Kryetari i Këshillit të Ministrave, Giuseppe Conte, ditën e martë, më 15 tetor, zhvilloi një vizitë në Tiranë për të konfirmuar vullnetin e përbashkët në forcimin e marrëdhënieve politike mes dy Vendeve si dhe marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe në sektorin e ekonomimë, ku Italia është partneri i parë kryesior tregtar si dhe investitori i parë i huaj përsa i përket ndërmarrjeve aktive që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në vend.
Një vizitë e cila mbart edhe nje rëndësi të veçantë në kuadër të rrugëtimit të përafrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Në fakt u zhvillua në prag të mbledhjes së ardhshme të Këshillit të Evropës, në datat 17 dhe 18 tetor, në të cilin Krerët e Shteteve dhe të Qeverive të të gjithë Vendeve Anëtare do të mblidhen për të diskutuar mbi axhendën strategjike dhe mbi përparësitë e BE-së për pesë vitet e ardhshme, si dhe mbi çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut.
Me mbërritjen e tij në Tiranë, Kryeministri u prit në Pallatin e Brigadave ngë Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, me të cilin zhvilloi edhe një takim pune të hapur sëbashku me anëtarët e delegacioneve përkatëse, për të vijuar më pas me një konferencë të përbashkët për shtyp.

Kryetari i Këshillit të Ministrave të Italisë konfirmoi se Italia mbështet në mënyrë të pakushtëzuar çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, me bindjen se përbëjnë mjetin më të mirë për zhvillimin e Shqipërisë si dhe në interes të Italisë dhe të Europës në çdo aspekt: politik, ekonomik dhe të sigurisë.
“Personalisht, të enjten dhe të premten, në Këshillin e Europës do të mbështes këtë qëndrim dhe do ta mbroj me bindjen më të madhe”, theksoi Kryetari i Këshillit të Ministrave, teksa e cilësoi hyrjen e Ballkanit perëndimor në BE si një ndër objektivat më të rëndësishëm të të gjithë procesit të integrimit europian.
“Shqipëria ndodhet në një fazë kyç të këtij nrrugëtimi. I kërkohen reforma të mëdha, të rëndësishme e të guximshme të cilat kërkojnë edhe një mbështetje të gjerë. Popullsia është shprehur në favor të integrimit europian ndaj edhe për këtë arsye institucionet duhet të ndjekin këtë rrugëtim për të mos i zhgënjyer këto aspirata. E, për të mos pasur zhgënjime, nevojitet që Europa të ketë një rrugëtim të qartë dhe një perspektivë konkrete”, vijoi më tej Kryeministri duke konfirmuar angazhimin italian, por duke vënë theksin edhe në përgjegjësitë e palës shqiptare, duke nisur prej reformës në drejtësi si dhe nga nevoja urgjente e rifitimit të funksionalitetit të Gjykatave për të kaluar më pas në aktivizimin e organeve të reja në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit.
“Italia është e mendimit se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në këtë moment e gëzojnë të drejtën për çeljen e negociatave. Hasen dukshëm vështirësi për përfshirjen e të gjithë Shteteve Anëtare por nuk do të dorëzohemi dhe unë do të angazhohem personalisht me udhëheqësit europianë”, premtoi kryeministri italian.

