Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

Ekspozita “L’eterno femminino”: Përfaqësimi i gruas shqiptare nga shekulli i Njëzetë deri më sot” në rezidencën e Italisë në Tiranë

Nga data 4 shkurt deri më 30 prill 2019, Rezidenca e Italisë në Tiranë mirëpret ekspozitën “L’Eterno Femminino” Përfaqësimi i gruas shqiptare nga shekulli i Njëzetë deri më sot”.

Kuruar nga Artan Shabani, ekspozita sjell një përzgjedhje veprash të artistëve dhe artisteve shqiptare – nga shekulli i njëzetë deri në ditët e sotme – që kanë portretizuar figurën femërore.

Ekspozita “L’Eterno Femminino” (Femërorja e përjetshme) bën bashkë artistë të brezave të ndryshëm, nga periudha e Nëntëqintës shqiptare, etapa e vetë-izolimit, deri tek shprehjet bashkohore të ditëve tona (2019). Imazhi i gruas është një vijimësi e krejt artit pamor, krijuar prej të dy gjinive të artistëve. Gruaja, mbetet ndër subjektet më të trajtuara në rolet e saj në shoqëri dhe me domethëniet e tyre simbolike.

Ekspozita është pjesë e projektit më të gjerë që Ambasada Italiane në Tiranë po ndërmerr për të promovuar barazinë gjinore dhe luftën kundër të gjitha formave të diskriminimit dhe dhunës ndaj grave. Në këtë kuadër, gjatë gjithë periudhës në të cilën do të qëndrojë e hapur ekspozita, në Rezidencën e Italisë do të mbahen takime të hapura me studiues, artistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të trajtuar në aspektin historik, social dhe artistik rolin e gruas në shoqërinë shqiptare.

“Pas ekspozitës me artistë që kanë kryer studimet në Itali, kësaj here menduam të propozojmë një temë e cila do të mundësonte hulumtimin më në brendësi të një elementi thelbësor të shoqërisë shqiptare, siç është figura femërore,” tha Ambasadori italian, Alberto Cutillo.

“Pas Kryesimit të OSBE-së, këtë vit Italia është anëtare e Këshillit të të drejtëve të njeriut të Kombeve të Bashkuara, për dyvjeçarin 2019-2021, e ndër përparësitë tona është edhe mbrojtja e të drejtave të grave. Kjo përparësi artikulohet në fuqizimin e të drejtave të grave dhe të vajzave, në luftën ndaj çdo forme të dhunës ndaj tyre, në angazhimin për zhdukjen e praktikave ende në përdorim në disa prej Vendeve të botës, si gjymtimi i organeve gjenitale, martesat e detyruara. Prandaj menduam se njohja më në brendësi e temës së gruas mund të përbënte jo vetëm një kontribut artistik por edhe një mundësi reflektimi për gjendjen e gruas në botë e, veçanërisht në Shqipëri”, thekson ambasadori.

Për të parë ekspozitën ju mund të shkruani një email tek IIC: iictirana@esteri.it, duke treguar emrin, mbiemrin, datën e lindjes dhe datën kur doni të vizitoni ekspozitën.

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun në datat e mëposhtme në orën 16:00. Në hyrje, vizitorëve do t’u kërkohet të tregojnë një dokument identiteti.

Datat e disponueshme (dhe gjithashtu kontrolloni orarin e takimeve në posterin mëposhtë):

  • E enjte, 7 mars, në orën 16:00
  • E enjte, 14 mars, në orën 16:00
  • E enjte, 21 mars, në orën 16:00
  • E enjte, 28 mars, në orën 16:00
  • E enjte, 4 prill, në orën 16:00
  • E enjte, 11 prill, në orën 16:00
  • E enjte, 18 prill, në orën 16:00

Kalendari i takimeve në kuadër të ekspozitës “L’Eterno Femminino”