Questo sito usa cookie per fornirti un'esperienza migliore. Proseguendo la navigazione accetti l'utilizzo dei cookie da parte nostra OK

Komunikatë për shtyp - Mision institucional trashëgimisë kulturore

Data:

24/05/2021


Komunikatë për shtyp - Mision institucional trashëgimisë kulturore

 

NJOFTIM PËR SHTYP

MISION INSTITUCIONAL PËR FORCIMIN E MARRËDHËNIEVE DYPALËSHE MES ITALISË DHE SHQIPËRISË PËR MBROJTJEN E TRASHËGIMISË KULTURORE

Ambasada e Italisë në Tiranë, në bashkëpunim me ICE Agenzia, Assorestauro dhe me Salone internazionale del Restauro, në bashkërendim me Ministrinë shqiptare të Kulturës në datën 24 maj 2021 organizoi konferencën për shtyp për fuqizimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Italisë dhe Shqipërisë në veprimtaritë për mbrojtjen, ruajtjen dhe nxjerrjen në pah të trashëgimisë kulturore.

Në këtë veprimtari morën pjesë Ambasadori Fabrizio Bucci, Ministrja shqiptare e Kulturës, Elva Margariti, Presidenti i Ferrara Fiere, Andrea Moretti, Drejtori i Assorestauro, Andrea Griletto, Drejtoresha e Zyrës së Ice Tirana, Elisa Scelsa, ndërsa morën fjalën në lidhje virtuale Kryetari i Qarkut të Puglia-s, Michele Emiliano si dhe Presidenti i Fiera del Levante, Alessandro Ambrosi.

Të gjithë pjesëmarrësit vunë theksin në marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkëpunimit mes të dy Vendeve edhe në fushën e restaurimit dhe të ruajtjes së trashëgimisë kulturore. Pikërish, duke marrë shkas nga kjo lidhje e veçantë, Shqipëria është ftuar të marrë pjesë si Partner Country, në Salone Internazionale del Restauro që këtë vit do të zhvillohet pranë Fiera del Levante në Bari nga data 1 deri më 3 shtator si dhe në Restoration Week, veprimtari shëtitëse që do të zhvillohen në Napoli, Matera, Pompei dhe Bari, nga data 30 gusht deri më datë 4 shtator.

Pjesëmarrja e Shqipërisë do të jetë pra një mundësi për të fuqizuar më tej bashkëpunimin italo – shqiptar në fushën e restaurimit dhe të ruajtjes së trashëgimisë së ndërtuar si dhe për të nënshkruar marrëveshje institucionale dhe tregtare në përputhje me çështjet të cilat janë në qendër të vëmendjes së restaurimit gjatë tranzicionit ekologjik dhe të kantiereve të mëdha të restaurimit.

Prej vitesh Salone del Restauro është vendi dhe pika e referimit për krijimin e sinergjive dhe mundësive ndërmjet institucioneve, muzeve, enteve publike dhe sipërmarrjeve për kërkesën gjithmonë e më shumë specifike lidhur me njohjen dhe hulumtimin e restaurimit italian nga ana e Vendeve të tjera. Ishin 33 ndërmarrje italiane pjesëmarrëse në edicionin e vitit të kaluar 2020 me 166 buyer nga 30 Vende të tjera të botës dhe me një mesatare prej 225 lidhjesh streaming me jashtë.

Padyshim që sektori përbën një arritje të shkëlqyer italiane fakt ky i njohur ndërkombëtarisht, si dhe një element kryesor të sistemit krijues italian që në tërësinë e tij çdo vit prodhon 6% të PBB për një shifër totale prej 92 miliard si vlerë e shtuar. Ky rrjet përbëhet nga pothuajse 150 mijë profesionistë të specializuar, nga projektues dhe studio arkitekture, nga 300 prodhues të kualifikuar të materialeve të dedikuara si dhe nga 4.400 sipërmarrje të orientuara kah ripërtëritjes së vazhdueshme të teknologjive të zbatuara falë edhe një krahu pune të kualifikuar si dhe 135.000 punonjësve të tjerë.

Ambasadori Fabrizio Bucci, në fjalën e tij përshëndetëse vuri theksin në faktin se “marrëdhëniet e bashkëpunimit mes Italisë dhe Shqipërisë në sektorin e kulturës janë të veçanta dhe duke marrë shkas nga këto lidhje vëllazërore mes dy Vendeve tona, sektori i kulturës mbetet një fushë e privilegjuar e bashkëpunimit. Italia është shumë e angazhuar në Shqipëri por besoj se duhet dhe mund të bëjmë edhe më shumë. Jemi duke punuar për ripërtëritjen e Protokollit të Bashkëpunimit Kulturor mes Italisë dhe Shqipërisë që do të ofrojë një kuadër ligjor dhe institucional në kuadër të së cilit mund të zhvillohen projekte të shumta ndër të cilat edhe ato që janë në fazën e zbatimit. Shpresojmë që brenda një periudhe të shkurtër kohore të mund të realizojmë vizitën në Shqipëri të Ministrit Franceschini, një moment ky që do të shërbejë për t’i vënë vulën këtij rifillimi dhe për të çuar përpara nismat e shumta që tashmë kemi ndërmarrë”.

Lidhur me nismën e paraqitur gjatë Konferencës për Shtyp, Ambasadori shtoi se “projekti “Restauro Made in Italy” është një projekt i promovuar nga Instituti për Tregtinë me Jashtë në bashkëpunim me Assorestauro dhe me Ferrara Fiera Congressi. Ajo çka bëjmë me Assorestauro si në Shqipëri ashtu edhe në Vende të tjera të botës dëshmon se si dhe sa mund dhe duhet të bashkëpunojnë mes tyre sektori publik dhe ai privat. Kultura është edhe një mjet i shkëlqyer nxitës i zhvillimit ekonomik”.

Gjatë fjalës së saj Ministrja Margariti theksoi se “për ne modeli italian dhe suksesi italian janë burim frymëzimi, në mënyrë të veçantë ekonomia e së bukurës. Jam veçanërisht e lumtur që në bashkëpunim me Assorestauro do të mund të konkretizojmë më tej të tjera nisma. Ndihem gjithashtu e nderuar që kam marrë ftesën të përfaqësoj Shqipërinë në Salone del Restauro në Bari, një realitet ky që ka mbërritur tashmë në edicionin e 27° dhe kam besim se prania jonë në shtator do të jetë një mundësi konkrete bashkëpunimi të rëndësishëm në këtë sektor”.

 


1180