Ditën e martë, datë 10 nëntor, pranë Hotel Tirana International, u zhvillua konferenca për shtyp për prezantimin e rezultateve të arritura gjatë edicionit të pesëmbëdhjetë të “fushatës së mbikqyrjes nga ajri”, organizuar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Departamentin e Sigurisë Publike të Ministrisë së Brendshme të Italisë e cila, së bashku me Guardia di Finanza, është promotore e nismës së bashkëpunimit për të pesëmbëdhjetin vit rradhazi.
Pas fjalëve përshëndetëse të Ministrit të Punëve të Brendshme, Ervin Demo, të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skender Hita, dhe të Drejtorit të Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu, morën fjalën Drejtori i Shërbimit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Policisë (SCIP), Drejtuesi i Lartë i Policisë së Shtetit, Lorenzo Bucossi, dhe Gjeneral Brigade Giancarlo Franzese, Kreu i Repartit Operativ III të Komandës së Përgjithshme të Guardia di Finanza. Gjatë konferencës mori gjithashtu fjalën Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti.
Lufta ndaj prodhimit të kanabisit dhe trafikimit të lëndëve narkotike mbetet një objektiv i përbashkët për të dy Vendet, ndaj edhe Departamenti i Policisë së Shtetit financon veprimtaritë që bashkërendohen nga Drejtoria Qendrore e Policisë Kriminale nëpërmjet SCIP, në bashkëpunim me Komandën e Përgjithshme të Guardia di Finanza dhe kontributit shkencor të Konsorciumit Benecon.
Gjatë edicionit 2026 të “fushatës së mbikqyrjes nga ajri” është arritur të monitorohet 67% e territorit shqiptar çka ka bërë të mundur identifikimin, nga ana e policisë shqiptare, të 1301 plantacioneve dhe shkuljen dhe asgjësimin e 105.732 bimëve kanabis.
Krahas luftës ndaj trafikimit të lëndëve narkotike, misioni italian në ndihmë të policisë shqiptare mbulon edhe sektorë të tjerë, një model i jashtëzakonshëm bashkëpunimi operativ mes policive të të dy Vendeve që ka bërë të mundur arritjen e standarteve gjithmonë e më të larta të sigurisë. Gjatë konferencës u vu gjithashtu theksi në rëndësinë e goditjes së pasurive të përftuara në mënyrë të paligjshme, një faktor tejet i rëndësishëm për çmontimin e organizatave kriminale.
Në fjalën e tij Ambasadori Marco Alberti falënderoi Policinë e Shtetit italian dhe atij shqiptar, Guardia di Finanza si edhe të gjitha Autoritetet e përfshira në fushatën e mbikqyrjes nga ajri. Rezultatet e arritura, theksoi Ambasadori, janë fryt i një bashkëpunimi të hershëm, i konsoliduar ndër vite e që vijon të forcohet më tej, një shtyllë e rëndësishme e marrëdhënieve dypalëshe me Shqipërinë. Lufta ndaj çdo lloj forme të paligjshmërisë është pjesë përbërëse e strategjisë së mbrojtjes dhe promovimit të parimeve e vlerave që karakterizojnë Vendin tonë e mbi të cilat synojmë të ndërtojmë një partneritet gjithmonë e më të qëndrueshëm me Shqipërinë, edhe në kuadër të negociatave të anëtarësimit në BE.