Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për eleminimin e dhunës ndaj grave, Ministri i Punëve të Jashtme rinovon angazhimin e Italisë për parandalimin dhe kundërshtimin e çdo forme dhune ndaj vajzave dhe grave.
Dhuna ndaj grave përbën një ndër format më të përhapura të shkeljes së të drejtave të njeriut. Parandalimi dhe lufta ndaj këtij fenomeni, duke promovuar barazinë gjinore dhe pjesëmarrjen e plotë të grave në jetën politike, ekonomike e sociale, janë një ndër përparësitë e politikës së jashtme dhe bashkëpunimit për zhvillim italian. Një betejë qytetarie që Italia e çon përpara në rrafsh ndërkombëtar.
Në planin shumëpalësh, Vendi ynë jep ndihmesën e tij në fuqizimin e mjeteve ndërkombëtare në mbrojtje të të drejtave të grave, duke mbështetur rezoluta dhe programe që synojnë të luftojnë diskriminimin dhe dhunën ndaj tyre. Vëmendje e veçantë i kushtohet kundërshtimit të veprimeve të dëmshme si mutilimi gjenital femëror dhe martesat e detyruara dhe në moshë të vogël. Pikërisht për këto çështje, Italia është prej shumë kohësh ndër partnerët më të rëndësishëm të Kombeve të Bashkuara, veçanërisht nëpërmjet programeve të bashkërenduara nga UNFPA e UNICEF. Me udhëzim të Ministrit Tajani, për nismat e OKB-së janë destinuar fonde prej rreth gjysëm miliardë euro dhe është dyfishuar, duke arritur në 10 milionë euro, kontributi italian në Global Partnership for Education.
Mbrojtja e të drejtave të grave dhe lufta ndaj çdo forme dhune e diskriminimi përbëjnë, gjithashtu, objektivat kryesorë të mandatit italian në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara për tre-vjeçarin 2026-2028.
Veçanërisht urgjente bëhet mbrojtja e grave dhe vajzave në zonat e luftës: në vitet 2022-2025 rastet e dhunës seksuale në zonat e luftës, të verifikuara nga OKB-ja, janë katërfishuar. Në këtë kontekst, Italia rinovon mbështetjen e saj të përhershme për përmbushjen e Agjendës “Gra, Paqe dhe Siguri”. Në mënyrë të veçantë Italia, nëpërmjet nismës “Italy for Sudan”, u vjen në ndihmë grave dhe vajzave në kampet e refugjatëve të Port Sudan nëpërmjet ndihmave ushqimore, kujdesit shëndetësor dhe programeve arsimore. Në Addis Abeba mbështet Qendrën e Motrave të Bamirësisë e cila mirëpret vajza nëna dhe fëmijët e tyre. Ndër nismat e tjera janë ato mbështetëse për komunitetin mikpritës So.Spe e Papa Giovanni XXIII dhe mbështetja e bursave të studimit të dedikuara, prej vitit 2023, në përkujtim të Giulia Cecchettin.
Si dëshmi e këtij angazhimi, Ministria e Punëve të Jashtme bëhet pjesë, edhe këtë vit, e fushatës botërore «Orange the World», të promovuar nga UN Women, duke ndriçuar fasadën e saj me drita ngjyrë portokalli si edhe duke u mobilizuar ndërkombëtarisht edhe nëpërmjet rrjetit diplomatik-konsullor. Stolat e kuq, fort të promovuar nga Ministri Tajani në Farnesina dhe në selitë diplomatike italiane nëpër botë, janë simbol i luftës ndaj feminicidit si edhe një thirrje për ndërgjegjësimin e të gjithëve.