NJOFTIM PËR SHTYP
Ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci, zhvilloi sot një takim në qytetin e Elbasanit.
Gjatë vizitës Ambasadori Bucci pati takime institucionale me Kryetarin e Bashkisë, Gledian Llatja, me Zëvendës Prefektin e Librazhdit, Enver Shkurti, si dhe me koordinatorët politikë, njëkohësisht dhe Sekretarët e Përgjithshëm të dy forcave politike më të rëndësishme në Vend, Gazmend Bardhi dhe Taulant Balla.
Në fokus të takimeve zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Në të gjitha takimet u vu theksi në rëndësinë e këtyre zgjedhjeve si dhe në kontekstin në të cilin ato do të mbahen, në prag të çeljes së negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ambasadori Bucci, pas takimit me Zëvendës Prefektin Shkurti, në një deklaratë të shkurtër për shtyp, theksoi se “për demokracinë zgjedhjet janë një moment i shenjtë, është momenti në të cilin populli vendos se cili do që ta udhëheqë”. Duke u ndalur në lidhjet e veçanta që bashkojnë dy Vendet tona, ambasadori theksoi se “ne nuk bëjmë tifo për askënd, ne bëjmë tifo vetëm për popullin shqiptar. Shqipëria do të ketë një qeveri që do të zgjidhet nga shqiptarët për t’i bërë ballë përparësive të Vendit, ndër të cilat, në mënyrë të veçantë, rrugëtimi i përafrimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian”.
Sipas Ambasadorit Bucci, “fushata zgjedhore në Shqipëri është shumë e ngjashme me fushatat zgjedhore italiane, ka shumë pasion. Përballja verbale, kryesisht sa i përket programeve zgjedhore dhe propozimeve të parashtruara në to, është e pranueshme. Kur diskutohet dhe krijohen ndasi rreth ideve, është përherë diçka pozitive. Por ajo çka nuk mund të pranohet është dhuna: përpara, gjatë dhe pas zgjedhjeve, të cilat duhet të jenë të lira dhe pa asnjë kushtëzim. 25 prilli duhet të jetë një ditë feste pasi është momenti në të cilin populli do të vendosë se cilin dëshiron që ta qeverisë për katër vitet e ardhshme”, deklaroi ambasadori Fabrizio Bucci.