Questo sito utilizza cookies tecnici (necessari) e analitici.
Proseguendo nella navigazione accetti l'utilizzo dei cookie.

Intervista e ambasadorit Alberto Cutillo për gazetën Panorama, 23 shtator 2019

Zoti Cutillo, Ambasada Italiane është një nga mbështetësit kryesorë të artit e të kulturës në vendin tonë. Mund të na thoni diçka më tepër rreth asaj që ju nxit të jepni një kontibut të pasur për këtë sektor dhe objektivat për të ardhmen e këtij shkëmbimi kulturor mes këtyre dy vendeve, Italisë dhe Shqipërisë?

Para së gjithash përfitoj nga rasti të shpreh solidaritetin për lëkundjet e tërmetit që goditën Shqipërinë. Italia dhe Shqipëria kanë ngjashmëri edhe nga kjo pikëpamje ndërkohë që, për fat të keq, kemi përvojën e pasojave të rënda që mund të shkaktohen nga këto dukuri. Kryetari i Këshillit të Ministrave rë Italisë, Giuseppe Conte, i ka telefonuar në fakt Kryeministrit Rama menjëherë pas lëkundjeve të ditës së shtunë, për të ofruar ndihmën e palës italiane.

Sektori kulturor mbart një potencial të pamatë të cilin, gjatë mandatit tim, jam përpjekur ta zhvilloj më tej dhe ta rris sa më shumë, por që ka ende shumë për të dhënë.

Për të sjellë një shembull, gjatë muajit shtator Ambasada e Italisë është mbështetësi kryesor i edicionit XIV të Festivalit kinematografik të të drejtave të njeriut në Shqipëri (IHRFFA) me temë, për të cilën kemi dhënë ndihmesën tonë në përzgjedhje “ignorance kills“ me rreth 45 filma e dokumentarë në program, mes të cilëve “Il Traditore” (Tradhtari) i Marco Bellocchio-s dhe Dogman i Matteo Garrone-s. Jemi ndërkohë dhe sponsori kryesor i ekspozitës së porsa përuruar pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, kushtuar Adrian Pacit, artist shqiptar i cili jeton edhe në Itali, simbol dhe urë lidhëse mes dy kulturave tona. Në tetor do të kemi një program kulturor të veçantë për të festuar Javën XIX të Gjuhës Italiane ndërsa në muajin nëntor do të përurojmë edicionin IV të Javës së kuzhinës italiane në botë.

Shqiptarët kanë treguar përherë një dashuri të madhe për artin dhe kulturën italiane; edhe për këtë arsye promovimi i gjuhës dhe i kulturës sonë ka qenë në qendër të mandatit tim në këto 4 vjet. Po kështu, italianët po tregojnë një interes gjithnjë e në rritje për bukuritë natyrore dhe kulturore të Shqipërisë, në shumë raste duke i vlerësuar ato. Po përmend, për shembull, Festivalin e fundit të letërsisë në Mantova në të cilin një seksion i veçantë i ishte kushtuar Tiranës në libra ku qe e pranishme edhe Ministrja Margariti.

Cili është roli i gjuhës në këtë shkëmbim kulturor?

Gjuha italiane është pjesë përbërëse kryesore si dhe mjet i shkëmbimit kulturor mes Italisë dhe Shqipërisë. Pjesa më e madhe e shqiptarëve flasin italisht ndërsa universitetet italiane janë më të ndjekurat nga të rinjtë shqiptarë jashtë vendit: këtë vit Ambasada ka regjistruar më shumë se 450 kërkesa të studentëve shqiptarë vetëm për regjistrimet në vitin e parë të universitetit. Javën e shkuar përfunduam gjithashtu edhe procedurat për dhënien e bursave të studimit të cilat, për çdo vit, Ministria e Jashtme dhe e Bashkëpunimit Ndërkombëtar italian i vë në dispozicion të studentëve më të mirë shqiptarë, çka i bashkëngjitet bursave të lëshuara nga Qarqet dhe nga universitetet italiane.

