Autoritete, Zonja dhe Zotërinj, të dashur miq, ju falenderoj të gjithëve nga zemra që pranuat ftesën time për të kremtuar së bashku festën e Republikës italiane dhe mirë se erdhët në Rezidencën e Italisë në Tiranë.
Falenderoj nxënësit dhe mësuesit e Liceut Artistik Jordan Misja për këtë ekzekutim, gjithmonë emocionues, të himneve. Një përshëndetje të përzemërt për të gjithë të pranishmit e fesë islame, me një urimin për një Ramazan të lumtur – Ramadam Kareem!
Të dashur miq, viti që kaluam prej 2 qershorit të shkuar ka qenë shumë i ngarktuar në Itali, në Shqipëri dhe në shumë anë të planetit. Si gjithmonë, shumë ngjarje të lumtura janë alternuar me çaste të trishtuar. Mendimi im shkon për viktimat e fatkeqësive natyrore, terrorizmit, luftës, për njerëzit që largohen nga dhuna dhe mjerimi. Këto sfida globale kërkojnë përgjigje të përbashkëta dhe frymë komuniteti. Se komuniteti, siç vuri në dukje edhe Presidenti i Republikës Sergio Mattarella, është forca jonë e vërtetë, dhe duhet ta ndërtojmë çdo ditë.
Kanë kaluar dymbëdhjetë muaj të shënuar nga ngjarje të rëndësishme zgjedhore, të tjera zgjedhje do të vijojnë së shpejti edhe në Shqipëri (ndoshta në Itali). Unë jam i bindur se, me kalimin e krizës politike të muajve të fundit, zgjedhjet shqiptare do të mbahen të qeta dhe do të japin shtysën e nevojshme politike për të vazhduar rrugën e modernizimit dhe afrimit ndaj Bashkimit Evropian. Një rrugëtim ku krahas rritjes materiale të zhvillohen edhe institucionet; ku dinjiteti dhe të drejtat themelore të qytetarëve të garantohen për të gjithë; ku korrupsioni dhe krimi të luftohen dhe të refuzohen nga të gjithë, si nga njerëzit e thjeshtë ashtu edhe nga të fuqishmit.
Bashkimi Europian, edhe pse me ndonjë lëkundje, kremtoi më 25 mars në Romë gjashtëdhjetë vjetorin e tij të parë; gjashtë dekada paqeje, demokracie, lirie dhe begatie. Shqipëria shikon drejt Bashkimit Europian me ambicie të justifikuar dhe unë jam i bindur se do të jetë edhe më afër saj në muajt e ardhshëm.
Në këtë rrugëtim, Italia do të vazhdojë të jetë në anën e Shqipërisë, do të vazhdojë ta mbështesë , me bindjen se me anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian do të ketë përfitime reciproke. Takim i ardhshëm i rëndësishëm për aspiratat e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është Samiti i Trieste-s më 12 korrik, ku jam i bindur se Shqipëria do të japë një kontribut thelbësor.
Të dashur miq, në kremitin e përvjetorit të 71-të të referendumit, përmes të cilit italianët dhe italianet më 2 qershor 1946 zgjodhën të sillnin në jetë Republikën Italiane, shikojmë me krenari përparimin e bërë nga Italia dhe nga Europa një këtë hark kohor, por mbi të gjitha duhet të shikojmë me besim të plotë punën që kemi përpara për t’i përfunduar këto arritje, që t’u lëmë fëmijëve dhe nipërve tanë një botë më të mirë.
Në përfundim, faleminderit edhe një herë për praninë tuaj. Gëzuar të gjithëve, të ngremë një dolli për miqësinë midis Italisë dhe Shqipërisë.
