Questo sito utilizza cookie tecnici, analytics e di terze parti.
Proseguendo nella navigazione accetti l'utilizzo dei cookie.

Preferenze cookies

Fjala e Ambasadorit Fabrizio Bucci me rastin e 2 Qershorit

Më datë 2 qershor 1946 lindi Republika e Italisë.

Është një moment i rëndësishëm, është ditëlindja e Italisë moderne. Një Vend i fuqishëm, i bukur, me kulturë mijëvjeçare e me një popull të jashtëzakonshëm që, në momente të vështira, jep më të mirën e tij. Siç kemi bërë në këto muaj pandemie. Kemi qëndruar të papërkulur, jemi bërë më të fortë. Kemi zbuluar edhe një herë sa e rëndësishme është të qëndrojmë të bashkuar.

Ai i datës 2 qershor është një mësim për të mos u harruar, një moment në të cilin italianët morën në dorë fatin e tyre dhe vendosën të sjellin ndryshimin, duke nxjerrë mësim nga përvojat tragjike të diktaturës e të luftës.

Kriza na mësoi se të vetëm nuk mund t’ia dalim. Se kemi nevojë për njëri-tjetrin.

Si italian, do ta kujtoj gjithmonë bujarinë dhe ngrohtësinë e treguar nga Shqipëria në periudhën më të vështirë të pandemisë në Itali.

Kemi kuptuar se është shumë më e lehtë të tejkalohen vështirësitë e të arrihen objektivat e shumtë kur ecim krah njëri-tjetrit.

Mësimi i dytë i rëndësishëm që kemi marrë është nevoja për t’u solidarizuar me mjedisin në të cilin jetojmë.

Ekosistemet janë nën stres nga një zhvillim jo i qëndrueshëm i cili ka bërë të brishtë vetë mbijetesën tonë në këtë planet.

Njerëzit, planeti dhe begatia janë, jo rastësisht, konceptet mbi të cilat bazohet kryesimi Italian i G20, ndërsa beteja kundër ndryshimit të klimës është, natyrisht, në qendër të konferencës së ardhshme të Shteteve anëtare të Konventës kundër ndryshimeve të klimës në Glasgow.

Duhet të bëjmë të mundur që viti 2021 të jetë viti i rilindjes. Shumë gjëra kemi për të bërë së bashku, italianë e shqiptarë, këtu në Shqipëri: të rimëkëmbim ekonominë, të çojmë përpara reformat, të luftojmë krimin dhe korrupsionin. Por edhe të çojmë përpara kulturën, artin e, mbi të gjitha, shkuarjen drejt Evropës. Kemi një rrugëtim të ri e të rëndësishëm për të ndërmarrë së bashku.

Nuk janë vetëm numrat ata që “tregojnë” afërsinë midis dy popujve tanë: rrënjët e miqësisë midis Italisë e Shqipërisë janë vendosur thellë në shumë fusha nga më të gjerat, nga kultura tek historia, nga “gjeografia mesdhetare” e përbashkët tek shenjtëria e vlerës së mikpritjes.

Pikërisht në sajë të kësaj afërsie të madhe, Italia ka mbështetur gjithmonë me bindje prirjen evropiane të Shqipërisë.

Nëse këto janë “themelet historike” të partneritetit strategjik midis Italisë e Shqipërisë, po aq domethënës janë “faktorët ekonomikë” që i shtyjnë sipërmarrësit nga të dyja Vendet të bashkëpunojnë.

Siç e kam theksuar edhe më parë, marrëdhëniet midis dy Vendeve tona janë mjaft të ngushta. Italia është Vendi i parë klient dhe furnizuesi i parë i Shqipërisë në nivel botëror. Janë rekorde të rëndësishme e, megjithatë, nuk na mjaftojnë, sepse potenciali i marrëdhënieve tona të ndërsjellta është shumë më i madh edhe se rezultatet e shkëlqyera që kemi arritur.

Nuk na mjaftojnë sepse Italia mund të bëjë shumë për të ndihmuar Shqipërinë të shfaqë plotësisht potencialin e saj ekonomik, duke e mbështetur atë në rrugëtimin nga një fazë zhvillimi në një nxjerrje efektive dhe totale në pah të burimeve të saj, mbi të gjitha, të kapitalit njerëzor.

Italia dhe Shqipëria ndajnë, pra, një histori të përbashkët e të rëndësishme.

Shkolla shqiptare ka qenë vëllazëria e parë e huaj e hapur në Venezia në vitin 1442 dhe duam ta kujtojmë, këtë vit, në kuadër të kremtimeve me rastin e 1600 vjetorit të themelimit të qytetit lagunor.

Italia dhe Shqipëria ndajnë me njëra-tjetrën edhe një të tashme shumë të pasur, por e ardhmja jonë së bashku është edhe më e rëndësishme.

Në pritje për t’u takuar sërish, përurojmë sot këtë Shesh, “Sheshin Italia”, me një pllakatë e një skulpturë të artistit italo-shqiptar Helidon Xhixha. Është simboli i rilindjes që kemi zgjedhur për ditën e sotme.

Një ftesë për t’iu rikthyer hapësirave publike dhe hapësirave tona, për t’iu rikthyer historisë dhe kulturës sonë të përbashkët.

Sot është Festa e Republikës së Italisë. Përshëndes me përzemërsi ata mijëra bashkëkombës tanë këtu në Shqipëri me urimin që në muajt e ardhshëm të mund të jenë më e lehtë lëvizja jashtë shtetit dhe të mund të kemi një rihapje graduale. Do të vijojmë t’ju asistojme me profesionalizëm dhe me frymë mikpritjeje, duke siguruar një komunikim gjjithmonë e më të vëmendshëm ndaj nevojave tuaja.

Me të njëjtën përzemërsi përshëndes të gjithë motrat e vëllezërit shqiptarë. Shohim me besim drejt së ardhmes e drejt një fillimi të ri.

Një fillimi të ri për të gjithë.