Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

ENNIO MORRICONE “ZBRET” NË TIRANË PËR TË KREMTUAR DITËN E EVROPËS

Morricone-EmioPadre

Qeveria shqiptare, Ambasada e Italisë dhe Instituti Italian i Kulturës u bënë bashkë për të kremtuar Ditën e Evropës në Shqipëri nëpërmjet muzikës së Ennio Morricone-s, kompozitorit të njohur italian, i cili është ndarë nga jeta në vitin 2020, autor i më shumë se 500 kolonave zanore më të njohura në nivel botëror.

“Ishte im atë”, ishte titulli i koncertit të mbajtur më 9 maj në Tiranë, nën atmosferën magjepsëse të Sheshit Italia, nën dirigjimin e Andrea Morricone-s, djalit të maestros. Të pranishëm më shumë se një mijë të ftuar dhe Autoritetet më të larta ndër të cilat, Presidenti i Republikës Begaj, Kryeministri Rama, nëntë ministra, Ambasadorë të shumtë të akredituar në Shqipëri si edhe përfaqësuesit kryesorë të jetës ekonomike e asaj kulturore në vend.

Nisma, e ndërmarrë dhe e realizuar nën kujdesin e Kryeministrit Rama, u organizua me mbështetjen e Ambasadës së Italisë dhe Institutit Italian të Kulturës, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD).
Koncerti nderoi trashëgiminë artistike të Ennio Morricone-s, duke sjellë për publikun disa nga meloditë dhe kolonat zanore më të njohura të Maestros, të ndërthurrura me leximin e disa pjesëve nga libri që Marco Morricone, edhe ai i pranishëm, ka shkruar në kujtim të të atit. Në skenë edhe pianistja Cecilia Grillo, baritoni Alessio Quaresima Escobar, sopranoja Vittoria De Amicis, të shoqëruar nga Orkestra e RTSH-së dhe kori i Teatrit të Operas dhe Baletit Tiranë.

“Duke nderuar Morricone-n, kremtojmë Evropën” – deklaroi Ambasadori Marco Alberti.