Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

Mesazhi përshëndetws i Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Luigi Di Maio, për personelin e Ministrisë me shërbim në Itali dhe jashtë saj

“Me entuziazëm të veçantë dhe ndjenjë të thellë përgjegjësie marr detyrën e Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar. I drejtoj një përshëndetje të ngrohtë të gjitha grave dhe burrave të Farnesina-s, veçanërisht më të rinjve, në Administratën qendrore, në Misionet diplomatike dhe zyrat konsullore, në Institutet e Kulturës dhe pranë Agjencisë Italiane për Bashkëpunimin për Zhvillim.

Edhe si Nënkryetar i Parlamentit, Ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe Nënkryetar i Këshillit të Ministrave, kam pasur rastin të bashkëpunoj me trupin tonë diplomatik në raste të ndryshme. Pikërisht në ato rrethana, kam mundur të vlerësoj cilësitë dhe aftësitë e diplomacisë italiane jo vetëm në procesin e përforcimit të marrëdhënieve tona ndërkombëtare, por edhe në promovimin e “Made in Italy”-it në botë dhe ndërkombëtarizimin e sistemit ekonomik italian.

Si Qeveri jemi të vetëdijshëm për delikatesën e angazhimeve që na presin dhe për pritshmëritë e italianeve dhe italianëve. Çdo sfidë që do të na dalë përpara do ta përballim me shumë guxim. Politika e jashtme, e cila do të jetë një komponent thelbësor i veprimit të kësaj qeverie, do të ketë si përparësi interesin kombëtar në Evropë dhe në botë, me respekt të ndërsjellë ndaj partnerëve tanë dhe me autoritetin që i takon një vendi të madh si Italia si dhe traditës së saj të njohur dhe të vlerësuar të ekuilibrit dhe të hapjes ndaj dialogut me të tjerët. Politika e jashtme është një mjet i pazëvendësueshëm në kontekstin aktual global, gjithnjë e më i ndërlikuar, i ndryshueshëm dhe konkurrues, në të cilin veprimtaria e diplomacisë ka kontributin e saj për t’u dhënë përgjigje shumë çështjeve konkrete dhe ka pasoja të menjëhershme në mirëqenien e përditshme të qytetarëve.

Për këtë arsye, ne synojmë të përballemi me ndryshimet që ndodhin çdo ditë në nivel global duke mbajtur një dialog të sinqertë dhe të hapur me partnerët tanë, natyrisht pa hequr dorë nga vlerat e përbashkëta evropiane dhe atlantike që karakterizojnë historinë e vendit tonë.

Vëmendje prioritare do t’i kushtohet sfidave dhe emergjencave më të menjëhershme, të tilla si Mesdheu i zgjeruar, Afrika dhe çështja e migracionit, për të cilat ne synojmë të punojmë për një përgjegjësim më të madh të Evropës dhe për tejkalimin e rregullores së Dublinit. Afrika, në veçanti, nuk mund të shihet më vetëm si një shqetësim, por si një mundësi për të identifikuar partnerë të rinj strategjikë përmes të cilëve të përforcohet zhvillimi dhe rritja e vendit tonë.

Investimet në tregjet në zhvillim, inovacioni teknologjik dhe kërkimi shkencor janë mjete të rëndësishme për ndërkombëtarizimin e gjithë Sistemit të Vendit, për të nxitur rritjen e qëndrueshme dhe vëmendjen ndaj ekuilibrave të klimës dhe mjedisit, për të nxitur metoda të virtytshme rritjeje dhe zhvillimi për brezat e ardhshëm. Edhe kjo do të jetë një pikë themelore e veprimtarisë që synoj të ndjek, me këmbëngulje dhe vendosmëri.

Profesionalizmi, përkushtimi ndaj Shtetit dhe angazhimi janë cilësi thelbësore, ashtu si shërbimi që kemi detyrën të kryejmë është një e mirë publike, e prekshme dhe e vlefshme për qytetarët, institucionet dhe bizneset, ndaj të cilëve kemi detyrim të mbajmë një dialog të vazhdueshëm dhe transparent.

Synimet ambicioze që i vendosim vetes kërkojnë angazhimin e vazhdueshëm të secilit prej nesh.

Siç kam pasur rastin ta vërej disa herë, jam i sigurt se mund të mbështetem në bashkëpunimin e plotë të të gjithë stafit të Ministrisë së Jashtme dhe të rrjetit të institucioneve jashtë Italisë, i cili përbën një burim të pazëvendësueshëm. Prandaj dëshiroj t’ju drejtohem të gjithëve, veçanërisht atyre që shërbejnë me shumë frymë sakrifice në vende krizash dhe lufte, një falënderim të sinqertë dhe një urim për një punë sa më të mbarë.

Luigi Di Maio”