Edhe brezat e rinj e duan gjuhën italiane: rreth 80 shkolla publike janë pjesë e Programit Illiria i cili parashikon mësimdhënien e gjuhës italiane si gjuhë e parë e huaj, ndërsa 9 shkolla të tjera në Tiranë, Korçë dhe Shkodër kanë seksionin dygjuhësh ku nxënësit kanë mundësinë e jashtëzakonshme të edukimit sipas një modeli dy-kulturor, duke mësuar si me programe shqiptare ashtu dhe italiane, me mësues nga të dy Vendet. Diçka që edhe shkollat më të mira private e ofrojnë me çmim të lartë, por që – falë një marrëveshjeje mes Italisë dhe Shqipërisë – mund ta ofrojmë falas në sistemin publik shqiptar në këto nëntë shkolla të Shqipërisë.

Gjuha italiane në Shqipëri duket më pak e përhapur se në të kaluarën, pasi më parë kanë qenë të shumtë ata që e kanë mësuar “në mënyrë pasive” nga televizioni, sot ky realitet nuk ekziston më, por mësimdhënia formale është shumë më e përhapur në sistemin shkollor shqiptar, falë një investimi të rëndësishëm të Qeverisë italiane, që konsiderohet strategjik nga Vendet tona.

Ambasada e Italisë në Tiranë e rrit më tej vlerën e këtij investimi përmes projekteve të vazhdueshme të cilat kanë për qëllim formimin e mësuesve shqiptarë si dhe duke bashkëpunuar në mënyrë të qëndrueshme me Ministrinë shqiptare të Arsimit për të pasuruar dhe përafruar sistemin arsimor shqiptar me atë të Bashkimit Europian.

Cili është qëndrimi juaj rreth asaj që po ndodh me trashëgiminë e përbashkët mes dy vendeve tona, flasim këtu edhe për ndërhyrjet që po bëhen në arkitekturë?

Shqipëria moderne lind me shndërrimin e Tiranës në kryeqytet, njëqindvjetori i të cilit do të festohet vitin e ardhshëm. Ky moment shënon edhe fillimin e ndërtimit të impiantit urbanistik aktual të qytetit kryesisht falë veprës së urbanistëve dhe arkitektëve italianë të cilët – prej këtij momenti e deri në fillimet e luftës së dytë botërore – përcaktuan në thelb veçoritë e tj. Veçori që, personalisht, mendoj se duhet ruajtur jo vetëm për cilësinë arkitektonike por edhe sepse përbën pjesën historike të qytetit, i vetmi që ka mbetur, me disa përjashtime pararendëse të kësaj periudhë historike.

A përfshihet këtu edhe rasti i Teatrit Kombëtar?

Nuk më përket mua të them se cilat ndërtesa duhet të restaurohen dhe cilat duhet të shemben për t’u bërë vend godinave të reja. Mendoj se në një Vend demokratik këto vendimarrje duhet të gjejnë sa më shumë mbështetje, sepse më pas nuk ka më kthim prapa dhe kujtesa e përbashkët që jeton në ndërtesa historike rrezikon të zhduket.

Edhe këto çështje ndikojnë në situatën aktuale, politike dhe civile në Shqipëri. Cili është qëndrimi juaj rreth asaj që po ndodh?

Besoj se kjo fazë deligjitimimi e ndërsjellë vazhdon tashmë prej një kohe tejet të gjatë. Zgjedhjet radikale të opozitës nuk kanë dobi për stabilitetin e vendit, dhe kjo e fundit është mbi të gjitha përgjegjësi e mazhorancës. Zgjedhjet e 30 qershorit nuk mbajtën parasysh interesat e qytetarëve, siç nënvizoi edhe raporti përfundimtar i OSBE-ODHIR-it, përplasja politike çoi drejt një klime pasigurie ligjore që ende nuk është sqaruar.

Një vendim pozitiv i Këshillit Evropian në tetor në lidhje me hapjen e negociatave me BE-në, të cilin Italia e mbështet prej vitesh, mund të ndihmojë për të kthyer faqen dhe për të favorizuar dialogun politik, por shpresoj që kjo hapje të mund të realizohet edhe para 18 tetorit.

Është i kuptueshëm fakti që diplomacia përpiqet të shmangë ndërhyrjet në vendimet e brendshme, megjithatë krijohet një ide/qëndrim përsa i përket mënyrës sesi zhvillohen zgjedhjet, shitblerjes së votave, apo rolit të drejtësisë.

