Në përfundim të konferencës mbi “Të drejtat themelore, mos-diskriminimin dhe mbrojtjen e grupeve të cenueshme, përfshirë LGBTI”, që u zhvillua në Shqipëri më 20-21 nëntor 2014, Shtetet Anëtarë pjesëmarrës të Parlamentit Evropian, Presidenca Italiane e Këshillit të BE-së dhe Komisioni Evropian nxorën deklaratën e mëposhtme:
“Kjo konferencë tregoi se vendet e zgjerimit kanë krijuar elementet kyçë të kuadrit ligjor dhe politik për të drejtat themelore dhe mos-diskriminimin. Megjithatë, grupet e cenueshme, mes tyre qytetarët LGBTI, shpesh mbeten në rrezik diskriminimi, margjinalizimi dhe, madje, dhune.
Ne i nxitim qeveritë dhe liderët politikë të rajonit të demonstrojnë angazhimin e tyre për të garantuar se të gjitha pakicat dhe grupet e cënueshme pranohen dhe mund të marrin pjesë lirisht në shoqëri. Ato duhet të garantojnë gjithashtu se diskrimini mbi bazën e orientimit seksual dhe identitetit gjinor përfshihet në legjislacionin penal dhe se personat që u përkasin pakicave mund t’i ushtrojnë në mënyrë të barabartë të drejtat e tyre. Hierarkia e arsyeve për diskriminim duhet shmangur dhe i duhet kushtuar vëmendje formave të shumta të diskriminimit. Së fundi, nevojiten përpjekje të qëndrueshme për të zbatuar dhe përforcuar legjislacionin dhe politikat përkatëse, për të miratuar reformat në pritje dhe për të punuar për ndryshimin e sjelljeve shoqërore nga paragjykimi dhe madje armiqësia, në respektim dhe pranim.”