Questo sito usa cookie per fornirti un'esperienza migliore. Proseguendo la navigazione accetti l'utilizzo dei cookie da parte nostra OK

Njoftim Shtypi - Luftës ndaj kultivimit të kanabisit në Shqipëri

Data:

14/12/2020


Njoftim Shtypi - Luftës ndaj kultivimit të kanabisit në Shqipëri

NJOFTIM SHTYPI

U mbajt sot, më datë 14 dhjetor 2020, në orën 10.00, konferenca e përbashkët online mbi rezultatet e luftës ndaj kultivimit të kanabisit në Shqipëri.

E organizuar nga Policia shqiptare e Shtetit, konferenca u lejoi Autoriteteve italiane të ilustrojnë rezultatet e arritura në Fushatën e Mbikqyrjes nga ajri 2020, e drejtuar nga Departamenti për Sigurinë Publike i Ministrisë së Brendshme, në bashkëpunim me Guardia di Finanza-n.

Pas fjalës së mbajtur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit shqiptar, Ardi Veliu, mbajtën fjalën, nga Italia, Drejtori i Shërbimit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Policisë pranë Ministrisë së Brendshme, Gjeneral Brigade Giuseppe Spina, dhe Gjenerale Brigade i Guardia di Finanza-s, Giuseppe Arbore. Të pranishëm në Konferencë, në Tiranë, Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci, Eksperti për Sigurinë – DCPC-SCIP, Salvatore Gava, dhe Komandanti i Njësisë së Kufirit Detar të Guardia di Finanza-s të Durrësit, Stefano Leccia.

Gjenerali Spina, gjatë fjalës së tij, falenderoi Autoritetet shqiptare të policisë që dëshiruan shumë të paraqiteshin, bashkërisht, rezultatet e punës së kryer gjatë vitit 2020. Ai theksoi, gjithashtu, se si, pavarësisht kufizimeve të diktuara nga emergjenca shëndetësore (Covid-19), pala italiane ka siguruar mbështetjen e nevojshme për policinë shqiptare në realizimin e kësaj fushate “si shenjë e prekshme e vazhdimësisë së kryerjes së veprimeve të përbashkëta me qëllim dekurajimin e veprimtarive kriminale” në fushën e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit. Ai nënvizoi, gjithashtu, se numri prej 58.423 bimësh të identifikuara, të çrrënjosura e të shkatërruara, si pasojë e sinjalizimeve të bëra nga pala italiane, duhet parë si po aq domethënës i një aftësie gjithmonë e më të madhe për të ndërhyrë, aftvsi kjo e vënë në jetë nga Policia shqiptare kundër këtij fenomeni.

Gjenerali Giuseppe Arbore, në vijim, ilustroi rezultatet e arritura nga Guardia di Finanza gjatë vitit: “gjatë viteve është rritur në mënyrë progresive sipërfaqja e kontrolluar dhe e skansionuar aq sa, në vitin 2020, plot 33,2% e sipërfaqes territoriale shqiptare që përbën interes, ka qenë objekt monitorimi, me një rritje të mëtejshme të territorit të eksploruar, krahasuar me vitet e mëparshëm”. Fushata e fundit e mbikqyrjes nga ajri, e nisur më datë 1 qershor e e përmbyllur më datë 31 tetor “edhe pse me një reduktim prej rreth 18% të misioneve të fluturimit krahasuar me vitin e mëparshëm, ka lejuar identifikimin e 1.964 sipërfaqeve të mbjella, për një total prej 58.423 bimëve të asgjësuara”. Gjenerali Arbore, duke iu referuar të dhënave të paraqitura, theksoi, gjithashtu, se si veprimi i fuqishëm i kryer ka “goditur rëndë organizatat kriminale që menaxhojnë prodhimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, duke i detyruar ato të rishikojnë e ndryshojnë mënyrën e të vepruarit”.

Në përfundim, Ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci, nënvizoi faktin se si sektori i bashkëpunimit policor dhe lufta ndaj trafikimit të lëndëve narkotike është një prej të shumtëve sektorë të bashkëpunimit midis Italisë dhe Shqipërisë, i nevojshëm për të favorizuar hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe një model bashkëpunimi i përforcuar që mund të jetë shembull për partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ambasadori, pasi vuri në dukje marrëdhëniet e ngushta dypalëshe në sektorin e policisë, me plot 19 instrumenta aktivë bashkëpunimi, deklaroi: “krimi i organizuar nuk ka kufij në vetvete, pra, edhe bashkëpunimi ynë duhet të jetë sa më i gjerë e të përfshijë numrin më të madh të aktorëve të mundshëm”.

“Lufta ndaj krimit duhet të mbetet një përparësi. Mbetet një përparësi sigurisht për ne si Itali, në marrëdhënien e bashkëpunimit dypalësh me Shqipërinë, por duhet të mbetet një objektiv parësor edhe për Shqipërinë, për qeverinë shqiptare dhe për të gjitha palët politike. Sfidat dhe objektivat që kanë të bëjnë me Shqipërinë janë të mëdha dhe duhen ndjekur me sukses në interes të të gjithëve. Lufta ndaj krimit të organizuar duhet të bëjë bashkë të gjitha forcat politike dhe të gjithë përgjegjësit e institucioneve shqiptare sepse është një përparësi kombëtare”, e mbylli fjalën e tij Ambasadori.


1112