Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

Shqipëria dhe Italia të bashkuara në këtë homazh ndaj Verdit me rastin e dyqind vjetorit të lindjes

Requiem, Teatri i Operas dhe Baletit në Tiranë, 11 shtator, 19.30

Requiem, Kisha Françeskane në Shkodër, 12 shtator, 18.00


Ekspozitë Partiturash Verdiane, Teatri i Operas dhe Baletit në Tiranë, 11 shtator, 19.00


Veprimtaritë e Institutit Italian të Kulturës dhe Stina Koncertore  e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë do të rifillojnë, pas pushimeve të verës, me një aktivitet të veçantë kushtuar kompozitorit të madh Giuseppe Verdi me rastin e dyqind vjetorit të lindjes së tij.
Aktiviteti është rezultat i një bashkëpunimi të rëndësishëm midis Shqipërisë dhe Italisë që do të bashkojë Orkestrën Rinore të Shkollës së Muzikës Fiesole, Orkestrën Rinore Shqiptare themeluar kohët e fundit dhe Korin e Teatrit të Operas dhe Baletit në shfaqjen e parë në Shqipëri të Requiem të Verdit.
Projekti, i organizuar nga Shkolla e Muzikës së Fiesoles dhe Fondacioni Idea në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës në Tiranë, nën kujdesin e Ambasadës Italiane në Tiranë dhe mbështetjen e Kompanisë Belleair dhe Konsullatës Italiane në Shkodër.
Requiem-i, në fakt, do të shfaqet për herë të parë të mërkurën më 11 shtator në Tiranë, në Teatrin e Operas dhe të Baletit, në orën 19:30; të nesërmen, më 12 shtator, dy orkestrat rinore prej 86 muzikantësh shqiptarë dhe italianë, 60 koristë të Teatrit të Operas, katër solistë (Serena Daolio, soprano; Cristina Melis, mezzo – soprano; Alessandro Liberatore, tenor; Raffaele Costantini, bas), Dirigjenti M° Aldo Ceccato, Drejtori i Projektit Guido Corti dhe Drejtorët Artistikë Arbër Neziri dhe Pëllumb Vorpsi do të zhvendosen në Shkodër për të interpretuar në Kishën Françeskane, në orën 18, kompozimin e shenjtë me të cilin Verdi do të përkujtonte shkrimtarin e famshëm Alessandro Manzoni në  1874-tën një vit pas vdekjes së tij.
Angazhimi i dy orkestrave, asaj të Fiesole-s dhe asaj shqiptare, do të vazhdojë në Itali, në Pisa, më 14 shtator, kur, nën drejtimin e M° Ceccato-s, muzikantët e rinj do të kenë nderin të hapin Përmbledhjen Ndërkombëtare të Muzikës së Shenjtë Anima Mundi, drejtuar nga Sir John Eliot Gardiner dhe kushtuar këtë vit Verdit .
Homazhet ndaj Verdi-t do të pasurohen me prezantimin e një Ekspozite Antologjike të Partiturave Verdiane propozuar nga Akademia Kombëtare e Artit Antik dhe Modern dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme, nën Patronazhin e Lartë të Presidentit të Republikës italiane. Ekspozita do të përurohet të mërkurën, më 11 shtator në orën 19, në hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit ku do të prezantohen rreth 30 partitura origjinale të asaj kohe të veprave të Verdit, me qëllim promovimin e një aspekti pak të njohur në përhapjen së muzikës, siç është imazhi. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 26 shtator.