– Z. Ambasador, le ta fillojmë këtë bisedë me sezonin e verës: policë italianë po marrin pjesë në patrullime të përbashkëta me kolegët shqiptarë në pikat turistike më të të vizituara nga qytetarët italianë. A keni informacion se si po ecën ky bashkëpunim?
Turizmi po rritet me shpejtësi në Shqipëri, ashtu si edhe numri i qytetarëve italianë. Ka pasur rreth 140 mijë vizitorë deri në fund të qershorit, me një rritje prej 6.6% krahasuar me vitin e kaluar. Për t’i bërë turistët italianë të ndjehen edhe më shumë në shtëpi, Ministritë e Punëve të Brendshme të vendeve tona nënshkruan një marrëveshje që parashikon praninë e gjashtë policëve italianë, të cilët nga 1 korriku deri më 31 gusht, së bashku me kolegët shqiptarë, do të patrullojnë plazhet më të frekuentuara në zona si Kavaja apo Orikumi. Ata do të asistojnë qytetarët italiane të përfshirë në aksidente me makinë, vjedhje apo humbje dokumetesh, në bashkëpunim me konsullatat në Tiranë dhe Vlorë, si dhe konsullatat e nderit në Gjirokastër dhe Berat.
Në këtë çast ka policë italianë në Kinë, Poloni, Poloni, Francë, Kroaci dhe Spanjë, në kuadër të një strategjie që synon përmirësimin e mëtejshëm të bashkëpunimit policor në nivel “komuniteti”.
– Dua t’ju pyes për punën e përditshme në Ambasadë gjatë këtyre ditëve të nxehta të gushtit. Me ç’kuptoj po përgatisni një sezon të pasur kulturor në vjeshtë…
Ambasadat nuk shkojnë kurrë me pushime dhe kur një sektor është më qetë, një tjetër ka më shumë ngarkesë! Ndër aktivitetet e Ambasadës së Italisë, fusha konsullore mbetet një sektor i rëndësishëm dhe veçanërisht angazhues. Është mbresëlënës numri i të rinjve që duan të regjistrohen në universitetet italiane: deri më tani janë regjistruar 478 studentë, shumica e të cilëve gëzojnë edhe bursa italiane. Legalizimi i dokumenteve që qytetarët shqiptarë paraqesin tek autoritetet italiane gjithashtu është në rritje dhe mund të them me krenari se procedura e plotë kryhet brenda 2/3 ditëve. Madje, edhe numri i pasaportave italiane që kemi lëshuar është dyfishuar në krahasim me vitin e kaluar, ndërsa vizat janë rritur mesatarisht me 40%, veçanërisht vizat për motive punësimi dhe familjare.
Së fundi, do të doja të theksoja monitorimin e përditshëm të prezencës italiane në Shqipëri, që na lejon të përgjigjemi në kohë në raste urgjencash.
Sa i përket sezonit të vjeshtës, jam mjaft krenar për programin #VivereAllItaliana 2018 që po përgatisim në këto ditë vere. Nuk dua të zbuloj hollësira që tani, por do t’i propozojmë publikut shqiptar një javë të veçantë të gjuhës dhe kuzhinës italiane, shoqëruar me një kalendar të pasur me aktivitete teatrore, muzikore dhe baleti.
Meqë po flasim për studentët në Itali dhe sigurisht për emigrantët shqiptarë, çfarë mund të themi për gjuhën italiane në Shqipëri?
Këtu kemi një fakt interesant. Ndërkohë që italishtja renditet gjuha e pestë më e folur në botë, Shqipëria renditet e teta në bazë të numrit të studentëve, menjëherë pas vendeve me një popullsi të madhe si SHBA-të, Argjentina, Australia, Franca, Gjermania, Egjipti. Ministria shqiptare e Arsimit, Sportit dhe Rinisë konfirmoi këtë vit se rreth 73,500 studentë shqiptarë mësojnë italisht në shkollat publike shqiptare, pa përfshirë këtu nxënësit e shkollave profesionale dhe instituteve katolike. Në përgjithësi, italishtja është gjuha e dytë më e studiuar në Shqipëri pas anglishtes. Promovimi i gjuhës italiane është një prioritet për ne pasi e shohim si një mjet unik për thellimin e marrëdhënieve shumë të ngushta midis qytetarëve tanë, si dhe të marrëdhënieve tona ekonomike dhe kulturore.
– Z. Ambasador, prej muajit qershor Italia ka një koalicion qeveritar me profil qartazi të ndryshëm sa i përket marrëdhënieve ndërkombëtare, por po aq e qartë ishte edhe mbështetja në mbledhjen e Brukselit. Mund të na thoni më shumë në lidhje me këtë çështje?
Kam marrë shumë pyetje në lidhje me qëndrimin e qeverisë së re italiane krahas Shqipërisë, dhe fjala që vazhdoj të përsëris është “vazhdimësi”. Që nga vizitat e tij të para jashtë vendit, Ministri italian i Punëve të Jashtme, Enzo Moavero Milanesi, pati mundësi të ritheksojë lidhjet e miqësisë dhe gatishmërinë për të forcuar marrëdhëniet ekonomike midis Italisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme të qershorit mbështetja e tij e vendosur për rrugën evropiane të Shqipërisë luajti një rol kyç në kompromisin përfundimtar që mori miratimin e Vendeve anëtare, siç e ka pohuar edhe kryeministri Rama. Falë vendosmërisë italiane – dhe asaj greke – Këshilli miratoi Përfundime që riafirmojnë në mënyrë të qartë angazhimin e BE-së ndaj procesit të zgjerimit dhe përcaktojnë rrugën drejt hapjes së negociatave të pranimit me Shqipërinë në 2019.
