Questo sito usa cookie per fornirti un'esperienza migliore. Proseguendo la navigazione accetti l'utilizzo dei cookie da parte nostra OK

25 Nëntor: Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave

Data:

25/11/2022


25 Nëntor: Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave

Me rastin e Ditës ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj grave, Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Bashkëpunimit Ndërkombëtar, së bashku me institucionet e saj jashtë Italisë, bëhen pjesë e fushatës sensibilizuese “UNITE! Activism to End Violence against Women & Girls Orange the World: End Violence against Women Now!”, të promovuar nga UN Women e cila, në vitin 2022, ka në fokus kontributin e rëndësishëm të organizatave, lëvizjeve dhe aktorëve të shoqërisë civile, përfshirë këtu gratë dhe vajzat aktiviste, me qëllim rritjen e vetëdijes, së opinionit publik, mbi këto çështje. Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Bashkëpunimit Ndërkombëtar konfirmon edhe një herë angazhimin për shtimin e përpjekjeve për barazinë gjinore ndërsa u bën apel të gjithë aktorëve të punojnë më shumë për arritjen e këtij qëllimi të rëndësishëm që deri më sot, asnjë Vend në botë, nuk mund të thotë se e ka përmbushur.

Gra e vajza vijojnë të jenë, në shumë pjesë të botës, sidomos në zonat e përfshira në konflikte të armatosura dhe në situata emergjence, viktima të diskriminimit, të dhunës, të abuzimeve dhe të shfrytëzimit. Gjendja e vështirë e femrave, ashtu sikurse dhe talenti, kurajo dhe kontributi që gratë mund të japin në ndërtimin e një shoqërie më gjithpërfshirëse dhe paqësore, janë problematikat kryesore në disa prej krizave aktuale më të rënda ndërkombëtare, nga Afganistani në Etiopi, nga Ukraina në Iran. Pasojat e pandemisë së Covid-19, luftrat dhe krizat e tejzgjatura kanë rënduar edhe më shumë kushtet e vështira ekzistuese duke bërë që të rriten ndjeshëm rastet e dhunës në familje dhe të abuzimeve. Të dhënat e Kombeve të Bashkuara tregojnë se, ende sot, një ndër tre gra, gjatë jetës së saj, ka qenë subjekt dhune dhe abuzimi, fizik apo psikologjik. Në vitin 2021, një ndër dhjetë gra ka qenë viktimë e dhunës në familje.

Përballë këtyre të dhënave alarmante, Italia vijon të dënojë me forcë çdo lloj diskriminimi dhe dhune ndaj grave, një dukuri kjo e papranueshme dhe një pengesë e madhe në arritjen e barazisë gjinore, gëzimit të plotë të të drejtave dhe realizimit të tyre në rrafshin personal.

Lufta ndaj çdo lloj forme diskriminimi, dhune dhe abuzimi ndaj grave dhe vajzave përbën një angazhim parësor të politikës së jashtme të Vendit tonë, angazhim të cilin Farnesina e çon përpara si në rrafshin diplomatik-negociues, ashtu edhe nëpërmjet nismave të bashkëpunimit për zhvillim. Dëshmi e kësaj janë fushatat e shumta ndërkombëtare, sikurse ato që synojnë çrrënjosjen e përçudnimit femëror dhe martesave në moshë të hershme e të detyruara, ku Italia renditet gjithmonë në vijën e parë.

Synimi për eliminimin e çdo forme dhune ndaj grave dhe për fuqizimin e tyre, shtyllat kryesore të politikës së jashtme dhe të bashkëpunimit italian, ka qenë një ndër përparësitë e mandatit të fundit italian në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (2019-2021), të Kryesimit italian të G20-s në 2021 (me Konferencën e parë të nivelit të lartë kushtuar fuqizimit të grave si edhe me një veprimtari të posaçme kushtuar grave afgane në mbyllje të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së) si edhe të gjashëtmujorit të Kryesimit italian të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës (nëntor 2021-maj 2022), në kuadër të të cilave Italia mbështet e promovon “Konventën për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje” (ose “Konventa e Stambollit”).

Konfliktet aktualisht të ndezura në shumë Vende të botës tregojnë, edhe një herë, se si, në gjendje lufte dhe emergjence, gratë dhe vajzat janë veçanërisht të ekspozuara ndaj rrezikut të dhunës dhe abuzimeve. Ndaj, është e nevojshme të vijojmë me intensifikimin e angazhimit tonë, në bashkëpunim me të gjithë aktorët e Komunitetit Ndërkombëtar, përfshirë këtu shoqërinë civile, për të çrrënjosur, përgjithmonë, këto akte të papranueshme.