E kam thënë disa herë dhe po e përsëris sërish, nuk më takon mua të ndërhyj. Si përfaqësues i një Vendi mik, që ka për zemër stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë, e ndiej për detyrë të shpreh shqetësimin tim kur shoh që diçka e rëndësishme nuk funksionon ashtu siç duhet. Sot janë sjellë në vëmendjen e publikut disa raste në të cilat, politikanë dhe funksionarë, duket se janë përfshirë në shkelje të rënda të ligjit, por këto raste nuk gjejnë zgjidhje për shkak të mungesës së efikasitetit të sistemit gjyqësor. Vendimi i shpallur së fundmi ndaj ish Ministrit Tahiri – në lidhje me të cilin sigurisht që nuk do të shprehem – mund të përbëjë një hap përpara në afirmimin e një drejtësie që nuk ndalet përballë “të paprekshmëve”. Kjo situatë, e cila dëmton edhe personat e akuzuar në mënyrë të padrejtë e që nuk arrijnë të përftojnë njohjen e pafajësisë së tyre, konfirmon nevojën për të përparuar me shpejtësi me reformën e thellë të drejtësisë që ka nisur tre vjet më parë, dhe kjo është e mundur vetëm nëse mbështetet nga të gjitha partitë politike dhe nga shoqëria civile.

U përqëndruam tek Shqipëria, pjesë e së cilës mund të themi se është tanimë edhe komuniteti italian. Çfarë mund të përmirësohet sipas jush përsa u përket kushteve, “mikpritjes” së fqinjëve?

Me siguri jemi një ndër komunitetet e huaja më të shumta në numër. Pavarësisht se nuk kemi praninë e atyre dhjetëra mijërave italianëve, siç kam dëgjuar të flitet shpesh, ne gjithësesi kemi një komunitet prej rreth tre mijë italianësh të cilët janë rezidentë të përhershëm apo me qëndrim të vazhdueshëm në Shqipër (INSTAT-i ka regjistruar 1.709 qytetarët italianë në Shqipëri vitin 2018). Kjo shifër rritet nëse marrim parasysh edhe ata që kanë interesa ekonomike dhe profesionale në vend dhe që vijnë shpesh, paçka se nuk banojnë këtu.

Përfaqësimi domethënës i kompanive dhe i profesionistëve mes italianëve në Shqipëri tregon potencialin e lartë ekonomik të vendit. Sidoqoftë, për fat të keq, më duhet të theksoj një përkeqësim të klimës së biznesit: shumë shpesh ka raste të sipërmarrësve që përballen me konkurrencën e huaj me mjete dhe presione të paligjshme që – me një sistem administrativ ende të dobët dhe një sistem gjyqësor të papërshtatshëm – e vështirësojnë jo vetëm rritjen por edhe vazhdimësinë e investimeve aktuale italiane dhe ndërkombëtare. Është i nevojshëm një angazhim më i madh nga ana e autoriteteve për të mbrojtur dhe për të lehtësuar ardhjen e atyre sipërmarrësve seriozë që dëshirojnë të shfrytëzojnë mundësitë e tregut shqiptar në përputhje me standardet evropiane në këtë sektor.

Së fundmi, ç’mund të na thoni rreth jetës suaj në Shqipëri gjatë këtij 4 vjeçari. Cilat kanë qenë vështirësitë, por edhe kënaqësitë që keni marrë nga ky vend?

Kam pasur përvoja të shumta në këto katër vjet, kam mësuar shumë për popullin shqiptar dhe do t’i mbaj me vete këto kujtime.

Shqipëria vitet e fundit ka punuar shumë për të përmirësuar kushtet brenda vendit, por mbeten ende shumë sfida të tjera për të ardhmen. Besoj se është e rëndësishme që puna të vazhdojë intensivisht në vend për brezat e rinj, për të parandaluar që të rinjtë të kërkojnë fat dhe sukses jashtë vendit të tyre.

Sidoqoftë, unë kam pasur mundësinë të vëzhgoj me sytë e mi se si integrimi i shumë qytetarëve shqiptarë në Itali ka dhënë fryte pozitive edhe për Shqipërinë. Ata që vitet e fundit kanë vendosur të kthehen në Shqipëri kanë sjellë jo vetëm gjuhën, por edhe kuzhinën dhe kulturën italiane në Shqipëri, duke ndihmuar në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve historike të miqësisë dhe afërsisë midis dy vendeve tona. Do të marr me vete shumë nga historitë që më kanë bërë të kuptoj edhe më shumë intensitetin e lidhjes mes popullit italian dhe popullit shqiptar.

Shfleto intervistën te www.panorama.com.al