Avokati i Popullit, zoti Igli Totozani priti në një vizitë zyrtare Presidenten e Institutit të Ombudsmanëve të Europës (EOI), znj. Burgi Volgger dhe Presidenten e Këshillit Koordinues të Ombudsmanëve Rajonal të Italisë, zonjën Lucia Franchini.
Gjatë kësaj vizite zyrtare delegacioni i përbërë dhe nga Ombudsmani i Rajonit të Campagna në Itali, z. Francesco Biano, Përgjegjësi i Mediatorit Europian, z. Vittorio Gasparrini dhe Sekretari i Ombudsmanëve të Italisë, z. Filippo Tognoni zhvilloi takime me Avokatin e Popullit, me z. Idlir Peçi, Zv. ministër i Drejtësisë; z. Vangjel Dule, Nënkryetar i Parlamentit si dhe me znj. Klajda Gjosha, Ministre e Integrimit.
Sot më datë 21 janar 2013, u nënshkrua në prani të Ambasadorit të Italisë Massimo Gaiani, një memorandum bashkëpunimi ndërmjet Avokatit të Popullit Igli Totozani dhe Presidentes së Këshillit Koordinues të Ombudsmanëve Rajonal të Italisë, zonjës Lucia Franchini.
Marrëveshja konsiston në nxitjen e bashkëpunimit mes administratës publike të të dy vendeve, për monitorimin dhe konfrontimin e nivelit të transparencës dhe të korrupsionit në institucionet lokale të dy vendeve dhe në evidentimin e pikave të dobëta, të mundshme, në funksionimin e sistemit, duke vënë përballë raste konkrete dhe praktikat më të mira, për të informuar qytetarët për të drejtat e tyre dhe për tu ardhur në ndihmë qytetarëve në marrëdhëniet me administratën publike në proceset e migrimit dhe imigrimit ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, dhe në përgjithësi në vendet uropiane.