Ambasadori Marco Alberti, në emër të Presidentit të Republikës Italiane, në një ceremoni që u zhvillua pranë Rezidencës së Italisë, u dorëzoi dy Oficerëve të Lartë të Policisë shqiptare, Drejtorit të Departamentit për Policinë Kriminale, Neritan Nallbati, dhe Drejtorit të Drejtorisë së Antiterrorit, Alban Dautaj, dekoratën “Kalorës i Urdhërit të Yllit të Italisë”.
Në këtë ceremoni qenë të pranishëm Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj, Zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari si edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Dekoratat janë një akt mirënjohjeje për kontributin e institucioneve të policisë shqiptare në forcimin e bashkëpunimit dypalësh si edhe në luftën ndaj krimit të organizuar.
Drejtori Nallbati u vlerësua për rolin vendimtar në ngritjen e skuadrave hetimore të përbashkëta, në realizimin e veprimtarive të përbashkëta në terren si edhe për ndalimin e personave të shpallur në kërkim nga autoritet italiane të drejtësisë e me rrezikshmëri të lartë.
Ndërsa Drejtori Dautaj u vlerësua për bashkëpunimin e vazhdueshëm me autoritetet italiane të policisë, për angazhimin në luftën ndaj terrorizmit ndërkombëtar si edhe për ngritjen e grupit operativ trepalësh “Skënderbeg” (Shqipëri–Itali–Kosovë).