Questo sito usa cookie per fornirti un'esperienza migliore. Proseguendo la navigazione accetti l'utilizzo dei cookie da parte nostra OK

Njoftim për shtyp - Nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit për zhvillimin e një kurrikule edukimi mbi ligjshmërinë në shkollat shqiptare

Data:

15/06/2021


Njoftim për shtyp - Nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit për zhvillimin e një kurrikule edukimi mbi ligjshmërinë në shkollat shqiptare

 

Sot, më datë 15 qershor 2021, në orën 09.30, pranë Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi dhe Ambasadori i Italisë Fabrizio Bucci, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për krijimin dhe vendosjen, në shkollat e mesme shqiptare, të një kurrikule mësimore me qëllim edukimin mbi ligjshmërinë.

Kjo marrëveshje synon të promovojë respektimin e ligjshmërisë dhe parandalimin e korrupsionit nëpërmjet eksperiencës së Avviso Pubblico, një shoqatë në të cilën bëjnë pjesë subjekte publikë italianë e që, prej vitit 1996, punon në kuadër të trajnimit e sensibilizimit mbi temat e korrupsionit, të krimit të organizuar, të ekomafies, të riciklimit, të tenderëve, të pasurive të konfiskuara dhe të sigurisë urbane. Marrëveshja do të bëjë të mundur përpunimin e një kurrikule të posaçme për shkollat shqiptare dhe realizimin e një kursi studimi pilot në disa klasa të përzgjedhura, në kuadër të një përfshirjeje të qëndrueshme të mundshme të kësaj kurrikule në sistemin shkollor shqiptar.

Projekti realizohet në kuadër të bashkëpunimit të shkëlqyer që ekziston midis Italisë dhe Shqipërisë në sektorin e arsimit dhe në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kujtojmë këtu nisjen, më datë 17 maj, të një kursi trajnimi profesional për shtatëmbëdhjetë anëtarët e rrjetit anti-korrupsion të Ministrisë shqiptare të Drejtësisë, kurs ky i organizuar falë bashkëpunimit të Agjencisë për bashkëpunim dhe zhvillim, Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Agjencisë Kombëtare Antikorrupsion dhe nënshkrimin, ditën më pas, të memorandumit Iliria për mbështetjen e ofruar në mësimdhënien e gjuhës italiane në shkollat e përgjithshme dhe ato të mesme profesionale shqiptare.

Me këtë rast, Ambasadori deklaroi: “lufta ndaj korrupsionit mbetet një përparësi për të gjitha vendet demokratike. Korrupsioni, para se të jetë një fenomen gjyqësor, është një fenomen kulturor, krijon një taksë të fshehtë që u ngarkohet shtetasve, sjell një përdorim jo efikas të burimeve publike dhe minon besimin e shtetasve në institucione. Kjo marrëveshje ndjek nisma te tjera që Italia ka ndërmarrë në Shqipëri në sektorin gjyqësor dhe synon të ndërgjegjësojë të rinjtë mbi këto tema nëpërmjet sistemit shkollor, sepse shkollat janë ato që formojnë qytetarët e së ardhmes.”

Ministrja Gjonaj deklaroi se “ka nisur një bashkëpunim i ri midis dy vendeve në një fushë, në atë të luftës ndaj korrupsionit, që është një ndër përparësitë e qeverisë shqiptare. Bëhet fjalë për një projekt pilot i cili do të vihet në jetë fillimisht në disa shkolla të përzgjedhura, duke nisur nga shtatori i ardhshëm, e do të shtrihet, në vijim, në rang kombëtar. Vetëm nëpërmjet arsimimit të brezave të rinj do të mund të vëmë në jetë vizionin tonë për një shoqëri dhe kulturë integriteti”.

Ministrja Kushi kujtoi, në përfundim, se “misioni kryesor i shkollave dhe i të gjithë sistemit shkollor shqiptar është t’u japë nxënësve dijet dhe aftësitë në mënyrë që të bëhen, nesër, jo vetëm profesionistë të mirë, por edhe qytetarë të denjë. Italia, në cilësinë e partnerit strategjik të Shqipërisë edhe në fushën e arsimit, na ofron një mbështetje të jashtëzakonshme, veçanërisht në rrugëtimin drejt integrimit evropian”.

foto 5

 

foto 1

 

foto 3

 

 

 

 


1192