Gjatë udhëtimit të tij më të fundit në jug të Shqipërisë (më 18 dhe 19 shtator), Ambasadori Cutillo pati rastin të rikujtojë ngjarje të rëndësishme të historisë italiane dhe të asaj shqiptare.
Në qytetin e Sarandës, në një ceremoni të vogël solemne në Gjirin e Limionit me autoritetet vendore civile, ushtarake dhe fetare, nderoi sakrificën e 120 ushtarëve italianë të Divizionit “Perugia” gjatë konfliktit të dytë botëror, i braktisur në mëshirë të fatit, sikurse e gjithë ushtria italiane të nesërmen e kapitullimit, më 8 shtator 1943. I rreshtuar në mbrojtje të Portit të Sarandës, “Perugia” i ofroi mbrojtje mijëra ushtarëve të Divizionit “Parma” të cilët arritën të largoheshin drejt Italisë. Më pas, pothuaj të gjithë oficerët e këtij Divizioni u kapën dhe u ekzekutuan nga gjermanët, me përjashtim të mjekëve dhe të forcave që nuk ishin pjesë e shërbimeve luftarake, ndërsa të gjithë ushtarët u dërguan në kampet e përqëndrimit. Ata që arritën të largohen u mbrojtën dhe u strehuan nga familjet shqiptare e, me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, arritën të kthehen në Itali; shumë prej tyre iu bashkuan brigadave partizane dhe luftuan përkrah shqiptarëve për çlirimin e Vendit.
Më tej Ambasadori vizitoi Qeparoin, me të cilin Italia ka një lidhje që ka lindur gjatë Luftës së Parë Botërore kur ushtarët italianë, të cilët kaluan trej vjet në frontin shqiptar, dhanë ndihmesën e tyre në përmirësimin e kushteve të jetesës së fshatit duke ndërtuar një ujësjellës të vogël i cili i siguronte ujin të gjitha banesave, duke ndërtuar varreza të reja jashtë qendrës së banuar për të ruajtur fshatin nga përhapja e epidemive si dhe duke hapur rrugën nga Vlora deri në Sarandë.
Koço Koka, banori më i vjetër i fshatit, ka rrëfyer këtë histori në një letër dërguar Ambasadorit, duke shtuar edhe një kapitull të përjetuar prej tij personalisht kur, ende djalosh, ndihmoi të afërmit e tij për të mbrojtur një ushtar italian i cili kishte mundur të largohej nga amullia pas kapitullimit në shtator të vitit 1943. Si shumë familje të tjera të Qeparoit, edhe ajo e Koços i ofroi strehim një ushtari italian, Angelo-s, duke e fshehur për rreth një vit nga gjermanët. Qe një zgjedhje bujare dhe e guximshme, e diktuar nga zemra dhe nga kujtimi i asaj çka kishin bërë për ta ushtarët italianë njëzetepesë vjet më parë; siç shkruan dhe Z. Koka në letrën e tij “veçanërisht ne të Qeparoit i jemi shumë mirënjohës për gjithë veprat që italianët kanë bërë për fshatin tonë dhe për popullin shqiptar, të cilat nuk mund të harrohen kurrë”. Sot, nëntëdhjetëvjeçar, Koço Koka jeton më gruan e tij pikërisht lart plazhit të mahnitshëm të Qeparoit, ku mirëpriti Ambasadorin dhe Konsullen e Përgjithshmë të Vlorës, Luana Micheli, duke iu rrëfyer atyre kapitullin e tretë të sagës së tij italiane, apo takimin e tij me Angelo-n, ushtarin të cilin familja e tij e strehoi në vitin 1943-44, në Sardegna, pesëdhjetë vjet më pas, kur Shqipëria kishte dalë nga diktatura dhe ai më në fund mundi të udhëtonte së bashku me gruan për të takuar sërish mikun e tij italian.
Në përmbyllje të vizitës së tij Ambasadori Cutillo vizitoi edhe parkun arkeologjik të Apolonisë me dy “udhërrëfyes” të jashtëzakonshëm, me Prof. Neritan Cekën, i cili që fëmijë ka jetuar mes gërmimeve arkeologjike, dhe me Drejtorëshën e Parkut, Ornela Dyrmishi.