Nën koordinimin dhe me kontributin e Ekspertit të Guardia di Finanza-s pranë Ambasadës, 20 specialistë të rinj të Administratës së Doganave shqiptare kanë nisur, pranë Akademisë së Guardia di Finanza-s në Ostia, një trajnim mbi “Kontrollin dhe luftën ndaj trafiqeve të paligjshme në fushën e veprimtarive doganore”.
Kursi, prej pesë ditësh, zhvillohet në kuadër të një Marrëveshjeje Bashkëpunimi midis Administratës së Doganave shqiptare, Agjencisë italiane të Doganave dhe Monopoleve dhe Guardia di Finanza-s, nënshkruar në muajin prill të këtij viti në Tiranë, marrëveshje që forcon bashkëpunimin midis tre autoriteteve dhe parashikon edhe nisma të përbashkëta me qëllim përafrimin e procedurave dhe legjislacionit me standartet dhe kuadrin ligjor të Bashkimit Evropian.
Në ceremoninë e nisjes së kursit ishin të pranishëm Komandanti i Akademisë së Guardia di Finanza-s, Gjeneral Francesco Mattana, Shefi i Departamentit të Komandës së Përgjithshme të Guardia di Finanza-s, Gjeneral Vito Giordano, dhe Drejtori i Zyrës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Agjencisë Italiane të Doganave dhe Monopoleve, Ministri i Plotfuqishëm Andrea Mazzella, i cili i bëri urimet më të mira grupit të nëpunësve të rinj të Doganave shqiptare.
Gjatë veprimtarisë trajnuese, përveç leksioneve dhe veprimtarive praktike në kuadër të luftës ndaj trafiqeve të paligjshme, kontrabandës dhe mashtrimeve, është parashikuar të kryhet edhe një vizitë trajnuese në Aeroportin Ndërkombëtar të Roma “Fiumicino”, ku pjesëmarrësit do të mund të njihen me veprimtaritë operative që kryhen nga autoritetet në aeroport.