Sot, më datë 3 dhjetor 2015, pranë Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, me nënshkrimin e marrëveshjes mes Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim (BERZH) dhe Bankës Intesa S. Paolo Shqipëri, nisi zyrtarisht programi Women in Business në Shqipëri.
Ky program, i zbatuar nga Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim (BERZH), ka qëllim të bëhet promotor i sipërmarrjeve femërore si dhe të mbështesë bizneset e drejtuara nga gratë në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor. Kjo nismë do të bëjë të mundur përforcimin e kapaciteteve për të përfituar kredi për sipërmarrjet e grave përmes promovimit të produkteve financiare të krijuara posaçërisht për gratë (Linja e Kredive dhe mekanizmi i mbulimit të rrezikut). Do të zhvillohen gjithashtu aftësitë teknike dhe drejtuese të sipërmarrëseve përmes aktiviteteve të monitorimit, trajnimit dhe formimit.
Programi ka kohëzgjatje katër vjeçare dhe buxhet me vlerë 37.6 milionë Euro. Kontributi i ofruar nga BERZH është 33 milionë Euro dhe bën të mundur financimin e Linjës së Kredive dhe mekanizmin i mbulimit të rrezikut. Donatorët ndërkombëtarë përfshihen me një fond multi-donatorësh të administruar nga BERZH me vlerë 4.6 milionë Euro që shërben për të mbuluar mbështetjen teknike. Kontributi italian në këtë fond multi-donatorësh, me vlerë 400.000 Euro, është caktuar specifikisht për ndërhyrjet në Shqipëri.
Women in Business është pjesë e rëndësishme e aktiviteteve të Zyrës së Kooperacionit të Italisë në kuadër të mbështetjes së konkurrueshmërisë dhe inovacionit në sektorin privat shqiptar, për të cilin Protokolli i Bashkëpunimit Italo-Shqiptar ka caktuar një fond prej 29 milionë Eurosh.
Ky donacion vjen në vazhdimësi të aktiviteteve të lehtësimit të aksesit në kredi të Kooperacionit italian në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes shqiptare përmes Programit të mbështetjes për Zhvillimin Privat (PRODAPS), burimet e të cilit kapin vlerën 44 milionë Euro.