Ministrat Moavero dhe Bushati ranë dakord, në kontekstin e takimit të tyre të shkurtër në Bruksel muajin e kaluar në kuadrin e samitit të NATO-s, për të shkëmbyer vizita reciproke pas pauzës veror.
– Si e shihni itinerarin tonë deri në vitin e ardhshëm, kur Shqipëria shpreson të marrë hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në?
Shqipëria ka tashmë një datë dhe një axhendë të qartë. Gjatë vitit të ardhshëm, vendi duhet të konsolidojë reformat në të gjitha fushat prioritare, edhe pse unë besoj se shtetet anëtare do t’i kushtojnë vëmendje të veçantë reformës gjyqësore dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Paralelisht, administrata shqiptare do të fillojë të angazhohet me Komisionin Evropian në fazën e shqyrtimit të legjislacionit kombëtar në funksion të hapjes së negociatave për kapituj të veçantë. Do të jetë një vit shumë sfidues, por kam bindjen edhe shumë shpërblyes.
– Tema kryesore politike e Tiranës është dhe do të mbetet për një kohë të gjatë reforma e drejtësisë dhe procesi i vetting-ut. Si po ecën ky proces në këndvështrimin tuaj, z. Ambasador?
Dy vjet më parë, parlamenti shqiptar miratoi – me konsensus – një reformë të thellë kushtetuese, e cila i hapi rrugën një reformimi shumë ambicioz dhe shumë të nevojshëm të institucioneve të drejtësisë. Shqiptarët duhet të jenë krenarë për rezultatet e arritura deri tani.
Në gjykimin tim, këmi të bëjmë me një proces me tri dimensione, të cilat meritojnë një analizë më të thellë.
Së pari, besoj se procesi i vetting-ut po ecën mirë dhe sipas dispozitave përkatëse ligjore. Meqenëse ky është një projekt afatgjatë, do të ishte e parakohshme ta quanim të suksesshëm, por muajt e parë të veprimtarisë kanë sjellë një sërë vendimesh të rëndësishme, të cilat ofrojnë një kontribut kyç për rigjenerimin gjithëpërfshirës të të gjitha institucioneve gjyqësore. Unë pres që pas ndërprerjes së verës fokusi të zhvendoset pjesërisht nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve te Kolegji i Posaçësm i Apelit, ku do të shqyrtohen shumë raste të rëndësishme.
Së dyti, sa i përket elementeve të tjera kryesore të reformës së drejtësisë – veç procesit të vetting-ut – vlerësimi im personal i progresit të arritur deri më tani është gjithashtu pozitiv, por me disa shqetësime. I referohem veçanërisht krijimit në kohë të organeve të reja gjyqësore, sipas parashikimeve të Kushtetutës. Mendoj se është e drejtë të pranojmë se në disa situata ka vonesa të konsiderueshme në lidhje me dispozitat ligjore, si dhe me pritshmëritë kolektive. Këto vonesa janë rezultat i procedurave, të cilat, në zbatimet praktike, dolën më komplekse se sa dukeshin në letër. Po i referohem, ndër të tjerave, krijimit të organeve të tilla si Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Me sa kuptoj, ngritja e disa prej tyre mund të bëhet gjatë vitit, ndërsa për disa të tjera është vështirë që në këtë fazë të vendoset një datë e besueshme.
Së treti, dhe kjo është pjesa ku besoj se nevojitet vëmendje më e lartë, disa institucione themelore, si Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, përkohësisht nuk janë në gjendje të funksionojnë. Në mënyrë të ngjashme, Shkolla e Magjistraturës nuk ka autorizimin për regjistrimin e një numri të përshtatshëm studentësh. Është urgjente të gjendet një mënyrë për t’i zgjidhur këto çështje, pasi ato nuk vonojnë vetëm zbatimin e plotë të reformës së drejtësisë (siç në rastin e ngritjes së organeve të reja), por krijojnë një vakum institucional në Vend, që është potencialisht i dëmshëm për të gjithë qytetarët.
Në një intervistë të kohëve të fundit, Presidenti i Republikës ka shprehur shqetësimin e tij serioz për këtë situatë dhe i ka drejtuar një apel shumicës dhe opozitës për të punuar së bashku për të gjetur një zgjidhje, një thirrje me të cilën jam plotësisht dakord. Ne të gjithë e dimë se opozita ka qenë shumë kritike ndaj zbatimit të reformës së drejtësisë deri tani. Së fundmi, Partia Demokratike ka bërë një sërë propozimesh specifike për të adresuar mangësitë e supozuara. Unë shpresoj se shumica do të konsiderojë hapjen e një diskutimi serioz me opozitën për të gjetur një bazë të përbashkët. Në këtë drejtim, më duket inkurajuese deklarata e Kryeministrit në një intervistë të disa ditëve më parë për të bërë publike në shtator një platformë bashkëpunimi të hapur për propozime të mëtejshme që mund vijnë nga të gjitha partitë. Nuk kam dijeni nëse i referohej reformës së drejtësisë në mënyrë specifike, por mendoj se do të ishte një hap pozitiv nëse kjo platformë do të përfshinte këtë çështje thelbësore.
Ne kemi parë në korrik të vitit 2016, dhe sërish në maj të vitit të kaluar, se partitë politike shqiptare, kur përballen me sfida të sistemit, janë në gjendje të gjejnë kompromis politik për hir të vendit. Jam i bindur se kjo do të ndodhë përsëri për të konsoliduar progresin e reformës së drejtësisë.
-Faleminderit.