Questo sito utilizza cookie tecnici, analytics e di terze parti.
Proseguendo nella navigazione accetti l'utilizzo dei cookie.

Preferenze cookies

Ministri Tajani merr pjesë në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, e shtunë 25 nëntor

Edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Bashkëpunimit Ndërkombëtar i bashkohet fushatës ndërgjegjësuese të Kombeve të Bashkuara për Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj grave. Ditën e shtunë, datë 25 nëntor, në orën 18.00, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, On. Antonio Tajani, do të marrë pjesë në ceremoninë e ndriçimit të Selisë së Ministrisë, ceremoni që do të mbahet në sheshin para ndërtesës.

“Ministria do të ngjyroset portokalli për të treguar vëmendjen por edhe për të vënë në dukje faktin se dënon, me bindje, çdo formë dhune ndaj grave, krim ky i urryer që përbën edhe një formë dhune të së drejtave të njeriut, ndër më të rëndat e më të përhapurat në botë. Çdo orë vriten nga familjarë 5 gra, ndërsa një grua ndër tre është viktimë e dhunës fizike, psikologjike, viktimë e abuzimeve dhe shfrytëzimit” – deklaroi Tajani

“Dhuna ndaj grave është një plagë që fatkeqësisht prek edhe Vendin tonë. Si Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme, kam vendosur t’i kushtoj kujtimit të Giulia Cecchettin, vrasja e së cilës na ka tronditur të gjithëve, programin kryesor të bursave të studimit të promovuar nga Ministria, ‘Invest Your Talent in Italy’, drejtuar talenteve më të mirë të huaj nga 17 Vende focus e të interesuar të ndjekin në Itali studimet në fushën e inxhinierisë, ekonomisë apo arkitekturës.” – deklaroi Tajani. 

Me udhëzim të Zëvendëskryeministrit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe selitë e saj nëpër botë, i bashkohen fushatës “Orange the World”, e cila u hap rrugë 16 ditëve me nisma në mbështetje të shoqërisë civile. Fushata, me titull “UNITE! Invest to prevent violence against women and girls”, fokusohet në nxitjen e investimeve dhe burimeve financiare kushtuar luftës kundër dhunës me bazë gjinore, me një synim edhe më ambicioz: shpalljen e datës 25 të çdo muaji një “Orange Day”, si mjet për të forcuar e për të bërë të vazhdueshme vëmendjen e opinionit publik mbi këtë temë.

Gjendja e grave dhe vajzave të pambrojtura rëndohet gjatë konflikteve të armatosura por edhe në çdo situatë emergjence në të cilën ato rezultojnë të jenë më të ekspozuara. Përpara këtyre të dhënave alarmante, Italia vijon të dënojë maksimalisht çdo formë diskriminimi dhe dhune ndaj grave.

Eleminimi i dhunës ndaj grave dhe mbështetja e emancipimit të femrës janë dy nga drejtimet kryesore në të cilat vepron politika e jashtme dhe e bashkëpunimit ndërkombëtar e Italisë. Dëshmi për këtë janë fushatat e shumta ndërkombëtare, si ato për çrrënjosjen e gjymtimit gjenital femëror dhe martesave të hershme e të detyruara, të cilat e shohin gjithmonë Italinë në vijën e parë, ashtu edhe angazhimi ynë në kuadër të Komisionit të OKB-së mbi Kushtet Femërore. Edhe në kuadër të Agjendës së OKB-së “Gra, Paqe dhe Siguri”, Italia është në krye të komunitetit ndërkombëtar, si në nxitjen e nismave që synojnë nxjerrjen në pah të rolit të gruas në parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve dhe situatave pas konflikteve, ashtu edhe nëpërmjet Planit të Katërt të Veprimit Ndërkombëtar 2020-2024.

Italia merr pjesë në programet e UNIDO që synojnë të mbështesin sipërmarrjen e femrave në rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut dhe mbështet, me krenari, Rrjetin e Grave Ndërmjetëse të Mesdheut dhe “Gender Equality Trust Fund – Affirmative Finance Action for Women in Africa (AFAWA)” të Bankës Afrikane për Zhvillim. Udhëzimet më të fundit të Kooperacionit italian mbi barazinë gjinore dhe forcimin e grave dhe vajzave synojnë të çojnë më tej angazhimin tonë nëpërmjet nismave të posaçme që shtrihen nga shëndeti i femrës, në çdo moshë, edhe ai seksual e riprodhues, tek mbështetja e programeve të edukimit të vajzave dhe grave dhe e projekteve të zhvillimit të sipërmarrjes femërore.

Planifikimi dhe realizimi i politikave të vlefshme në nivel ndërkombëtar janë thelbësorë për realizimin e plotë të objektivit të 5-të të zhvillimit të qëndrueshëm të Agjendës 2030, të Planit të Veprimit të Bashkimit Evropian mbi të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë 2020-2024 dhe Strategjisë së BE-së mbi barazinë gjinore 2020-2025.