Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

Pres. Pier Ferdinando Casini insignito dell’onorificenza “Madre Teresa” dal Presidente albanese Meta

Presidenti i Republikës se Shqipërisë Ilir Meta i akordoi në një ceremoni të veçantë senatorit italian, Pier Ferdinando Casini, Dekoratën “Nënë Tereza”. 

Zotit Pier Ferdinando Casini i akordohet Dekorata “Nënë Tereza” me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi të personalitetit të tij të spikatur, si politikan që mishëron vlerat më të larta të parlamentarizmit, dialogut dhe demokracisë; një urë lidhëse e miqësisë së përhershme italo-shqiptare, përvoja dhe vizioni i të cilit kontribuuan për forcimin e bashkëpunimit strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë dhe mbështetës i vendosur i integrimit euroatlantik të Shqipërisë”.

Fjala e sen. Pier Ferdinando Casini 

“Nuk do t’ju flas për Italinë, por për Europën dhe jo për Europën e djeshme apo të sotme, por për Europën e së nesërmes, për atë Europë që duam ta mendojmë, ta përgatisim e ta ndërtojmë “. Po përdor disa shprehje të thëna gjatë një fjalimi në radio, në vitin 1952, nga Alcide De Gasperi, pasi kujtimi i një prej Etërve themelues të Europës duhet të na bëjë të gjithëve të lëmë mënjanë përpjekjet mazokiste dhe euroskeptike e të përqafojmë me bindje projektin e një Europe gjithmonë e më të fortë, gjithmonë e më të madhe e më pranë popujve europianë.

Sot nuk ka vend për ndalesa të forta e nuk mund të lëmë pasdore aspiratën legjitime teksa shohim të mirëpritur – pothuaj pas shtatëdhjetë vjetësh nga lindja e idesë politike të Europës – frytin e përpjekjeve, të sakrificave, të propozimeve të parashtruara nga Etërit themelues, që ndër vite u pranuan dhe u kultivuan më tej nga klasat drejtuese europiane.

Debati mbi të ardhmen e Europës

Europës sot i duhet të përballet me sfida të reja e angazhuese. Kërcënimet që, në këtë moment historik, vënë në rrezik – për herë të parë që nga nënshkrimi i Traktatit të Romës – integritetin dhe stabilitetin e Bashkimit, në thelb janë dy llojesh.

1) E para, ka karakter të jashtëm dhe është e lidhur me situatën e re gjeopolitike të botës: BE-ja është e kërcënuar nga Kina, Rusia, nga luftërat dhe nga terrorizmi në Lindjen e mesme dhe në Afrikë, por edhe nga Administrata e re e SHBA-së që duket se po vë në diskutim shtatëdhjetë vitet e fundit të politikës së jashtme amerikane.

2) E dyta, ka karakter të brendshëm dhe ka të bëjë me përparimin e ndjenjave kundër BE-së, nacionaliste dhe ksenofobe brenda vetë Unionit, të cilat i kërcënojnë nga brenda integrimin politik dhe vlerat themelore të demokracisë liberale.

Ideja për të bashkuar Europën mori udhë nga një këndvështrim dhe në një kontekst të “luftës së ftohtë”. Lindi si një përforcim i atij pakti mes Vendeve perëndimore që, në mbrojtje të vlerave të përbashkëta, duhet të kufizonte kërcënimin sovjetik e të nxiste një zonë të tregut të lirë.

Mirëqenia ekonomike e pasluftës, rritja ekonomike dhe shoqërore si dhe ndërlidhjet mes kombeve, kanë qenë një mbështetje për atë që në një farë pike dukej se ishte një proces i pakthyeshëm i destinuar për t’u realizuar plotësisht.

Ndjenja europiane konsolidohej tek faktet, duke u shndërruar nga një aspiratë krejtësisht intelektuale që kishte lindur mes klasave të kulturuara europiane, në një ndjenjë të masës.

Sot, të gjitha këto kushte nuk janë më: bota nuk është më dypolëshe, Shtetet e Bashkuara duket se janë pak të interesuara për Europën e, si të tilla, kriza ekonomike dhe terrorizmi islamik e kanë dëmtuar ndjeshëm besimin dhe shpresën e popujve europianë.

Vetë institucionet europiane shpesh perceptohen si organizma burokratikë që më tepër janë të interesuar për të bërë ligje e rregulla se sa për të afirmuar një interes të përbashkët në emër të një ndjenje të përbashkët europiane.

Ligjërata pro Europës e Macron-it

Për këto arsye, fjalimi mbi të ardhmen e Europës së Emmanuel Macron-it (që u mbajt në sallën e parlamentit europian në Strasburg më 17 prill) u përqëndrua pikërisht mbi nevojën e nxitjes së një sovraniteti të ri europian.

Macron e përvijoi qartazi rrezikun e madh të një “lufte civile” që po vërtitet në Kontinentin tonë dhe parashtroi nevojën e rikrijimit (e të mos e shkatërrojë, sikurse e mbështesin lëvizjet euroskeptike) të një modeli që tashmë duket se përjeton një krizë të përhershme identiteti: “Nuk mund të bëjmë gjoja sikur jemi në një kohë normale, ekziston dyshimi që përshkon shumë prej Vendeve tona europiane mbi Europën, po shfaqet një lloj lufte civile europiane: po dalin në pah egoizmat tona nacionale dhe ndjenjat anti liberale”.

Për këtë qëllim, Macron shpalosi edhe një roadmap të përcaktuar qartë: “brenda përfundimit të legjislaturës duhet të arrijmë rezultate konkrete: një program europian për pritjen dhe integrimin e refugjatëve; një tatim afatshkurtër për dixhitalin, në mënyrë që të ofrojë burimet e tij për buxhetin, reforma në unionin bankar dhe qëndrueshmëria e buxhetit; siguri e brendshme, fond europian për mbrojtjen. Ajo çka na mban së bashku është një kulturë dhe jo një monedhë”.

