Questo sito usa cookie per fornirti un'esperienza migliore. Proseguendo la navigazione accetti l'utilizzo dei cookie da parte nostra OK

SHEMBULLI DHE SAKRIFICA E DIVIZIONIT “PERUGIA” NË SHQIPËRI NË EPILOGUN HISTORIK TË VJESHTËS SË VITIT 1943

Data:

04/11/2021


SHEMBULLI DHE SAKRIFICA E DIVIZIONIT “PERUGIA” NË SHQIPËRI NË EPILOGUN HISTORIK TË VJESHTËS SË VITIT 1943

SHEMBULLI DHE SAKRIFICA E DIVIZIONIT “PERUGIA” NË SHQIPËRI

NË EPILOGUN HISTORIK TË VJESHTËS SË VITIT 1943

Nëse sot kujtojmë sakrificën sublime të ushtarëve italianë të rënë në luftë, të atyre jetëve të reja të brezit të ’99 të këputura në lule të rinisë, nuk mund të mos u drejtojmë atyre gjithë respektin dhe mirënjohjen tonë. Atyre nuk duhet t’u mungojë kurrë mirënjohja jonë për ndjenjën e Kombit që rigjetën pikërisht në atë përvojë të egër llogoresh, e cila kulmoi me fitoren e 4 nëntorit 1918 dhe që i dha fund në Itali konfliktit të gjatë dhe të përgjakshëm të Luftës së Parë Botërore.

Ai 4 nëntor 1918 i dha thellësisht formë të ardhmes së shteteve evropiane dhe ndikoi përfundimisht në rrjedhën e historisë së gjithë shekullit të XX.

Plot 8000 nga ata të rinj humbën jetën pikërisht këtu në Shqipëri. Nëse vetëm për një çast do të marrim parasysh edhe ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore, numri i saktë i ushtarëve italianë të rënë në Shqipëri do të shkojë në rreth 28.000 veta, edhe për shkak të epilogut tragjik historik të ndodhur në vjeshtën e vitit 1943, pas Armëpushimit me anglo-amerikanët.

Në veçanti, duhet kujtuar se në shtatorin e vitit 1943, në Shqipëri ishin vendosur garnizonet e Armatës së IX të Ushtrisë Mbretërore italiane, e ndarë në dy Korparmata dhe gjashtë Divizione (Perugia, Parma, Brennero, Firenze, Arezzo, Puglie). Armëpushimi i 8 shtatorit, siç dihet, shkaktoi një krizë të rëndë të komandë-kontrollit, aq sa Komanda e Lartë lëshoi urdhra jo të qartë rreth qëndrimit që duhet të mbanin trupat italiane, në veçanti ndaj gjermanëve.

Pas luftimesh të ashpra, më 11 shtator trupat gjermane hynë në Tiranë ku arrestuan Komandantin e Armatës së IX, Gjen. ROSI, dhe e detyruan të jepte urdhër për dorëzimin e armëve duke marrë në këmbim premtimin, jo të besueshëm, për riatdhesimin e Divizioneve që ishin nën komandën e tij: një urdhër i tillë u pasua me refuzimin e komandantëve të Divizioneve, duke rënë ndesh me nderin ushtarak, dhe fillimin e pështjellimit në radhët e njësive italiane. Çdo komandant Divizioni u soll sipas situatës ku ndodhej: disa u përpoqën të arrinin brigjet për të hipur në anijet drejt Italisë, të tjerët u nisën drejt maleve në brendësi të territorit për të mos u kapur rob dhe për t’iu bashkuar më pas lëvizjes çlirimtare shqiptare. Në çastin e armëpushimit, Divizioni “Perugia” ndodhej në Gjirokastër, Delvinë, Jorgucat, Tepelenë, Këlcyrë dhe Përmet.

Pasi kishte humbur lidhjet me komandat eprore, Divizionit “Perugia” iu desh të menaxhonte vetë krizën që pasoi 8 shtatorin; më 21 shtator mbërriti në Sarandë, ku u rreshtua në mbrojtje të portit, duke i ofruar mbrojtje mijëra ushtarëve të Divizionit “Parma”.

