Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

Njoftim për shtyp: tryeza e tretë Tekniko-Operative midis krerëve të Policisë italiane e asaj shqiptare (Romë, 23 janar 2023)

Romë, 23 janar 2023

NJOFTIM PËR SHTYP

TRYEZA E TRETË TEKNIKO-OPERATIVE MIDIS KRERËVE TË POLICISË ITALIANE E ASAJ SHQIPTARE

Sot paradite u zhvilluan punimet e tryezës së tretë tekniko-operative midis Krerëve të Policisë italiane e shqiptare me qëllim fuqizimin e bashkëpunimit policor dypalësh në luftën ndaj fenomeneve kryesore kriminale që hasen në të dy Vendet: tryeza e sotme e cila ndjek takimin e datës 13 janar të Ministrave të Brendshëm Piantedosi dhe Çuçi në kuadër të së cilit u përvijuan veprimet strategjike të policisë në rajonin e Ballkanit dhe, më gjerë, të zonës së Mesdheut.

Punimet u çelën nga Ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci dhe nga Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Itali, Anila Bitri Lani, të cilët shprehën vlerësimet e tyre për nivelin e bashkëpunimit policor mes të dy Vendeve, në kuadër të së cilit tryeza teknike është një mjet i vlefshëm dhe efikas.

Prefekti Lamberto GIANNINI vuri në dukje faktin se marrëdhënia e konsoliduar e bashkëpunimit me Policinë shqiptare ka çuar në arritjen e rezultateve të jashtëzakonshme në luftën ndaj terrorizmit, krimit të organizuar dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Kreu i Policisë Shqiptare, Muhamet RRUMBULLAKU, teksa vuri në dukje nevojën për të përditësuar në mënyrë të vazhdueshme strategjitë e luftës me qëllimin për t’i përshtatur ato me veprimtaritë kriminale, gjithmonë në evolucion, në nivel global, falënderoi Prefektin Vittorio Rizzi, drejtues i policisë kriminale, dhe Shërbimin e Policisë Postare, për mbështetjen e dhënë me rastin e sulmit kibernetik të pësuar në platformat informatike të policisë shqiptare, në muajin shtator të vitit të kaluar.

Përsa i përket luftës ndaj terrorizmit, u vu në dukje fakti se bashkëpunimi policor luan rol kryesor për sigurinë në Evropë kjo për shkak të pozicionit gjeografik të Shqipërisë, portë hyrëse nga dhe drejt Ballkanit: në këtë kuadër, Grupi Scanderbeg, që përfshin edhe Kosovën, luan një rol thelbësor si përsa i përket çështjes së foreign fighters ashtu edhe hetimeve operative të cilat mundësohen falë një dialogu të përpiktë e cilësor midis forcave policore të të dy Vendeve.

Nëse lufta ndaj emigracionit të paligjshëm nuk paraqet problematika në bashkëpunimin midis Italisë dhe Shqiprisë, ajo ndaj trafikimit të lëndëve narkotike vijon me rezultate mëse domethënëse, me shkëmbime informacioni, në kuadër të operacioneve policore, dhe veprimtari hetimore të përbashkëta të cilat, gjatë vitit 2022, u përqendruan kryesisht në trafikun e kokainës. Fushata e mbikqyrjes nga ajri, në kuadër të luftës ndaj kultivimit të kanabisit, falë bashkëpunimit me forcat italiane të policisë, shënoi, për herë të parë, në vitin 2022, një prirje në kah të kundërt pra, një rënie të numrit të bimëve narkotike të identifikuara dhe asgjësuara si pasojë e kultivimit, nga ana e organizatave kriminale, në mjedise të mbyllura, si kundërpërgjigje ndaj efikasitetit të lartë të mbikqyrjes nga ajri nga ana e Guardia di Finanza.

Gjatë takimit u diskutua edhe mbi projektin e trajnimit, fuqimisht i dëshiruar nga autoritetet shqiptare të cilat kërkuan mbështetjen e Policisë italiane për përcaktimin e kritereve të pranimit në radhët e policisë, hartimin e programeve trajnuese bazë dhe të nivelit të dytë, bashkëpunimin në mësimdhënie pranë Akademisë së Policisë në Tiranë apo duke pritur instruktorë dhe studentë shqiptarë në shkollat italiane të policisë. Marrëveshje kjo që në fakt është tashmë e vlefshme falë një sërë takimesh të zhvilluara, gjatë vitit 2022, si në Itali ashtu edhe në Shqipëri, por që është kurorëzuar sot nëpërmjet një marrëveshjeje mirëkuptimi të nënshkruar nga Krerët e policisë të të dy Vendeve.

seconda 2

seconda 1

quarta 2

quarta 1