Përsa i përket situatës politike në Vend dhe nismës së opozitës shqiptare të qendrës së djathtë për të dalë nga Parlamenti e për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e fundit vendore, për Kryeministrin Conte do të ishte i dëshirueshëm “një sinjal i rëndësishëm pjekurie politike dhe institucionale” çka do të konfirmonte edhe interesin e përbashkët të mazhorancës dhe të opozitës për të arritur në zgjidhjen e krizës me forcat e tyre”. Kryeministri italian theksoi gjithashtu se do të dëshirontë që qeveria shqiptare “t’i paraqiste sa më shpejt opozitës një platformë për nisjen e dialogut në mënyrë konstruktive”, dhe se rruga e ndjekur deri më tani nga opozita të prirej drejt një dialogu konstruktiv pa parakushte.
Gjatë konferencës për shtyp Kryeministri Conte u ndal edhe në marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes dy Vendeve, ku Italia renditet si partneri i parë tregtar i Shqipërisë me një shkëmbim prej 2,5 miliard euro në vitin 2018 e me rreth 1,2 miliard në gjashtëmujorin e parë të 2019, duke vënë gjithësesi theksin në faktin se Shqipëria ende nuk i ka shfrytëzuar plotësisht potencialet e saj ekonomike.
“Janë shifra të rëndësishme, të cilat marrin një rëndësi edhe më të madhe për faktin e një numri të konsiderueshëm sipërmarrjesh në vend”, pohoi Kryeministri italian, “por synimi është që të bëhet diçka më shumë e më mirë°. Sipërmarrjet tona kanë dëshirë të forcojnë praninë e tyre në Shqipëri e, për këtë qëllim, dëshirojnë një përmirësim të klimës së biznesit”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri e përfundoi konferencën për shtyp duke shprehur vlerësim për bashkëpunimin kulturor dhe gjuhësor, duke u ndalur veçanërisht në mësimdhënien e gjuhës italiane në Shqipëri si dhe në praninë e ndjeshme të studentëve shqiptarë të mirëintegruar në Universitetet italiane.

Në vijim të takimeve zyrtare, Kryeministri Conte u prit edhe në selinë e Presidencës së Republikës nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta.
Kreu i Shtetit shqiptar dhe Kryeministri italian vunë theksin në partneritetin strategjik mes të dy Vendeve si dhe mbështetja e vazhdueshme e Italisë në proceset e integrimit euro-atlantik të Shqipërisë, duke uruar që “një qasje realiste e çeljes së negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të ketë pëlqimin e të gjithë Shteteve anëtare”.

Presidenti Meta përmendi gjithashtu faktin se komuniteti arbëresh dhe emigracioni shqiptar përbëjnë një urë të rëndësishme bashkëpunimi mes të dy Vendeve, duke nënvizuar rëndësinë e një përpjekjeje të përbashkët për ruajtjen e gjuhës, të kulturës dhe të traditave shqiptare në Itali.
Pas takimeve zyrtare Kryeministri Conte zhvilloi një takim edhe me Kryetarin e Partisë Demokratike dhe liderin e opozitës së qendrës së djathtë, Lulzim Basha, duke u ndalur kryesisht në nevojën e një kontributi aktiv për një realizim sa më shpejt të reformës zgjedhore, në përputhje edhe me rekomandimet e OSBE – ODIHR. Basha, nga ana e tij, shprehu një falenderim të veçantë për kontributin e Italisë në luftën ndaj kriminalitetit, trafiqeve të paligjshme dhe për sigurinë e Vendit.
Gjatë qëndrimit të tij të shkurtër në kryeqytetin shqiptar, Kryeministri Conte rezervoi një hapësirë edhe për takimin e personelin e Ambasadës dhe të të gjithë sistemit Vend të pranishëm në Shqipëri, pranë Rezidencës së Ambasadorit të Italisë, teksa në fjalën e tij vuri theksin në rëndësine e angazhimit të rrjetit diplomatik italian jashtë vendit.
“Qëndrimi im qe i shkurtër, por entuziazmi im dhe mbështetja janë të forta e të mëdha. Jam shumë krenar për atë çka bëni dhe ndërsa zbuloj, sa herë ndodhem jashtë vendit, se ka arsye të tjera për të ndjerë krenari tek përfaqësoj Qeverinë dhe popullin italian”, u shpreh Kryeministri Conte në përfundim të vizitës së tij në Tiranë.

Përpara përfundimit të vizitës së tij, Kryeministri Conte zhvilloi një takim edhe me një përfaqësi të komunitetit italian me qëndrim në Shqipëri. Sipërmarrës, funksionarë pranë Organizmave Ndërkombëtarë, fetarë, vullnetarë, artistë e personalitete të kulturës dëgjuan me vëmendje fjalët inkurajuese e mbështetëse të Kryeministrit për rolin e tyre të rëndësishëm si urë lidhëse mes dy Vendeve tona.
