’iu bashkuar kësaj marrëdhënieje të konsoliduar shkëmbimi kulturor me qasjen që dallon Assorestauro-n: të mos parashtrojmë idetë tona por të ulemi, të diskutojmë për çështje me karakter kulturor, artistik, historik, të fushës së inxhinierisë, e më pas të realizojmë restaurimin më të mirë të mundshëm”.

Ndër pedagogët e kursit të fomimit në distancë, morën fjalën në takimin e sotëm, prof. Giuseppe Lepore dhe Enrico Giorgi të Universitetit të Bologna-s, Profesoreshë Sonia Antonelli e Universitetit të Chieti-Pescara-s dhe Profesor Roberto Perna i Universitetit të Macerata-s. Në formimin online do të përfshihet edhe Qendra Kombëtare e Kërkimit (CNR) dhe Instituti i Shkencave të Trashëgimisë Kulturore.