NJOFTIM PËR SHTYP
Prezantim i Shpalljes së tenderit për projektimin e selisë së re të Ambasadës së Italisë
Tiranë, 28 tetor 2021
Sot, më datë 28 tetor 2021, në Aula Magna “Silvano Pedrollo” të Universitetit Politeknik të Tiranës, Ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Dekani i Fakultetit të Arkitekturës së Universitetit Politeknik të Tiranës, Armand Vokshi si dhe Kryetarja e Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë, Matilda Pando, gjatë një konference për shtyp prezantuan shpalljen e tenderit me objekt “prishja dhe rindërtimi i dy ndërtesave seli të Kancelarisë Diplomatike dhe Konsullore të Italisë në Tiranë”.
Dekani i Fakultetit të Arkitekturës, Armand Vokshi, duke falenderuar të pranishmit, deklaroi se: “Projektuesit italianë dhe shqiptarë që do të marrin pjesë në garë do të kenë një detyrë shumë të rëndësishme pasi nuk bëhet fjalë thjesht për ndërtimin e një ndërtese të huaj të qytetin tonë por të një ndërtese që do të përcjellë ndjenjat dhe marrëdhëniet që ekzistojnë midis dy Vendeve tona”.
Ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci, deklaroi ndër të tjera se: “Vendosëm ta quajmë konferencën e sotme “Një Ambasadë e re për një Tiranë në ndryshim”. Shpallëm një konkurs ndërkombëtar të rëndësishëm e të hapur për të gjithë. Ambasada e re do të jetë një ndërtesë e bukur që sheh drejt së ardhmes, në një qytet si Tirana që po përjeton një fazë ndryshimesh rrënjësore. Ndërtesa e re nuk do të ketë vetëm zyra, por do të jetë një ndërtesë që do të mirëpresë qytetarët e Tiranës. Do të jetë një ndërtesë “pa mure” rrethuese, e hapur, e që do të mirëpresë edhe ekspozita”.
Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, deklaroi: “Jam i bindur se bëhet fjalë për një mundësi të jashtëzakonshme për qytetin e Tiranës. Do të kemi një seli e cila do të jetë jo vetëm moderne, në qendër të Tiranës, jo vetëm tërheqëse nga pikëpamja estetike, por do të jetë edhe një hapësirë kushtuar qytetit”.
Kryetarja e Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë, Matilda Pando, deklaroi se: “Bëhet fjalë për një garë me shumë interes për arkitektët shqiptarë. Bëhet fjalë për një projekt që shkon përtej kufijve të Tiranës e të Shqipërisë për të cilin do të flitet anembanë botës”.