Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

Instituti Italian i Kulturës në Tiranë prezanton programin kulturor për muajin shkurt.

Kinema, muzikë, arkeologji, balet:
programi i shkurtit i Institutit Italian të Kulturës në Tiranë

Instituti Italian i Kulturës në Tiranë ka kënaqësinë të prezantojë një program të pasur dhe të larmishëm për muajin shkurt.
Aktiviteti i parë do të zhvillohet më 6 shkurt në orën 15,  tashmë e përhershmja “e enjte letrare” pranë Bibliotekës së Institutit do t’i kushtohet shkrimtarëve “në lulëzim” të seksionit dygjuhësh italo-shqiptar të Korçës, Shkodrës dhe Tiranës: në prani të Ambasadorit Italian Massimo Gaiani do të vlerësohen autorët e tregimeve më të mira të shkruara me rastin e konkursit letrar shkollor “Të përshkosh ishullin: persona, takime, kujtime, impresione, imagjinata, peisazhe dhe arkitekturë nga një udhëtim në Itali”.
E shtunë 8 dhe e dielë 9 shkurt, falë mbështetjes së IIC të Tiranës, protagonistët e baletit Giselle në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë do të interpretohen nga të jashtëzakonshmit Petra Conti dhe Eris Nezha, balerinë solistë më parë të Teatrit në Scala dhe tani të Boston Ballet.
Të premten 14 shkurt M° Lorenzo Turchis Floris do të drejtojë orkestrën simfonike të RTSH-së në një koncert me titull “Shën Valentini në opera”, që do t’i ofrojë publikut pjesë nga vepra me famë botërore të Verdi, Puccini, Rossini, Mascagni, Bizet, Mozart e Lehar. Koncerti do të zhvillohet në Universitetin e Arteve dhe do të fillojë në orën 19.
Më 18 shkurt do të rinisë bashkëpunimi, tashmë tradicional, me Akademinë e Filmit dhe Multimedias Marubi për “Të martën e kinemasë italiane”, kushtuar këtë vit Neo-realizmit. Përmbledhja kushtuar një nga momenteve më të suksesshme të kinemasë italiane do të nisë me Roma città aperta, kryevepër e Roberto Rossellini që i dha emër Anna Magnani-t, protagonistes të paharrueshme në një nga skenat më të njohura dhe dramatike të historisë së kinemasë botërore.
Retrospektiva do të vijojë të martën më 25 shkurt me një vepër tjetër të Roberto Rossellini, Paisà.
Gjithashtu, më 25 shkurt, në orën 12, do të përurohet në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë ekspozita me titull Trashëgima Arkitektonike, Muzeologjia dhe Arkeologjia: hulumtime italiane në Shqipëri. Ekspozita, që do të qëndrojë hapur deri më 1 mars, do të bashkojë për herë të parë hulumtime të kryera nga profesorët e tri Universiteteve italiane (Politeknik i Bari-t, Universiteti i Chieti – Pescara-s dhe Universiteti i Parma-s) dhe do të paraprihet nga një tavolinë pune e hapur për ekspertët dhe të apasionuarit në vlerësimin e trashëgimisë kulturore (9,30 -12).
Aktivitetet e IIC-së për muajin shkurt do të mbyllen të enjten 27 shkurt, në orën 18.30, me shfaqjen e filmit La kryptonite nella borsa e Ivan Cotroneo, që do të përurojë një cikël të kinemasë bashkëkohore i programur për çdo enjte të II e IV të muajit pranë Sallës Nënë Tereza të Pallatit të Kulturës. Për të konsultuar kalendarin e eventeve kliko këtu.