Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

Nënshkruhet në Tiranë Memorandumi i Mirëkuptimit Itali – Shqipëri në sektorin e Shëndetësisë

accordo salute_1

Instituti i Lartë i Shëndetësisë së Italisë dhe Instituti i Shëndetit Publik shqiptar kanë nënshkruar sot një Memorandum Mirëkuptimi në sektorin e shëndetësisë.

Marrëveshja, e cila ka hyrë menjëherë në fuqi dhe është e vlefshme për 5 vjet, është nënshkruar nga Kreu i Institutit të Lartë të Shëndetësisë, prof. Rocco Bellantone, dhe Drejtoresha e ISSH-së, Prof. Dorina Toci, në prani të Ministres së Shëndetësisë së Shqipërisë, Prof. Evis Sala dhe Ambasadorit të Italisë, Marco Alberti.

Objekti i marrëveshjes, ndërmarrja e nismave në fusha të rëndësishme të bashkëpunimit strategjik dypalësh në sektorin e shëndetësisë, si kujdesi dhe puna kërkimore mbi sëmundjet infektive dhe jo të transmetueshme, shëndeti dhe mjedisi, mbikqyrja epidemiologjike, siguria ushqimore dhe teknologjitë novatore në fushën e shëndetësisë. Marrëveshja parashikon gjithashtu edhe shkëmbimin e punonjësve shkencorë dhe ndërmarrjen e nismave të përbashkëta të edukimit.

Në fjalët e tyre përshëndetëse, si Ministrja Sala ashtu dhe Ambasadori Alberti vunë theksin në marrëdhëniet e qëndrueshme dypalëshe në sektorin e shëndetësisë si edhe në vullnetin për të forcuar më tej bashkëpunimin duke pasur si synim kryesor krijimin e sistemeve kushtuar punës kërkimore, parandalimin dhe rritjen e cilësisë së ofertës shëndetësore.

“Jemi tejet të lumtur për këtë tjetër hap të rëndësishëm” – u shpreh Ambasadori Alberti – “i konceptuar si vijim i Marrëveshjes më të gjerë G2G, nënshkruar midis Italisë dhe Shqipërisë në Romë në nëntor 2025. “Ajo Marrëveshje” – vijoi Ambasadori – përfshin fushat e shëndetësisë dhe të shëndetit publik si një ndër sektorët me përparësi të lartë strategjike. Memorandumi i nënshkruar sot, së bashku me nismat e tjera të rëndësishme që kanë nisur tashmë të realizohen, sikurse projekti Matherna, me mbështetjen e fondeve të bashkëpunimit për zhvillim, janë shprehje e angazhimit të të dy Vendeve në forcimin e bashkëpunimit mes tyre, parë kjo edhe nën këndvështrimin e negociatave të anëtarësimit në BE.”.