Questo sito usa cookie per fornirti un'esperienza migliore. Proseguendo la navigazione accetti l'utilizzo dei cookie da parte nostra OK

World Earth Day: Vizitë e Zëvendës Ambasadorit të Italisë, Alberto Petrangeli në Zonën e Mbrojtur Vjosë - Nartë

Data:

22/04/2021


World Earth Day: Vizitë e Zëvendës Ambasadorit të Italisë, Alberto Petrangeli në Zonën e Mbrojtur Vjosë - Nartë

Me rastin e Ditës Botërore të Tokës, Zëvendës Ambasadori i Italisë Alberto Petrangeli vizitoi sot Zonën e Mbrojtur Vjosë – Nartë për të ndjekur nga afër disa prej veprimtarive të realizuara në kuadër të Projektit ACAP “Veprim Komunitar për Ruajtjen e Zonave të Mbrojtura të Shqipërisë” i financuar nga Agjencia italiane për Bashkëpunim e Zhvillim dhe i implementuar nga Organizatat italiane të Shoqërisë Civile, COSV dhe CELIM duke nisur prej vitit 2018.

Në prani edhe të Konsulles së Përgjithshme në Vlorë, Iva Palmieri, të Prefektit të Qarkut Vlorë, Flamur Mamaj, të përfaqësuesve të selisë së AICS në Tiranë dhe të Organizatave të Shoqërisë Civile të pranishme në territor, Zëvendës Ambasadori u ndal gjatë në temat e mbrojtjes dhe ruajtjes së biodiversitetit, shtylla mbajtëse të politikës mjedisore të promovuar nga Italia, jo vetëm në nivel dypalësh, por edhe në Kuadër të G7 e G20, përveçse në kuadër të përgatitjes së COP 26 të këtij viti në Glasgow, në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar. Gjatë një shëtitje në natyrë përgjatë shtigjeve të mrekullueshëm të parkut dhe një prezantimi, në vijim, të katër bunkerëve të lyer nga artistë italianë e shqiptarë, nxënës të shumë shkollave në Vlorë u përfshinë në një debat gjatë të cilit ndanë me njëri-tjetrin eksperiencat e tyre mbi temën e ndryshimeve klimaterike dhe atë të respektimit të mjedisit dhe planetit tonë.

Zonat e mbrojtura janë një element thelbësor për ruajtjen e trashëgimisë mjedisore, menaxhimi i duhur dhe mbrojtja e së cilës kërkojnë një integrim konstant dhe harmonik midis aktorëve publikë e privatë të pranishëm në kontekstin lokal. Shtrirja dhe ruajtja e këtyre zonave të mbrojtura luajnë një rol thelbësor në ruajtjen e biodiversitetit dhe të pasurisë së madhe mjedisore e natyrore shqiptare. Në këtë kuptim, objektivi kryesor i projektit ACAP është arritja e një sinergjie të plotë midis ruajtjes së pasurive natyrore, promovimit të formave të drejtimit të përbashkët të zonave të mbrojtura dhe zhvillimit social ekonomik të qëndrueshëm. Italia, si në nivel dypalësh, ashtu edhe në kuadër të Bashkimit Evropian drejt të cilit Vendi Juaj po shkon, është fort e impenjuar të mbështesë Shqipërinë në këto sfida të vështira e thelbësore për të ardhmen e të gjithëve ne” deklaroi Zëvendës Ambasadori.

 

 


1161