Përsa i përket organizimit të brendshëm të punës, Farnesina vijon të promovojë barazinë gjinore siç vërehet edhe nga miratimi, vitin e shkuar, i Qarkores nr. 3/2021, me anë të së cilës Ministria jonë adopton standartet më të larta të promovimit të barasisë gjinore. Njëkohësisht, me miratimin, më datë 18 janar të këtij viti, të Qarkores nr. 1/2022, me objekt përditësimin e metodave të punës dhe të mirëqënies organizative, u vu theksi mbi nevojën për të nxjerrë në pah gjithmonë, gjatë punës së përditshme, zbatimin e parimit kushtetues të barazisë, në kuptimin, si të ndalimit të diskriminimit, ashtu edhe të promovimit aktiv të një barazie reale.

Zhvillime

Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të grave, i barazisë gjinore dhe fuqizimit të femrave, si edhe lufta ndaj çdo lloj forme diskriminimi dhe dhune ndaj grave dhe vajzave, janë përparësi e politikës së jashtme italiane, si në kuadër të marrëdhënieve shumëpalëshe dhe rajonale, të atyre dypalëshe me Shtetet e tjera dhe me Organizmat Ndërkombëtarë, ashtu dhe në kuadër të Programeve të Bashkëpunimit për Zhvillim, me qëllim arritjen e objektivave për një zhvillim të qëndrueshëm SDG5 të Agjendës 2030, të Planit të Veprimit të BE-së për të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë 2020-2024 dhe të Strategjisë së BE-së mbi barazinë gjinore 2020-2025.

Për këtë, në dhjetor të vitit 2020, janë miratuar Udhëzimet mbi barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave (2020-2024), të hartuara nga AICS në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Bashkëpunimit për Zhvillim (DGCS) të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Bashkëpunimit Ndërkombëtar. Udhëzimet e reja synojnë të shtojnë angazhimin e bashkëpunimit italian për eliminimin e diskriminimit gjinor nëpërmjet projekteve të zhvillimit duke përcaktuar sektorët përparësorë ku nevojitet ndërhyrje.

Angazhimi i Italisë në kuadër të fuqizimit të femrave shprehet përmes mbështetjes së madhe ndaj mbrojtjes, pavarësisë dhe zhvillimit të plotë njerëzor, social, ekonomik dhe kulturor të çdo gruaje. Kjo përkthehet në nisma të posaçme kushtuar, ndër të tjera, shëndetit të femrës, të nënës e fëmijës, atij seksual e riprodhues, luftës ndaj përçudnimit të femrës dhe martesave të parakohshme, në mbështetje të programeve kushtuar edukimit të vajzave dhe të grave si edhe të projekteve të zhvillimit të sipërmarrjes së gruas.

Italia ka aderuar edhe në Rekomandimet e OCSE-DAC të datës 12 korrik 2019 për t’i dhënë fund shfrytëzimit, abuzimeve dhe ngacmimeve seksuale dhe për të mbështetur zhvillimin dhe ndihmën humanitare. Në këtë kuadër, Italia ka mbështetur vazhdimisht politikat e “tolerancës zero” si edhe nismat e ndërmarra për fuqizimin e mekanizmave të parandalimit, sinjalizimit dhe denoncimit si edhe të mbrojtjes së viktimave. Këto çështje kanë qenë ndër përparësitë e mandatit tonë të fundit në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (2019-2021) si edhe të gjashtëmujorit të Kryesimit italian të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës (nëntor 2021-maj 2022).

Italia mbështet fuqishëm fushatat ndërkombëtare për eliminimin e veprimeve të dëmshme ndaj grave dhe vajzave, sikurse përçudnimi i femrës dhe martesat në moshë të hershme dhe të detyruara, duke promovuar dhe duke qenë pjesë aktive e bisedimeve mbi rezolutat përkatëse të Asamblesë së Përgjithshme dhe të Këshillit për të Drejtat e Njeriut, si edhe duke ofruar kontribut vullnetar, çdo vit, për agjenci të shumta të Kombeve të Bashkuara, të angazhuara në luftën për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave (sikurse UNWOMEN, UNFPA, UNICEF). Këto Agjenci përfitojnë gjithashtu fonde të Bashkëpunimit Italian për realizimin e nismave humanitare në Vendet që përjetojnë kriza sikurse, për shembull, në Afganistan ku, si pasojë e ngjarjeve të muajit gusht 2021, u financuan veprimtari posaçërisht të dedikuara grave e vajzave.

Italia merr pjesë, në mënyrë aktive, përmes mbështetjes së ofruara nga ana e Bashkëpunimit italian për zhvillim, në programe shumëpalëshe kushtuar eliminimit të përçudnimit të femrës dhe të martesave në moshë të hershme e të detyruara.

Italia mbështet fuqimisht nisma ndërkombëtare për parandalimin e dhunës seksuale në rajonet e prekura nga lufta dhe emergjencat, si “Call to Action on Protection from Gender-based Violence in Emergencies”.

Në rrafsh kombëtar, Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Bashkëpunimit Ndërkombëtar merr pjesë, me një Përfaqësues të saj në Observatorin mbi dukurinë e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, në kuadër të “Planit strategjik ndërkombëtar mbi dhunën e meshkujve ndaj grave 2021-2023” miratuar nga Ministria për Shanse të Barabarta.

 

 


1329