Ambasadori i Italisë në Tiranë, Marco Alberti, i cili mori pjesë në ceremoninë e zhvilluar me rastin e 20 vjetorit të Fakultetit të Farmacisë pranë Universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë”, vuri theksin në bashkëpunimin italo-shqiptar në fushën e kërkimit shkencor si dhe atë ndëruniversitar.
Me ftesë të Rektorit, Prof. Leonardo Palombi, të Dekanit, Prof. Roberto Perrone, si edhe të Presidentit të Fondacionit që mban të njëjtin emër, Fr. Ruggero Valentini, të pranishëm në ceremoni Nënsekretari i Shtetit për Shëndetësinë, Z. Marcello Gemmato, Presidenti i Confindustria Albania, Davide Rogai, si dhe Presidenti i Urdhrit të Farmacistëve, Defrim Goma.
“Universiteti “Zoja e Këshillit të Mirë” përbën një model bashkëpunimi mes Italisë dhe partnerëve të saj në fushën e bashkëpunimit ndëruniversitar si edhe në atë të kërkimit shkencor. Vendi ynë përfaqëson një vlerë të rëndësishme në sektorin farmaceutik por, shpesh herë, e harrojmë diçka të tillë. Shëndeti dhe sistemi shëndetësor janë sektorë strategjikë që falë vullnetit tonë u bënë pjesë e Marrëveshjes ndërqeveritare që u nënshkrua në Romë nëntorin e kaluar. Veprimtaria kërkimore, në kuadër të studimeve universitare, përbën një faktor strategjik të rritjes dhe zhvillimit e që synojmë ta promovojmë” – deklaroi Ambasadori Alberti.
Në këtë kuadër, Nënsekretari Gemmato, vuri theksin në rëndësinë e figurës së farmacistit si qendër shëndetësor në territor, duke iu referuar, jo vetëm progresit të arritur nga Italia në fushën kërkimore me qëllim përmirësimin e vazhdueshëm të kujdesit shëndetësor, por edhe risive në fushën e legjislacionit përkatës.