Autoritete, Zonja dhe Zotërinj, të dashur miq, për mua është një nder i madh dhe kënaqësi të festoj së bashku me ju 70 vjetorin e Republikës italiane. 70 vjet më parë prindërit dhe gjyshërit tanë votuan në mënyrë demokratike në favor të Republikës duke kthyer përfundimisht faqen e diktaturës dhe të luftës së dyfishtë, të asaj botërore dhe civile. Në këto 7 dhjetëvjeçarë Italia ka njohur një zhvillim ekonomik dhe social të pa njohur më parë i karakterizuar nga hapja drejt botës së jashtme fryt ky, shumë më herët se globalizimi, i pozicionit gjeografik të Vendit tonë, pikë takimi mes veriut dhe jugut të globit si dhe porta e natyrshme drejt zemrës së Europës dhe Ballkanit.
Në çerek shekullin e fundit, si rrjedhojë e riorganizmit politik të këtij rajoni, marrëdhëniet mes Italisë dhe Ballkanit kanë njohur një rritje të jashtëzakonshme, shprehja më e lartë e së cilës vërehet në Shqipëri. Në këto njëzetepesë vjet historia e dy Vendeve tona – që për gati pesëdhjetë vjet kishte rrjedhur paralelisht si dy lumenj që dhe pse pranë njëri – tjetrit, nuk takohen kurrë – u ndërthur në mënyrë të frytshme e të pa zgjidhshme. Një histori e pasur me marrëveshje politike, shkëmbime tregtare, bashkëpunime ekonomike, por kryesisht një histori e bërë nga njerëz që lëvizin lirisht në të dy kahet e që bashkëndajnë jetën e përditshme, ndjenjat, ëndrrat.
Prej 2 Qershorit të kaluar të shumta kanë qenë veprimtaritë në të cilat janë përfshirë të dy Vendet tona. Përmend, ndër të tjera, Expo Milano, e cila vijon të ushtrojë ende një efekt katalizues mbi nismat për një rritje të qëndrueshme, edhe në fushën e arsimit. Pikërisht këtë mbrëmjë, vetëm pak qindra metra larg prej këtej, do të çelet veprimtaria Terra Madre Balcani, ku Tirana do të jetë në qendër të angazhimit europian për një bujqësi të qëndrueshme. Të shumta vizitat politike të nivelit të lartë: përmend këtu vizitën në Romë të Kryetarit të Parlamentit, Meta, në nëntor të vitit të kaluar si dhe dy vizitat e Ministrit Gentiloni në Tiranë: në shtator, në kuadër të veprimtarisë së rëndësishme mbi dialogun ndër-fetar “Paqja është gjithmonë e mundur” dhe në janar takimi Trepalësh i Ministrave të Jashtëm të Italisë, Shqipërisë dhe Serbisë.
Edhe më të panumërta veprimtaritë kulturore ku krah njeri-tjetrit kanë qenë artistë, shkrimtarë e kërkues shkencorë italianë dhe shqiptarë. Kujtoj këtu pjesëmarrjen e Shqipërisë në veprimtari prestigjoze sikurse Trienale e design-it në Milano, Biennale e Venezia-s, Salloni i Librit në Torino, ndërsa në Tiranë ekspozita e misioneve arkeologjike italiane në Shqipëri si dhe shfaqja e baletit Aterballetto. Dëshiroj gjithashtu të përmend Kooperacionin italian që edhe këtë vit mbështeti realizimin e infrastrukturave sociale dhe ekonomike strategjike për Shqipërinë, së fundmi Qendrën dispeçer të Kasharit si dhe shumë projekte sociale në të gjithë territorin e Vendit falë programit të konvertimit të borxhit IADSA.
Do të ishte e pamundur të rendisja delegacionet ekonomike si dhe joint venture të krijuara mes due Vendeve tona; e pamundur pasi shkalla e integrimit të dy ekonomive dëshmohet qartazi nga një shifër e jashtëzakonshme: mbi 50% e eksporteve shqiptare ka për destinacion Italinë. Sipërmarrjet italiane kanë besim në mundësitë e rritjes në Shqipëri si dhe në integrimin gjithnjë e më të plotë të Vendit në rajon, që pikërisht në dymbëdhjetë muajt e fundit ka arritur përparime domethënëse, në mënyrë të veçantë falë procesit të “WB6”, e që do të kryejë të tjerë hapa përpara me zbatimin e plotë të strategjisë Adriatiko – Joniane.
Kanë qenë dymbëdhjetë muaj të rëndësishëm edhe për procesin e integrimit europian të Shqipërisë të cilin Italia e ndjek me angazhimin e saj maksimal, e vetëdijshme për kontributin e rëndësishëm që Shqipëria mund të japë në Bashkimin Europian. Sikurse u shpreh dhe Presidenti Mattarella disa ditë më parë në Sarajevo, Europa do të mbetet një projekt i pa përfunduar deri kur pjesë e saj nuk do të jenë të gjitha Vendet e Ballkanit. Jemi të vetëdijshëm për vështirësitë në kryerjen e reformave të domosdoshme për arritjen deri në zemër të procesit, e thënë ndryshe, për çeljen e negociatave. Përfitoj nga rasti t’ju bëj thirrje të gjitha forcave politike që të punojnë së bashku për realizimin e këtyre reformave, të cilat populli shqiptar i kërkon me ngulm, para së gjithash atë të sistemit të drejtësisë, prej nga do të marrin shtysë të mëtejshme pozitive dhe lufta ndaj krimit dhe korrupsionit e do të ketë përfitime zhvillimi ekonomik. Shpresoj pra që në 2 Qershor të vitit 2017 të festojmë përparimet e kryera nga Shqipëria drejt këtij rrugëtimi.