Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti, zhvilloi një takim me Ministren e re të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu.
Në qendër të takimit, bashkëpunimi dypalësh në fushën e shëndetësisë dhe shëndetit publik, ndër sektorët strategjikë të Marrëveshjes ndërqeveritare të nënshkruar në Romë në muajin nëntor të vitit të kaluar. U analizua ecuria e projekteve në mbështetje të sektorit shëndetësor publik dhe atij privat në Shqipëri, kryesisht të neonatologjisë, geriatrisë, radiologjisë dhe onkologjisë.
Me iniciativën e Ministres Spahiu u diskutua gjithashtu mbi mundësi të tjera bashkëpunimi, si në nivel shumëpalësh ashtu edhe në atë dypalësh, me përfshirjen e Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim (AICS), Tiranë.
“Shëndetësia dhe shëndeti publik – përveçse sektorë delikatë e të rëndësishëm të negociatave për anëtarësim në BE – janë faktorë kyç per rritjen dhe zhvillimin e Vendit”, – deklaroi Ambasadori Alberti. “Ideja që qëndron në themel të bashkëpunimit strategjik” – vijoi diplomati – “nuk është thjesht mbështetja ndaj disa projekteve në sektorët e shëndetësisë dhe shëndetit publik, por promovimi i një qasjeje sistemike e ndërsektoriale, kushtuar mirëqenies së njerëzve me qëllim integrimin e njohurive dhe perspektivave të ndryshme”.
Ministrja Spahiu, teksa falënderoi Italinë për bashkëpunimin e vazhdueshëm, shprehu vlerësimin e saj për bashkëpunimin ndër-universitar në sektorin e shëndetësisë si edhe për praninë e ndërmarrjeve farmaceutike italiane në Shqipëri.