Questo sito usa cookie per fornirti un'esperienza migliore. Proseguendo la navigazione accetti l'utilizzo dei cookie da parte nostra OK

Njoftim për shtyp Java V e Kuzhinës Italiane në Shqipëri

Data:

16/11/2020


Njoftim për shtyp Java V e Kuzhinës Italiane në Shqipëri

Njoftim për shtyp

Java V e Kuzhinës Italiane në Shqipëri

 

“Dije dhe Shije të Tokave Italiane, në 200 vjetorin e lindjes së Pellegrino Artusi-t”

Është kjo tema e edicionit të pestë të Javës së Kuzhinës italiane në Shqipëri, që do të zhvillohet nga data 16 deri më 25 Nëntor, dedikuar figurës së gastronomit të njohur, autori i “La scienza in cucina e l'arte di mangiar bene” (“Shkenca në kuzhinë dhe arti i të ushqyerit mirë”), vepra e parë mbi gastronominë në Italinë e bashkuar.

Konfirmohet, edhe në këtë edicion të pestë të programit, synimi për të promovuar, në përputhje me trashëgiminë e lënë nga Expo Milano 2015, shenjat dalluese të “Markës Italia” në vazhdën e tematikave të mëdha dhe të vlerave që përmban sistemi agro-ushqimor italian: cilësia, qëndrueshmëria, kultura, siguria ushqimore, e drejta për t’u ushqyer, edukimi, identiteti, territori, biodiversiteti, dieta mesdhetare, gjithëpërfshirja, nxjerrja në pah e produkteve.

Veprimtaritë e shumta, veçanërisht në format digjital, të programuara nga Ambasada italiane në Tiranë, Konsullata e Përgjithshme në Vlorë dhe Zyra ICE (ITA) në bashkëpunim me Institucione qendrore, ente territoriale, subjekte publikë e privatë, linja prodhimi dhe botën akademike e shkencore, do të kenë si fokus trinomin “qëndrueshmëri” - “cilësi” – “shëndet”, në linjë me veprimet e ruajtjes së traditës së kuzhinës italiane dhe promovimit të një mënyre të shëndetshme jetesë nëpërmjet Dietës Mesdhetare.

“Edhe pse në pamundësi për t’i zhvilluar aktivitetet në prezencë për shkak të kufizimeve të diktuara nga pandemia, do të realizojmë një program të ngjeshur kursesh online, MasterClass dhe Webinar që do të transmetohen në rrjetet sociale të Ambasadës dhe të enteve të tjera që përbëjnë Sistemin Italia në Shqipëri. Kemi vendosur, gjithashtu, të përfshijmë nxënësit e seksioneve dygjuhëshe, të shkollave pjesëmarrëse në Programin Illiria dhe të atyre të shkollës italiane në Tiranë në veprimtari të shumta në emër të edukimit të të ushqyerit, nga zgjedhja dhe përdorimi i produkteve bazë, tek sekretet e kuzhinës tipike italiane. Mbështetja jonë për formimin profesional, përhapjen e gjuhës italiane dhe promovimin e përsosmërive të Made in Italy vijon në mënyrë të pandalur e do të vijojë edhe në muajt e ardhshëm me aktivitete të tjera, të përqendruara në tematika aktuale me shumë interes, si siguria ushqimore, qëndrueshmëria mjedisore dhe energjetike, zhvillimi rural dhe ekonomia qarkulluese. Një ndër mësimet e kësaj pandemie të rëndë me të cilën po përballemi është, në fund të fundit, ai i të promovuarit të një mënyre jetese të shëndetshme dhe të një rritjeje të qëndrueshme, duke nisur nga ruajtja e zakoneve të rregullta të të ushqyerit, të mjedisit dhe të territoreve në të cilat jetojmë” deklaroi Ambasadori Bucci.

“Do të doja, pra, të falenderoja të gjitha Institucionet shqiptare që kanë mbështetur edicionin e këtij viti të Javës së Kuzhinës Italiane dhe të gjithë partnerët që kanë bashkëpunuar me Ambasadën, Konsullatën e Përgjithshme në Vlorë dhe zyrën ICE për realizimin më të mirë të mundshëm të edicionit të këtij viti: Shoqatën Italiane Sommelier dhe Klubin AIS të Tiranës, Conad-in, Institutin kulinar Neranxi, Cast Magazinën Ushqimore, Jobline, Shkollën italiane në Tiranë, gjimnazet Ismail Qemali, Qemal Stafa, Petro Nini Luarasi dhe Asim Vokshi të Tiranës dhe gjimnazet Teli Ndini, Halim Xhelo, Rilindja të Vlorës” përmbylli fjalën e tij Ambasadori.

Klikoni këtu për të shkarkuar programin

 


1097