Ambasadori Marco Alberti mori pjesë në përurimin e ekspozitës “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje. Banka e Shqipërisë (1925–2025)”, organizuar nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës në Tiranë, në kuadër të njëqind vjetorit të këtij Institucioni si edhe të monedhës kombëtare shqiptare. Veprimtaria u zhvillua në selinë tjetër të Bankës së Shqipërisë, ish Hotel Dajti, ndërtesa emblematike e miqësisë Itali – Shqipëri, e projektuar nga arkitekti italian, Gherardo Bosio dhe e restauruar nga Marco Petreschi.
Ambasadori Alberti, në fjalën e tij, vuri në pah marrëdhëniet e ngushta historike mes Italisë dhe Shqipërisë, duke vënë theksin në vlerën simbolike të ndërtesës ku po zhvillohej veprimtaria, dëshmi e bashkëpunimit institucional dhe ekonomik shekullor. Me këtë rast përkujtoi me nderim Guvernatorin e parë të Bankës së Shqipërisë, Mario Alberti, figurë qendrore në krijimin e Institucionit, duke vënë gjithashtu theksin në rolin vendimtar të Guvernatorit aktual, Gent Sejko, në forcimin e qendrueshmërisë financiare të Vendit, në rritjen e Institucionit dhe në rrugëtimin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Ekspozita, e ideuar nga arkitektja Elisabetta Terragni, paraqet rrjedhën shekullore të historisë monetare e financiare shqiptare nëpërmjet dokumenteve e materialeve që mbartin një vlerë të rëndësishme historike, ku pjesa dërrmuese e tyre ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror të Romës, ku në qendër të saj janë dialogu dhe marrëdhëniet mes Institucioneve të të dy Vendeve. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun prej datës 20 janar deri më datë 20 korrik 2026, duke ofruar mundësi për të nderuar kujtimin, për të reflektuar e për të njohur të shkuarën si edhe të ardhmen e përbashkët të Italisë e Shqipërisë.