Ministritë e Punës të Shqipërisë dhe Italisë shpallin një sistem të ri online për mbledhjen e kandidaturave për punësim në Itali dhe fazën e tretë për përzgjedhjen e 300 qytetarëve shqiptarë që do të marrin pjesë në kurset e formimit me qëllim punësimin në Itali.
Ministria shqiptare e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, së bashku me Zyrën e Koordinimit Vendor në Shqipëri të Ministrisë Italiane të Punës dhe Politikave Sociale, organizojnë një konferencë për shtyp të martën më 5 mars 2013, në orën 11.30, në sallën e konferencave të kësaj ministrie. Marrin pjesë Ministri Spiro Ksera dhe Ambasadori i Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani.
Qëllimi i konferencës është të bëjë publik fazën aktuale të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë në fushën e imigracionit dhe punës. Objektivi i këtij bashkëpunimi është të favorizojë hyrjen e rregullt për motive punësimi të qytetarëve shqiptarë që duan të punojnë në Itali dhe identifikimin e individëve të kualifikuar nga ana e sistemit të ndërmarrjeve dhe familjeve.
Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrive është krijuar dhe vënë në funksionim një sistem online për mbledhjen e profileve të qytetarëve shqiptarë që dëshirojnë të punojnë jashtë vendit.
Krijimi i sistemit dhe trajnimi i specialistëve të Sporteleve të Migracionit mbi përdorimin e sistemit është fryt i një financimi të përbashkët dhe një gërshetim i konsulencës teknike të ofruar nga Ministria Italiane e Punës (përmes agjencisë së Ministrisë– Italia Lavoro SPA) dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracionin.
Sistemi online i është dorëzuar Ministrisë shqiptare të Punës dhe është instaluar në36 Sportelet e Migracionit që ndodhen në Zyrat Rajonale dhe Vendore të Punësimit, në të gjithë territorin shqiptar.
Aplikimi i sistemit online favorizon përputhjen mes kërkesës në tregjet e huaja të punës dhe ofertën e punës nga qytetarët shqiptarë. Ndërmarrjet, shoqatat e punëdhënësve, agjencitë e huaja të punësimit, përmes zyrtarëve të Ministrisë shqiptare të Punës, mund të shqyrtojnë profilet, të intervistojnë dhe të përzgjedhin kandidatët për profile të caktuara që kërkohen. Ky është instrumenti i parë dixhital i mbledhjes së të dhënave me qëllim administrimin e migracionit për qëllime punësimi dhe është në përputhje me nismën e qeverisë shqiptare për kompjuterizimin e shërbimeve që i ofrohen qytetarit. Banka e të dhënave online i mundëson çdo qytetari të interesuar për të punuar jashtë vendit të marrë pjesë në programet e promovimit të kanaleve të rregullta të punësimit jashtë vendit, duke unifikuar shërbimet që i ofrohen qytetarëve nga Sportelet e Migracionit në të gjithë vendin.
Së bashku me vënien në funksion të sistemit online, shpallet edhe faza e tretë për përzgjedhjen e 300 personave ku mund të marrin pjesë të gjithë qytetarët shqiptarë që duan të kandidohen për të pasur mundësinë për të punuar në mënyrë të rregullt në Itali. Personat e interesuar mund të drejtohen në Sportelet e Migracionit pranë Zyrave Rajonale dhe Vendore të Punësimit në qendrën e tyre të banimit për të regjistruar kandidaturën e tyre, sipas modaliteteve të parashikuara,duke regjistruar profilin e tyre në listat e disponueshmërisë.
Shpallja dhe informacioni mbi regjistrimet gjenden në faqen e internetit të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta www.mpcs.gov.al.
Për më shumë informacione në lidhje me konferencën për shtyp gazetarët mund t’i drejtohen zyrës së shtypit të MPÇSSHB.