Questo sito usa cookie per fornirti un'esperienza migliore. Proseguendo la navigazione accetti l'utilizzo dei cookie da parte nostra OK

Konferenca “Parandalimi i korrupsionit dhe bashkëpunimi ndërkombëtar”

Data:

28/03/2022


Konferenca “Parandalimi i korrupsionit dhe bashkëpunimi ndërkombëtar”

comunicato stampa

Sot, në kuadër të misionit në Shqipëri të Kryetarit të Autoritetit Kombëtar të Antikorrupsionit (ANAC), Giuseppe Busia, pranë Hotel Rogner u mbajt konferenca me temë “Parandalimi i korrupsionit dhe bashkëpunimi ndërkombëtar”. Krahas Ambasadorit të Italisë, Fabrizio Bucci, dhe ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, qenë të pranishëm edhe Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, Komisioneri per të Drejtat e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale, Besnik Dervishi si edhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Prokurimet Publike, Reda Kashta.

Italia mbart një përvojë të gjatë në sektorin e antikorrupsionit dhe prej kohësh është e angazhuar në Shqipëri për të bashkëndarë këtë përvojë, çka e dëshmon edhe prania në Vend e katër magjistratëve italianë, e Guardia di Finanza-s, e Policisë së Shtetit dhe e Forcave të Karabinierisë, nënshkrimi i marrëveshjes – së bashku me ministrin Manja dhe me Ministren e Arsimit Evis Kushi – për krijimin pranë institucioneve shkollore shqiptare të një kurrikule të veçantë mbi ligjshmërinë.

Në përfundim të Konferencës, ekspertëve të antikorrupsionit pranë Ministrisë së Drejtësisë iu dorëzuan diplomat përkatëse të kursit që ata ndoqën, kurs i organizuar nga Këshilli i Lartë italian i Drejtësisë në bashkëpunim me ANAC dhe me mbështetjen e Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim. Me diploma u pajisën, në bashkërendim me OSBE-në, edhe funksionarët e ALSAI-t.

Ambasadori Fabrizio Bucci, ndërsa vuri theksin në faktin se ky vit përkon me tridhjetë vjetorin e vrasjes së dy gjyqtarëve italianë, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino, si edhe me nisjen e hetimeve “Duar të Pastra”, nënvizoi se “këto dy ngjarje janë të lidhura me fije të dyfishta: kemi të bëjmë më një pikë kthese ku shoqëria italiane i tha mjaft mafias dhe korruspionit, të cilat ishin shndërruar në dukuri kulturore dhe jo vetëm gjyqësore. Korrupsioni është një plagë që frenon rritjen ekonomike të qendrueshme, shtrembëron konkurrencën në tregje, minon themelet e shtetit të së drejtës dhe gërryen besimin e qytetarëve tek institucionet. Për këto arsye është e rëndësishme që lufta ndaj korrupsionit të gjejë mbështetjen e të gjithë shoqërisë ku thelbësor është padyshim roli i shkollës, i shtypit dhe i mjeteve të informimit, i organizatave të shoqërisë civile, sikurse dhe ai i fushës së sipërmarrjes”.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, falenderoi Italinë për shkëmbimin e përvojave më të mira, kryesisht me ANAC: “lufta ndaj korrupsionit është një përparësi e qeverisë shqiptare. Është e rëndësishme të veprojmë si personalisht ndaj abuzimeve të cilat kryhen ende ashtu edhe përmes digjitalizimit të administratës publike”.

Kryetari i Autoritetit Kombëtar të Antikorrupsionit, theksoi se “vizita ime këtu dëshmon për bashkëpunimin e rëndësishëm e shumëplanësh që Italia ka zhvilluar ndër shekuj me Shqipërinë. Parandalimi i korrupsionit është një çështje tejet e rëndësishme veçanërisht në momente emergjencash sikurse është periudha që tashmë po përjetojmë, fillimisht pandemia e tanimë kriza në Ukrainë. Prej viteve ’90 Italia ka ndërmarrë një rrugëtim të rëndësishëm, duke marrë shkas jo vetëm nga ngjarjet që kanë tronditur Vendin tonë por edhe qasjes ndaj normativës së BE-së në fushën e prokurimeve publike, të konkurrencës, të hapjes së tregut”. Në vijim Busia nënvizoi gjithashtu se “fjalëkyçi i digjitalizimit, i thjeshtëzimit dhe i bashkëpunimit janë mjetet kryesore me të cilat mund t’i bëjmë ballë dukurisë së korrupsionit duke qenë se është një dukuri tejet komplekse, që kërkon përgjigje të shumëfishta e të hartuara qartë”.

anticorruzione 1

anticorruzione 2

anticorruzione 3 


1263