Kod fiskal
1. Çfarë është
2. Për çfarë shërben?
3. Si të paraqesësh kërkesën
- Çfarë është
Kodi fiskal është kodi i përbërë nga shkronja dhe numra që lëshohet nga Agjencia e të Ardhurave për të identifikuar shtetasin (italian apo i huaj) në marrëdhëniet me institucionet publike, privatët dhe entet italiane. Për personat fizikë kodi fiskal përcaktohet mbi bazën e të dhënave personale.
- Për çfarë shërben?
Përmbushja e çdo lloj veprimtarie administrative (pagesë e taksave, tatimeve, detyrimeve, etj.) apo veprimtarie negocimi (pranim trashëgimie, kontrata me subjekte publike apo private, kërkesë për financim, sponsorizime, qira apo kontrata përdorimi, etj.) kërkon të dhënat e kodit fiskal të subjektit që i kryen këto veprimtari.
- Si të paraqesësh kërkesën
Shtetasit e huaj jo me banim në Itali mund të autorizojnë posaçërisht dikë që të paraqesë formularin e kërkesës për pajisjen me Kod Fiskal pranë zyrave të Agjencisë së të Ardhurave të cilat veprojnë në territorin italian.
SHTETASIT E HUAJ JO ME BANIM NË ITALI
Shtetasi i huaj që nuk banon në Itali, në bazë të përcaktimeve të nenit 1 të Vendimit të Ministrit n. 281, datë 17 maj 2001, duhet të autorizojë posaçërisht dikë që të paraqesë formularin e kërkesës për pajisjen me Kod Fiskal pranë zyrave të Agjencisë së të Ardhurave të cilat veprojnë në territorin italian. Adresat e zyrave të Agjencisë së të Ardhurave gjenden në faqen e internetit: www.agenziaentrate.it
Shtetasi i huaj mund të paraqesë kërkesë për t’u pajisur me Kod Fiskal pranë Zyrës Konsullore italiane kompetente për qarkun në të cilin banon vetëm në rastet kur Kodi Fiskal është i nevojshëm për kryerjen e procedurave online dhe/ose në rast se shtetasi i huaj e ka të pamundur të autorizojë dikë që të ndjekë procedurat pranë Agjencisë së të Ardhurave në Itali. Kërkesa për t’u pajisur me Kod Fiskal, që parashikon plotësimin e formularit përkatës Modello di richiesta, duhet të paraqitet së bashku me kopjen e dokumentit të identitetit dhe të saktësohen, gjithashtu, edhe arsyet përkatëse.
Studentët të cilët duhet të pajisen me kod fiskal për të ndjekur procedurat e para-regjistrimit në Universitet mund ta përftojnë atë automatikisht në Portale UNIVERSITALY gjatë fazës së para-regjistrimit.
Studentët jo shtetas të BE-së mund të kërkojnë dhënien e Kodit Fiskal: pranë Sportelit Unik të Emigracionit apo në Kuesturë në momentin e paraqitjes së kërkesës për pajisjen me leje qendrimi; studentët që janë shtetas të BE-së mund ta kërkojnë duke paraqitur formularin AA4/8 pranë Agjencisë së të Ardhurave.
Shtetasit e huaj të cilëve u nevojitet të pajisen me kod fiskal për blerjen e pasurive të paluajtshme apo për veprimtari të tjera tregtare/financiare, në Itali mund të autorizojnë një përfaqësues për të paraqitur kërkesën, për llogari të tyre, pranë Agjencisë së të Ardhurave.
Shtetasit e Vendeve jo anëtare të BE–së të cilët synojnë të qëndrojnë në Itali pajisen me kod fiskal nga:
–Sporteli Unik për Emigracionin pranë çdo Prefekture kompetente për dhënien e autorizimit për hyrjen e shtetasve të huaj të cilët paraqesin kërkesën për leje qëndrimi për arsye pune apo për bashkim familjar;
– Kuestura, Zyra e Policisë së Shtetit, për ata shtetas të huaj të cilët paraqesin kërkesë për pajisjen me leje qëndrimi për arsye të tjera.
Shtetasit e Vendeve anëtare të BE-së të cilët synojnë të qëndrojnë në Itali mund të kërkojnë të pajisen me kod fiskal duke paraqitur formularin AA4/8 pranë një prej degëve të Agjencisë së të Ardhurave. Kërkesa duhet të jetë e arsyetuar dhe duhet t’i bashkëlidhet një dokument i vlefshëm identifikimi (pasaportë apo letërnjoftim të vlefshëm për të udhëtuar jashtë vendit).
Shtetasi i huaj të cilit i nevojitet të pajiset me kod fiskal në Itali për të ndjekur një proces gjyqësor në Itali mund, ndër tagrat e dhënë avokatit të tij të besuar, të përfshijë edhe paraqitjen e kërkesës për lëshimin e kodit fiskal pranë një prej degëve të Agjencisë së të Ardhurave; adresat e degëve të Agjencisë së të Ardhurave gjenden në faqen internet www.agenziaentrate.it.