Questo sito usa cookie per fornirti un'esperienza migliore. Proseguendo la navigazione accetti l'utilizzo dei cookie da parte nostra OK

Italia me rastin e Javëve të Evropës 2021

Data:

14/05/2021


Italia me rastin e Javëve të Evropës 2021

Delegacioni i BE-së në Tiranë kremton Javët e Evropës 2021 përmes një sërë aktivitetesh të veçanta në të gjithë Shqipërinë. Nga data 9 deri më 29 maj nisi një udhëtim që do të zgjasë 21 ditë, nga Veriu në Jug të Shqipërisë, gjatë të cilit do të realizohen takime me qytetarë, aktivitete, koncerte dhe diskutime mbi BE-në dhe Shqipërinë.

Ambasada është pjesë aktive e këtyre kremtimeve me një kalendar veprimtarish posaçërisht të përgatitura së bashku me Delegacionin evropian.

Ndër nismat italiane, Zëvendës Ambasadori i Italisë në Tiranë, Alberto Petrangeli ishte më 11 maj në Rrëshen, Mirditë, në një nga ndalesat e udhëtimit evropian. Gjatë vizitës së tij në këtë qytet dhe takimeve me autoritete vendore dhe qytetarë, Zëvendës Ambasadori Petrangeli pati mundësinë të ritheksojë lidhjen e fortë historike dhe njerëzore të Mirditës me Italinë, një lidhje e fuqizuar nga shekuj marrëdhëniesh dhe një komunitet aktiv që jeton në Itali, si dhe të njohë prodhimet tipike të Shqipërisë, të nxjerra në pah e të mbështetura nga Italia, falë një projekti të mrekullueshëm të AICS Tirana në mbështetje të komuniteteve shqiptare, e veçanërisht të sipërmarrjeve të vogla: marka etike Made With Italy.

Marka, e krijuar në vitin 2018, bën sot bashkë në një rrjet të gjerë prodhimi rreth 80 shoqata, institucione vendore dhe sipërmarrje. Synon të jetë një mbështetje e vazhdueshme territoriale për komunitetet vendore. Vlerëson rastet më të mira të suksesit të projekteve të bashkëpunimit të financuara nga Italia në disa fusha thelbësore për zhvillimin e Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian, nga mjedisi tek turizmi i përgjegjshëm, nga sektori agro-ushqimor tek arsimi.

Ndalesa në Rrëshen vijoi me një vizitë në Pallatin e Kulturës i cili po restaurohet pas tërmetit falë fondeve italo-shqiptare të konvertimit të borxhit. Pallati mban të vetmen sallë teatrore për gjithë bashkinë e Mirditës dhe shumë shpejt do të jetë funksional.

Ndërsa sot Zëvendës Ambasadori shkoi në Mamurras, Kurbin ku vizitoi shkollën Migjeni, e rihapur dhe e ristrukturuar pas tërmetit falë programit të konvertimit të borxhit IADSA. Pasdite një koncert me muzikë baroke, i frymëzuar nga kompozitorët më të njohur evropianë të epokës, do të mbahet në Muzeun Kombëtar në Krujë. Nesër, 15 maj, i njëjti koncert do të jetë i hapur për publikun në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.

Italia do të jetë pranë delegacionit të BE-së në Tiranë me një program edhe në Jug të Shqipërisë.

Më datë 24 Maj Ambasadori Fabrizio Bucci do të jetë në Korçë ku, së bashku me Save The Children dhe Autoritete lokale, do të zhvillojë një vizitë institucionale në kopshtin e ndërtuar e të hapur falë fondeve të Kooperacionit Italian. Dita do të vijojë me një takim me studentë, pedagogë e autoritete lokale pranë Universitetit të Korçës dhe, në fund, me vlerësimin e kopshtit dhe Universitetit të Korçës me markën Made With Italy.

Më datë 25 Maj Ambasadori do të jetë në Përmet ku, së bashku me Cesvi-n dhe Bashkinë, do të vizitojë Inkubatorin e Produkteve Tipike, Kinemanë e Re, ndërtimi i së cilës bëhet i mundur falë fondeve IADSA, dhe Baxhon Meshini. Janë parashikuar gjithashtu zhvillimi i veprimtarive outdoor me Vjosa Explorer (rafting, hiking, biking) dhe një vizitë në Manastirin në Leusë.

Më datë 26 Maj, Ambasadori do të vizitojë qytetin e Gjirokastrës ku, në bashkëpunim me Bashkinë, do të zhvillojë një vizitë institucionale në zonën arkeologjike të Antigonesë ku do të vihet në jetë një nismë e financuar nga Aics e, më pas, do të ndjekë një vizitë në ndërtesat historike italiane.


1170