Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

Cerimonia in occasione della Festa della Repubblica

Më datë 2 qershor, në rezidencën e Ambasadorit të Italisë në Tiranë Alberto Cutillo, në prani të Presidentit të Republikës Ilir Meta dhe të përfaqësuesve të qeverisë shqiptare, u mbajt ceremonia tradicionale me rastin e Festës së Republikës.

Përveç Tiranës, Ambasadori Cutillo mori pjesë gjithashtu në pritjen e organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë të dielën më 3 qershor dhe do të jetë i pranishëm sonte në ceremoninë e Konsullatës së Nderit në Shkodër.

Fjala e Ambasadorit Alberto Cutilli në ceremoninë e mbajtur në Tiranë
Z. President i Republikës, anëtarë të qeverisë, autoritete, të dashur miq,
ju falenderoj që jeni sonte këtu për të festuar së bashku në Tiranë Festën e Republikës Italiane si dhe 70 vjetorin e Kushtetutës italiane, gur themeli për shoqërinë tonë demokratike dhe pluraliste.
Falënderoj të rinjtë e korit të Liceut Artistik Jordan Misja dhe mësuesit e tyre për ekzekutimin – tashmë një traditë, por jo për këtë arsye më pak emocionues – të himneve. Falënderoj kompanitë e shumta, italiane dhe shqiptare, të cilat kanë sponsorizuar këtë pritje, edhe duke ekspozuar disa “ikona” të prodhimtarisë Made in Italy. Faleminderit edhe Agjencisë për Bashkëpunim që ekspozon veprat e aktivitetit “Dyert e së Nesërmes”.

Ky dy qershor do të mbahet mend në Itali sepse, pas tre muajsh pritjeje dhe të papriturash, pikërisht dje ka lindur një qeveri e re. Në shumë vende, institucionet demokratike duket sikur janë në vështirësi dhe përballen me situata të ndërlikuara; për rrjedhojë po kalon një fazë të vësjtirë edhe Bashkimi Evropian. Fuqia e tij tërheqëse mund të jetë venitur, por mbetet model një paqeje dhe begatie që duhet mbrojtur dhe përforcuar. Kështu, kremtime si ky i sotmi janë një mundësi e dobishme për një reflektim të qetë dhe të thellë mbi vlerat themeluese të demokracive tona si dhe për mënyrën se si mund t’i ruajmë ato në kohë që kanë ndryshuar thellësisht në krahasim me 70 vjet më parë.

Në Shqipëri, ky qershor – e shpresoj shumë fort – ka mundësi që të mbahet mend për zhvillimet në procesin e integrimit evropian. Italia është e bindur se është koha për të hapur negociatat për anëtarësimin e Vendit në BE. Do të ishte një vlerësim konkret i progresit të bërë dhe inkurajimi më efikas për të vazhduar dhe për të përforcuar reformat. Shpresoj se të gjithë në Shqipëri, qytetarë dhe institucione, do të angazhohen përtej përkatësive politike për të ndjekur këtë rrugëtim.

Megjithatë, cilatdo qofshin zhvillimet në ditët dhe muajt e ardhshëm në Itali dhe Shqipëri, unë kam një bindje: se miqësia dhe bashkëpunimi ynë, siç e pamë edhe në rastin e koncertit të jashtëzakonshëm të Ermal Metës- do të vazhdojnë të rriten dhe të forcohen; dhe për këtë miqësi, Z. President, të dashur miq, dëshiroj të ngre një dolli me urimet më të sinqerta për paqe dhe begati për të gjithë.

ricevimento 1

ricevimento 2