Në një ceremoni të mbajtur dje në rezidencën e Italisë në Tiranë, Ambasadori Italian Alberto Cutillo i dorëzoi trajnerit të kombëtares shqiptare të futbollit Gianni De Biasi medaljen “Urdhri i Yllit të Italisë” në rangun e Kalorësit, dhënë nga Presidenti i Republikës Italiane Sergio Mattarella.
Në fjalën e tij, Ambasadori Cutillo lexoi motivimin: “Për kontributin e tij në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve të miqësisë mes dy vendeve dhe për promovimin e imazhin të Shqipërisë jashtë vendit, duke treguar gjithmonë një interes të vërtetë në thellimin e njohjes së historisë dhe të kulturës shqiptare. Për përcjelljen me profesionalizmin dhe përkushtimin ndaj futbollistëve shqiptarë të përvojës së fituar në futbollin italian. Për faktin se ka qenë një tjetër “urë italiane” drejt Europës, duke pasqyruar simbolikisht në futboll angazhimin italian në kuadrin politik për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”.
“Është një dekoratë e dhënë jo vetëm për arritjet sportive, por mbi të gjitha njerëzore,” tha Ambasadori Cutillo, duke shtuar se “De Biasi ka arritur të çojë Shqipërinë në Europë përpara politikës “, duke kujtuar arritjen historike të vitit të shkuar, kur Kombëtarja shqiptare mori pjesë për herë të parë fazën finale të Kampionatit Europian Francë 2016.
“Ka qenë një periudhë historike për kombëtaren shqiptare dhe një nder i madh për të gjithë ne që e jetuam”, tha nga ana e tij kryeministri Edi Rama gjatë fjalës në ceremoni. ““Jemi të gjithë të nderuar për këtë titull, sepse ne nuk harrojmë se Gianni është edhe qytetar shqiptar dhe Presidenti i Republikës Italiane nderon edhe një bashkëqytetarin tonë”.
Trajneri De Biasi e perkufizoi këtë dekoratë si “një ure e re në mes të dy popujve tanë” dhe shprehur urimin që “këto marrëdhënie të bëhen gjithnjë e më të ngushta.”