Ditën e premte, më 12 shkurt, në orën 10.00, pranë Sallës Nënë Tereza të Pallatit të Kulturës në TIranë, do të zhvillohet konferenca e prezantimit të programit “Toka Mëmë Ballkan 2016” organizuar nga “Rrjeti Shëndet dhe Siguri”.
Programi ka qëllimin të përhapë praktikat e mira mbi sigurinë agro-ushqimore, mbi vlerësimin e prodhimit vendas dhe konsumit të përgjegjshëm. Në bashkëpunim me Vis Albania, Aleancën Slow Food të Kuzhinierëve dhe Zyrën e Shkollave të Ambasadës së Italisë janë zgjedhur si përftuese shkollat fillore dhe grupi i konsumatorëve më të rinj e më kureshtarë.
Katia Zene (VIS Albania) dhe Armand Kikino (Alleanza Slow Food e Kuzhinierëve) kanë nisur një sërë takimeh me shkolla të shumta të zonave rurale duke ngritur laboratorë mbi ushqimin dhe edukimin ushqimor, pjesërisht duke përdorur gjuhën dhe pamjet e kuzhinës italiane.
Programi promovon artin e të ushqyerit me produkte të shëndetshme, të vendit dhe të stinës, zgjedhjet e ndërgjegjshme të konsumatorit, por edhe promovimin e gjuhës italianë e cila prej panairit Expo 2015 është zëdhënëse e dietës së lashtë mesdhetare që i sheh dy brigjet e Mesdheut të bashkuara në një përballje mes shijes dhe fantazisë, njohjes së kimisë së shëndetit dhe kreativitetit.
Projekti është pjesë e programit të “Rrjetit Shëndet dhe Siguri”, krijuar në vitin 2015 pranë Zyrës së Shkollave. Një marrëveshje formuese dhe edukuese mes enteve dhe institucioneve italiane dhe shqiptare që nxitin Sigurinë agro-ushqimore, shëndetin dhe stile të shëndetshme të jetësës.
Francesko Shehu, fitues i Konkursit Ndërkombëtar Media Show 2015, ka realizuar një video duke përdorur materialet e dërguara nga shumë shkolla që kanë dokumentuar projektet e realizuara brenda programit Mini Expo Balcani 2015. Më pas, përfaqësuesit e klasave nga Shkodra, Elbasani, Tirana dhe Korça do të paraqesin shkurtimisht rezultatet e punëve përkatëse të programit “Shija e Gjuhës Italiane”.
Ambasadori i Italisë në Tiranë, Alberto Cutillo, për herë të parë do të takojë një përfaqësi të gjerë të shkollave ku janë vendosur seksionet dygjuhëshe të Tiranës, Shkodrës dhe Korçës si dhe shumë nxënës të zonave rurale të Veriut që studiojnë gjuhën italiane dhe aspektet kulturore që promovojnë një mënyrë jetese të shëndetshme dhe konsum të ndërgjegjshëm.
