Questo sito utilizza cookie tecnici, analytics e di terze parti.
Proseguendo nella navigazione accetti l'utilizzo dei cookie.

Preferenze cookies

Njoftim për shtyp – Dita Botërore e Ndërgjegjësimit mbi Autizmin

NJOFTIM PËR SHTYP

2 Prill – Dita Botërore e Ndërgjegjësimit mbi Autizmin – Projekti Filippide: një mundësi sportive për personat me autizëm.

Me rastin e Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit mbi Autizmin, Ambasada e Italisë ka marrë pjesë në Konferencën online me titull: Projekti Filippide: një mundësi sportive për personat me autizëm.

Neni 30 i Konventës mbi të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar njeh të drejtën e këtyre për të marrë pjesë, në kushtet e barazisë me të tjerët, në jetën kulturore, atë argëtuese, të kohës së lirë dhe sportit, duke pranuar se pjesëmarrja e tyre në sport dhe në veprimtaritë kulturore kontribuon në përmbushjen e plotë të të drejtave të tyre njerëzore si edhe në respektimin e dinjitetit të tyre, në përputhje me përqasjen ndaj aftësisë së kufizuar bazuar në të drejtat njerëzore të përvijuara nga kjo Konventë.

Në seksionin e saj të 73-të, Asambleja e Përgjithshme ka miratuar rezolutën me titull “Sporti si faktor zhvillimi i qëndrueshëm” dhe ka ftuar, ndër të tjera, organet kompetente të sistemit të Kombeve të Bashkuara të përforcojnë e rregullojnë bashkëpunimin midis agjencive, në linjë me plan veprimin e përditësuar të Kombeve të Bashkuara mbi sportin.

Në vijim të rezolutës, Sekretari i Përgjithshëm ka përgatitur një raport, në seksionin e 75-të të Asamblesë së Përgjithshme, mbi vënien në jetë të rezolutës, përfshirë një rishikim të përqendruar të kontributit të sportit në vënien në jetë të Agjendës 2030 dhe të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, duke u kushtuar vëmendje temave vjetore të Forumit Politik të Nivelit të Lartë mbi zhvillimin e qëndrueshëm.

Në vijim lindi nevoja për të konkretizuar akoma më shumë pjesëmarrjen në veprimtari sportive të personave me aftësi të kufizuar, në mënyrë të veçantë, të personave me aftësi mendore të kufizuara dhe, kryesisht, të personave me autizëm nëpërmjet eksperiencës konkrete në fushën e strategjisë dhe politikës së qeverisë me qëllim promovimin e pjesëmarrjes së personave me aftësi të kufizuara.

Personalitetet pjesëmarrëse në konferencë patën mundësinë të ndajnë me njëri-tjetrin mënyrat e ndërgjegjësimit të palëve për të nisur me sukses këtë rrugëtim.

Ambasadori Fabrizio Bucci deklaroi, ndër të tjera: “Italia ka bërë hapa të pabesueshëm përpara përsa i përket ndihmës që u jepet personave me autizëm apo me aftësi të tjera të kufizuara. Kjo konferencë provon aftësinë për të ruajtur, si institucione e si njerëz, këto përparësi që janë shëndeti i njerëzve dhe integrimi i brezave më të rinj. Si Ambasador i Italisë në Tiranë jam angazhuar, në këtë një vit e gjysmë, mbi të gjitha për këtë. Me Presidentin Pintus po punojmë për nënshkrimin e një Protokolli Mirëkuptimi me Ministrinë e Shëndetësisë e të Mbrojtjes Sociale shqiptare dhe do të japim mbështetjen tonë të plotë në mënyrë që të rinjtë shqiptarë të mund të marrin pjesë në RUN FOR AUTISM-in e ardhshëm dhe – pse jo – të realizojmë etapën e ardhshme të kësaj veprimtarie pikërisht këtu në Tiranë. Si ambasadë kemi realizuar tashmë kurse mbi problemet specifike të të mësuarit dhe do të kishim interes të realizonim një cikël formimi mbi autizmin. Impenjimi i sektorit konsullor është përqendruar në asistencën shëndetësore për fëmijët me patologji të veçanta të vështira për t’u kuruar në Shqipëri. Prej vitesh përdorim fondet e konvertimit të borxhit shqiptar në territor me projekte IADSA, kryesisht në sektorin shëndetësor e atë social. Ka ende shumë për të bërë por të ecim së bashku, në një rrugëtim bashkëpunimi, asistence e mbështetjeje reciproke, është sigurisht një mjet i rëndësishëm i cili do të shtojë angazhimin tonë e do të na lejojë të rrisim rezultatet në interes të përfshirjes së personave me autizëm dhe atyre me aftësi të tjera të kufizuara dhe, në përgjithësi, të shoqërisë në tërësi”.