Çështja e zgjerimit

Shumë Vende kanë shprehur dyshimin se një zgjerim i mëtejshëm i BE-së mund të sjellë më shumë rreziqe se sa përparësi për vetë Unionin. (vetë Macron e shprehu qartë se do të mbështesë “zgjerimin vetëm atëherë kur do të kemi një reformë të thellë të Europës sonë”).

Gjithësesi, janë të shumtë ata – i pari ndër gjithë të tjerët, Kryetari i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker – që vijojnë të besojnë se e ardhmja e Europës mund të ndërtohet vetëm duke e plotësuar shtëpinë europiane, duke u ofruar Vendeve të tjera një “perspektivë europiane të besueshme” që të mund të ndryshojë ndjenjat kolektive e të lartësojë aspiratën për të zhvilluar më tej integrimin europian.

Ballkani

Ajo çka jemi sot, ajo çka po përpiqemi të ndërtojmë në të ardhmen e afërt është trashëgimi e një mendimi pjellor dhe e një veprimi të vendosur, që është mirëpritur duke tejkaluar kështu pritshmëritë fillestare e që ka mundur të zhvillohet më tej falë edhe ndryshimeve politike në dhjetëvjeçarët e fundit, si rrjedhojë e shpërbërjes së regjimeve totalitare të llojit sovjetik dhe afirmimit të modeleve të reja të marrëdhënieve ndërkomëbtare.

Në këtë perspektivë, nuk duhet të harrojmë se Ballkani ka qenë gjithmonë skenë e ngjarjeve të mëdha të cilat kanë shënuar hisrorinë e kontinentit europian.

Pozicioni i veçantë strategjik, si urë mes Europës dhe Rusisë dhe mes Europës dhe Lindjes së Mesme, në fakt, ndër shekuj, e ka bërë këtë zonë të jetë një qendër e vërtetë nevralgjike e historisë europiane dhe e përballjes mes fuqive të çdo kontinenti. “një hapësirë që prodhon histori më shumë sa sa mund të konsumojë ” sipas Winston Churchill-it.

Në vitet Nëntëdhjetë, rënia e Murit të Berlinit e, për rrjedhojë, shfaqja e entiteteve të mëdha multinacionale, (BRSS dhe Jugosllavia) regjistruan një drejtim të ri për integrimin e hapësirave boshe, duke u dhënë shkas kështu luftrave për shpërbërjen e Jugosllavisë të cilat, jo rastësisht, ndodhën në kurriz të një tranzicioni të madh gjeopolitik.

Në këtë kontekst, mungesa e një aksioni politik konkret nga ana e Europës jo vetëm që ka penguar gjetjen e një zgjidhjeje por ka ushqyer kontrastet ekzistuese.

E gjitha kjo teksa Europa dhe Komuniteti po përpiqeshin të krijonin një treg të përbashkët dhe të negocionin Traktatin e Maastricht-it për krijimin e një Unioni ekonomiko-monetar.

Ndaj, edhe për këtë, sot Europa ka për detyrë ta integrojë këtë zonë përmes një strategjie zhvillimi dhe ndërlidhjeje rajonale që të krijojë një rrjet të konsoliduar infrastruktural në mënyrë që të lehtësojë dhe të rrisë shkëmbimin ekonomik dhe “kontaminimet” kulturore të nevojshme për zgjimin e ndjenjës së përkatësisë europiane, e domosdoshme për një bashkim politik të vërtetë e të strukturuar.

Për këtë qëllim është e rëndësishme të kujtojmë se, nëse Europa dëshiron me të vërtetë të shohë Udhën e Mëndafshit si një objektiv strategjik, ndërtimi i urave mes dy brigjeve të Adriatikut duhet të kryhet sa më shpejt të jetë e mundur.

Pra, për këtë rajon që ende po lan hesapet me një histori shumë të afërt, formalisht mund të hapen shpejt dyert e integrimit europian. Në 2025 Bashkimi europian mund të arrijë të përmbledhë 33 Shtete, duke përmbushur fazën e dytë të bashkimit europian të nisur në fillim të shekullit XXI: jashtë Britania e Madhe, brenda Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe Bosnja-Hercegovina.

Gjithmonë kam patur bindjen se e ardhmja e Shqipërisë është në Europë dhe se shqiptarët – që ende e kanë të gjallë kujtimin e luftrave që përfunduan vetëm para pak vitesh – dinë ta mirëpresin deri në thelb vlerën e Bashkimit europian, të kësaj aleance që lindi për të sjellë paqe e begati për Vendet që ndër shekuj kanë luftuar.

Për këtë Vend nuk ka alternativë tjetër për të ardhmen e tij europiane dhe se drita jeshile e Brukselit për çeljen e negociatave për anëtarësim, e datës 17 prill, përbën një rezultat të rëndësishëm për të cilin Italia duhet të vazhdojë të punojë.

Edhe pse Shqipëria ka bërë hapa të shumta në këtë drejtim, sot i kërkohet që të vijojë përpjekjet e saj me energji të reja: duhet t’i përshtatet rregullave të përbashkëta dhe të gjejë prirjen e saj në kuadër të Bashkimit Europian duke u përpjekur që veçoritë e saj t’i adresojë brenda kufijve të pamatë të Europës së re.

Por, pikërisht perspektiva e të qenit pjesë e një projekti të madh europian do të bëjë të mundur që të shohë me më shumë optimizëm mundësitë për stabilizimin, zhvillimin e Vendit dhe qasjen në përputhje me standartet për funksionimin e institucioneve, të burokracisë dhe të tregjeve.

onorificenza casini