Më 26 shtator, gjermanët u përpoqën të zbarkonin në Sarandë, por zbarkimi u spraps dhe Divizioni “Perugia” mori 15 robër. Ditët që pasuan ishin të mbushura me pasiguri. Kur më në fund mbërriti lajmi se anijet italiane do të mbërrinin në Porto Palermo, Komandanti urdhëroi - duke pasur parasysh edhe kërcënimin e afërt gjerman - të lëvizej drejt veriut. Gjatë lëvizjes drejt Porto Palermos, me besimin se do të hipnin në anije, u dha urdhri që t’i dorëzonin armët te partizanët shqiptarë. Më 28 shtator, ushtarët e Divizionit “Perugia” arritën në Porto Palermo, por nuk i gjetën anijet aty, pasi Aleatët nuk i kishin dërguar nga portet e Italisë së çliruar.

Ndërkaq, gjermanët kishin nisur nga jugu dhe nga veriu i Shqipërisë një operacion për të kapur ushtarët italianë. Repartet e Divizionit “Perugia”, tanimë pa armë, u ndanë në grupe dhe me ndihmën e popullatës shqiptare kërkuan strehë në kodrat në brendësi të territorit. Sidoqoftë, spastrimet gjermane nuk u dhanë mundësi shpëtimi dhe gradualisht pothuajse të gjithë italianët u zunë rob.

Trajtimi që iu bë nga gjermanët në Shqipëri ishte i ngjashëm me atë të ushtarëve italianë në ishujt grekë (nderimi ynë shkon edhe për sakrificën e të gjithë Divizionit “Aqui” në Qefaloni, ku u masakruan më shumë se 9000 burra). U vendos që të gjithë oficerët të vriteshin, ndërsa të tjerët të dërgoheshin në kampet e përqendrimit.

Ushtarakët italianë të Divizionit “Perugia” u akuzuan se kishin sprapsur me armë përpjekjen e zbarkimit gjerman në Sarandë, se kishin ndihmuar nisjen e disa kontigjenteve drejt Pulias, të pushtuar nga anglo-amerikanët, dhe se kishin bashkëpunuar me partizanët shqiptarë.

Epilogu tragjik u zhvillua midis 4 dhe 7 tetorit në dy vende të ndryshme. Më 4 tetor, në Gjirin e Limionit u vranë Komandanti i Divizionit, Gjeneral CHIMINELLO, dhe Shefi i Shtabit. Të nesërmen, zëvendës komandanti i Divizionit, kolonel Giuseppe Adami, shkruan në ditarin e tij: “oficerët, të ndarë nga trupa, u hipën nga tetë vetë në varka, u dërguan në det të hapur dhe u hodhën në det, nuk dihet nëse pasi u pushkatuan apo jo”, ndërsa “ushtarët që nga plazhi shikojnë të pafuqishëm këtë masakër çnjerëzore”. Sipas disave, këtë fat e patën 120 Oficerë, sipas disa të tjerëve 150 Oficerë. 32 Oficerë të tjerë u kapën dhe u pushkatuan në Kuç, jo larg nga Saranda, më 7 tetor.

Nga kjo histori kujtojmë disa figura që treguan heroizëm të jashtëzakonshëm, të cilëve iu dha Medalja e Artë e Trimërisë, duke përfshirë Kol. Gustavo LANZA, Komandant i regjimentit të 129, i cili kundërshtoi urdhrin për të dorëzuar armët dhe, kur u kap pas një beteje të ashpër, u përpoq, duke marrë përsipër gjithë përgjegjësinë, t’i shpëtonte njerëzit e tij nga rapresalja; si dhe N.Kol. Emilio CIRINO i cili, pasi udhëhoqi kthimin në Pulia të disa reparteve, vendosi të kthehej në Shqipëri që të mos braktiste Njësinë e tij. Viktimat e tjera të masakrës u dekoruan me Medaljen e Argjendtë të Trimërisë.

Rreth 170 ushtarë të mbijetuar të Divizionit “Perugia” u bashkuan më pas me Batalionet “Gramsci” dhe “Matteotti”, të krijuara nga njësitë e tjera të pranishme në Shqipëri. Këto batalione morën pjesë në operacione të shumta kundër gjermanëve, kontribuan në çlirimin e kryeqytetit dhe mundën të parakalonin, si çlirimtarë, në Tiranë më 28 nëntor 1944.

1 fante aeroporto di herat afghanistan

2 eurofighter in volo tattico sul mediterraneo

3 portaerei garibaldi in navigazione

4 carabinieri protezione ambiente


1232