Ditën e martë, datë 25 nëntor 2014, u zhvillua Workshop-i “Shqipëria drejt Expo Milano 2015”, organizuar nga Ambasada e Italisë në Tiranë dhe Agjencia Shqiptare e Zhvilimit të Investimeve, në bashkëpunim me Expo Milano 2015 dhe me pjesëmarrjen e Rajonit të Siçilisë.
Aktiviteti u vendos brenda nismës Bunk’Art, në ambientet e bunkerit më mbresëlënës antibërthamor, ndërtuar në vitet ’70 gjatë diktaturës komuniste dhe i hapur për herë të parë për publikun më datë 22 nëntor, me rastin e festimeve per 70 vjetorin e çlirimit të Vendit nga pushtimi nazifashist.
Bunk’Art sjell, përmes instalacioneve, fotografive, videove dhe rindërtimit të disa ambienteve, si çlirimin pas Luftës së Dytë Botërore, ashtu edhe periudhën e izolimit të Shqipërisë, që zgjati deri në vitet ’90. Në këto ambiente, që shtrihen në pesë kate të gjitha nën tokë, në një hapësirë që përfshin 106 dhoma dhe një teatër, Bunk’Art projekton mendimin që është krijuar në imagjinatën e gjeneratave të reja mbi këto periudha të së shkuarës, nëpërmjet punëve të disa artistëve të rinj të vendosura në dhomat e vëna në dispozicion.
Bunk’Art mirëpret gjithashtu, në pesë prej sallave të bunkerit, disa instalacione që ilustrojnë Ekspozitën Universale të Milanos 2015 dhe parashtrojnë temën e pjesëmarrjes së Shqipërisë në Cluster-in e Bio Mesdheut “Ushqimi ynë, historia jonë, misteri unë…”, për të nënvizuar kalimin nga emblema e izolimit dhe skicofrenisë të regjimit diktatorial shqiptar – Bunkeri – në simbolin e bashkëndarjes nga Shtete të Ndryshme të vlerave me përmasa universale, si Expo Milano 2015 e cila – nga 1 maji deri më 31 tetor të vitit të ardhshëm – do të përqëndrohet tek tema “Të ushqesh planetin, Energji për Jetën”.
Në workshop morën pjesë Ambasadori i Italisë, Massimo Gaiani, Komisari i Përgjithshëm për Shqipërinë në Expo 2015, Manjola Gjoni, Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, zv. Ministrja e Ekonomisë Brunilda Paskali, z. Filippo Ciantia, Drejtor i Projektit Cluster per Shoqërinë Expo 2015, që bëri një “Hyrje në Expo Milano 2015: Ushqim, Njohje dhe Qëndrueshmëri” dhe z.
Cartabellotta, Përgjegjës i Cluster-it Bio-Mesdheu.
“Do të mundohemi t’i japim vendin e duhur traditës sonë ushqimore, kaq të lidhur me historinë tonë”, deklaroi Komisari i Përgjithshëm për Shqipërinë në Expo 2015, Manjola Gjoni. “Vendi ynë ka qenë për shekuj udhëkryq kulturash, perëndimore dhe lindore, e për këtë arsye ofron një varietet të tillë ushqimesh që ka mbledhur në të njëjtën tavolinë të gjithë shqiptarët, myslimanë, ortodoksë dhe katolikë. Ky shembull bashkëjetese fetare është një vlerë që ne duam të theksojmë Brenda Expo Milano 2015”.
“Cluster-i i Bio-Mesdheut, ku merr pjesë edhe Shqipëria, do të jetë një hapësirë e të gjithëve, një fshat i përbashkët që do të marrë jetë nga zëra të ndryshëm, që gjatë gjashtëmujorit të Expo Milano 2015 do të administrohet nga të gjithë vendet pjesëmarrës”, – sqaroi Filippo Ciantia, Drejtor i Projektit Cluster per Shoqërinë Expo 2015. “Është një Cluster që nuk bazohet vetëm në një bashkim gjeografik, por mbi të gjitha mbi idenë e takimit të popujve, kulturës dhe feve, që ka gjeneruar një dietë dhe një stil jetese që në të gjithë botën njihet si dieta mesdhetare.”