Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për eleminimin e dhunës ndaj grave, Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Antonio Tajani, rinovon angazhimin e Italisë dhe Ministrisë në parandalimin dhe luftën kundër çdo forme dhune e diskriminimi ndaj grave, në Itali dhe në botë.
“Dhuna ndaj grave është një dhunim i papranueshëm i të drejtave të njeriut dhe një pengesë për zhvillimin e shoqërive tona. Italia duhet të vijojë të promovojë barazinë gjinore, emancipimin e gruas dhe mbrojtjen e personave më në nevojë. Duhet të ndërtojmë një të ardhme në të cilën asnjë grua të mos druajë për lirinë apo jetën e saj. Është përgjegjësi e institucioneve, e shoqërisë civile dhe e secilit prej nesh”, deklaroi Ministri.
Eleminimi i dhunës me bazë gjinore është një ndër themelet e politikës së jashtme dhe e bashkëpunimit italian për zhvillim, duke mbështetur fushata ndërkombëtare kundër veprimeve të dëmshme si gjymtimi gjenital femëror apo martesat e parakohshme e të detyruara, përveçse duke kontribuar në mënyrë aktive në punimet e Komisionit të OKB-së mbi Kushtet Femërore. Lufta ndaj çdo forme dhune ndaj grave dhe vajzave është gjithashtu një ndër prioritetet e Italisë si anëtare e Këshillit të së Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara për trevjeçarin 2026- 2028.
Edhe këtë vit Ministria, dhe institucionet në varësi të saj jashtë Italisë, i bashkohen fushatës globale “Orange the World” të promovuar nga UN Women, duke ndriçuar fasadën e Ministrisë dhe duke marrë pjesë në nisma sensibilizimi drejtuar shoqërisë civile dhe të rinjve.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe rrjeti diplomatik-konsullor italian rinovojnë gjithashtu angazhimin e “stolave të kuq”, simbol universal i luftës ndaj vrasjes së grave dhe kundërshtim i qartë i çdo forme dhune.
Vijon gjithashtu promovimi i veprimtarive edukative kundër dhunës dhe programi i bursave të studimit të çelura në kujtim të Giulia Cecchettin “Invest Your Talent in Italy”.
Gjithashtu, në kuadër të Agjendës “Gra, Paqe dhe Siguri”, Italia çon përpara nisma në mbështetje të pjesëmarrjes së grave në proceset e parandalimit të konflikteve, ndërmjetësimit dhe ndërtimit të paqes, nëpërmjet Planit të Veprimit Kombëtar dhe Rrjetit të Grave Ndërmjetëse të Mesdheut, promovuar nga Vendi ynë.