Përkthime dhe Legalizime
Dokumentet e lëshuara nga Autoritetet shqiptare në Shqipëri, për t’u konsideruar të vlefshme në Itali, duhet të pajisen me dy vula Apostille të lëshuara nga Ministria shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme: në dokumentin origjinal në gjuhën shqipe dhe në përkthimin zyrtar në gjuhën italiane. Ju kujtojmë se aktet të cilat duhet të regjistrohen në Itali (akte lindjeje/martese/vdekjeje) duhet të jenë të pajisura me firmën origjinale të Nëpunësit të Gjendjes civile shqiptare që i lëshon. Nuk mund të regjistrohen në regjistrat e Gjendjes Civile të Bashkive italiane aktet me firmë digjitale të nxjerra nga sistemi e-Albania.
Në vijim, e përmbledhur, procedura për t’u ndjekur për legalizimin, nëpërmjet vulës Apostille, e përkthimit zyrtar të dokumenteve shqiptare për t’u paraqitur në Itali:
1) përkthimi kryhet nga një përkthyes zyrtar firma e të cilit është e depozituar pranë Ministrisë së Drejtësisë (lista). Përkthyesi zyrtar do ta shoqërojë përkthimin me tekstin: “Deklaroj se ky përkthim përputhet me tekstin origjinal në gjuhën shqipe dhe se është kryer nga “Emër Mbiemër”, përkthyes zyrtar i njohur nga Ministria shqiptare e Drejtësisë.” Përkthimi do të shoqërohet me nënshkrimin dhe vulën e përkthyesit zyrtar;
2) një Noter publik shqiptar do të vërtetojë, në bazë të nenit 135 të Ligjit nr. 110/2018, nënshkrimin dhe cilësinë ligjore të përkthyesit zyrtar;
3) si në dokument, ashtu edhe në përkthim do të vendoset, nga Ministria shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme, vula Apostille. Dokumenti origjinal i lëshuar nga Autoritetet shqiptare, i pajisur me Apostille dhe me përkthimin gjithashtu të pajisur me Apostille, do të mund të paraqitet pranë Autoriteteve italiane në Itali.
Ju kujtojmë gjithashtu se dokumentet shqiptare të pajisur me Apostille mund të përkthehen drejtpërdrejt në Itali nga përkthyes të njohur nga Gjykata.